Spiunazhi në internet – Çfarë dinte Evropa?

Indinjata për programin e përgjimit PRISM është e madhe në Evropë. Megjithatë ekspertët evropianë nuk janë të habitur nga zbulimet e informatorit amerikan Edward Snowden. “Ato që ka zbuluar Snowden për PRISM, diheshin prej kohësh nga njerëzit e informuar”, thotë Benjamin Bergemann, autor në blogun gjerman “netzpolitik.org” dhe anëtar i Shoqërisë Digjitale (Digitale Gesellschaft e.V.). Një raport i kryer me porosi të Parlamentit Evropian, thotë Bergemann në bisedë me Deutsche Welle, pati treguar që në 2012, se “autoritetet amerikane lejoheshin të kishin akses në të dhëna që në vitin 2008. Kjo nuk ishte surprizë.”

Raporti kritikoi ashpër në 2012 ligjvënësit evropianë. Sipas autorëve të studimit në BE mungon plotësisht ndërgjegjësimi se përgjimi masiv politik është i mundur. Tërheq vëmendjen fakti se deri në mes të 2011-s “as Komisioni i BE-së, as ligjvënësit në shtetet anëtare dhe as Parlamenti Evropian nuk kishin dijeni për ekzistencën e ‘FISAAA 1881a’ (Foreign Intelligence Surveillance Amendment Act), i cili ishte ndërkohë prej tre vjetësh në fuqi. Autorët patën paralajmëruar shprehimisht: ligji u lejon autoriteteve amerikane aksesin në të ashtuquajturat re (clouds), edhe tek ato që nuk u përkasin shtetasve amerikanë. BE lë pas dore mbrojtjen e qytetarëve të tij, ishte konkluzioni drastik i autorëve.

Fokusi tek Kina dhe Rusia
Evropianët kanë investuar për një kohë të gjatë në mënyrë të njëanshme në luftën kundër kriminalitetit kibernetik dhe në mbrojtjen e internetit, thotë Julien Jeandesboz nga Qendra e Studimit të Konflikteve (Centre d’Etudes sur les Conflits), njëri prej autorëve të raportit. “Fokusi në BE vendosej në identifikimin e tendencave që mund të rrezikonin qytetarët e BE-së”. Evropianët debatonin kështu për piratët e internetit, vjedhjen e identitetit apo për rregullat për firmat e internetit. Kur ishte fjala për aktivitete të drejtuara nga shtete, vëmendja evropiane drejtohej tek Kina apo Rusia. “Fokusi nuk ishte në raportin shumë të ndjeshëm me SHBA-në, edhe për shkaqe politike”, thotë Jeandesboz në bisedë me DW.

Cloud Computing – ligjet e BE-së nuk shtrihen mbi transferimin ndërkombëtar të të dhënave
Në fund të fundit SHBA është një aleat i rëndësishëm dhe partner tregtar për pjesën më të madhe të qeverive në BE dhe veç kësaj ofruesi kryesor i internetit në botë. “Kjo është një çështje delikate”, thotë studiuesi Jeandesboz.

Diskutimi duhet të përfshijë edhe tendencat në BE
Ide se si BE mund të mbrojë qytetarët e saj nga përgjimi i të dhënave prej SHBA-së ka shumë, por për to në BE nuk ka unanimitet. Debatet janë të ashpra për Direktivën Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, e cila duhet të miratohet deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në 2014. Ndër kërkesat e europarlamentarëve për ndryshime në projektligj bëjnë pjesë: paralajmërime për shërbimet amerikane të internetit, që tërheqin vëmendjen se faqja e dëshëruar në internet është nën juridiksionin e SHBA-së dhe kështu mund t’i nënshtrohet kontrolleve të mundshme nga autoritetet amerikane; apo një mbrojtje ligjore për informatorët (të ashtuquajturit ‘whistleblower’) si Edward Snowden. Nëse SHBA do të detyrohej të nënshkruante një marrëveshje për ndihmë juridike me BE-në, do të krijohej të paktën trysni politike. Por aktualisht as kjo nuk ekziston.

Ekspertët kërkojnë që edhe brenda BE-së të diskutohet më shumë rreth tendencës për të sakrifikuar privatësinë e të dhënave për luftimin e terrorizmit. Edhe në BE nocioni i ndërhyrjes preventive për sigurinë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button