Ashton: Maqedonia ka perspektivë evropiane

Perspektiva evropiane e Maqedonisë është e gjallë dhe e realizueshme. Për këtë qëllim, vendi duhet të vazhdojë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, me dialog politik të vazhdueshëm dhe inkluziv dhe dialog me mediat të cilat janë me rëndësi esenciale. Integrimi i vendit në BE fillon në vend, porositi Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetarja e KE-së, në konferencën e sotme për shtyp. 

“BE e ndjek me kujdes realizimin e marrëveshjes së 1 marsit, veçanërisht në lidhje me formimin e Komisionit anketues dhe nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptim. I inkurajojmë liderët politikë t’i tejkalojn ndarjet dhe të krijojnë frymë të re politike. Në këtë mënyrë, Maqedonia do të ketë mundësi t’i plotësojë qëllimet strategjike”, porositi Eshton. 

Eurodiplomatja u përqendrua edhe në rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në tejkalimin e kontestit për emrin. Marrëdhëniet e mira fqinjësore ajo i vlerësoi si esenciale dhe kërkoi që të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen zgjidhje deri te arritja e marrëveshjes. 

“Procesi në KB për zgjidhjen e kontestit për emrin po fuqizohet dhe i nxisim të dyja palët që t’i shfrytëzojnë angazhimet e Nimetzit. Nevojitet zgjidhje pa prolongim. E di se kjo gjë mund të jetë e vështirë, megjithatë nuk ekziston alternativë tjetër, nuk ekziston mënyrë tjetër për të shkuar përpara, dhe është shumë mirë të veprohet sa më parë sesa më vonë. Kjo është mënyra e vetme e progresit në lidhje me eurointegrimin tuaj. Siç e dini eurointegrimi fillon në vend”, tha Eshton. 

Ajo gjatë vizitës në Shkup u takua me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, me kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa pati takim edhe me liderët e BDI-së dhe të LSDM-së, Ali Ahmetin dhe Branko Cërvenkovskin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button