Struga dhe Kërçova – Betejë emocionesh

Konstatimi se politika në Maqedoni udhëhiqet nga emocionet në vend të fakteve, nga iracionalja më tepër se racionalja, nuk është ndonjë gjë e re. Risi nuk është as fakti se elitat politike këtë e bëjnë me qëllim të caktuar, për përfitime pikësh politike dhe se në rrafshin ndëretnik kjo qasje shpesh rezulton me marrëdhënie të tensionuara, pasojat e së cilës i ndjejnë vetëm qytetarët. Dëshmi eklatante e këtij keqmenaxhimi të marrëdhënieve ndëretnike janë ndodhitë e muajit të kaluar në Kërçovë dhe sidomos në Strugë, ku saga zgjedhore vazhdon me rundin e tretë të votimeve ditën e dielë.

Dilema nëse kryetarët e ardhshëm të komunave do të ishin shqiptarë ose maqedonas hodhi përsëri në plan të parë ndarjen territoriale të vitit 2004, ashtu siç deshën partitë në pushtet. Kështu emocionet për “fitim”, gjegjësisht “humbje”, të komunave u vunë në plan të parë, përkundër fakteve që flasin se as ndarja e vitit 2004 ka qenë moment historik, as që realisht mund të flitet për ndonjë fitore ose humbje të madhe të ndonjërës palë.

Fakti kryesor, për çudi i harruar, i gjithë rrëfimit rreth Kërçovës dhe Strugës është se ndarja territoriale e vitit 2004 nuk ishte asgjë e re. Këto dy komuna kanë ekzistuar në kufijtë e sotshëm gjatë gjithë epokës së komunizmit dhe pastaj deri në vitin 1996. Me ndarjen e re të atij viti u krijuan 123 komuna dhe edhe Struga dhe Kërçova u ndanë në komuna më të vogla. Në vitin 2004 pra nuk ndodhi as ndonjë triumf i madh i shqiptarëve, as ndonjë tradhëti e madhe e maqedonasve. Ndarja e atij viti nuk ishte moment historik; ajo thjeshtë shënoi fundin e një eksperimenti afatshkurtër tetëvjeçar dhe rikthim në kufijtë e vjetër.

Fakti i dytë thotë se të dy komunat kanë qenë dhe janë demografikisht me shumicë shqiptare. Çështja se pse ata nuk kanë pasur kryetar shqiptar ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve deri në vitin 1996, që atëbotë zgjidheshin nga këshillat e komunave. Vetë këshilltarët nuk zgjidheshin me lista proporcionale si sot, por në njësi të veçanta zgjedhore, që siç duket nuk kanë qenë të dizajnuara në mënyrë të drejtë. Me zgjedhjen direkte të kryetarëve fitorja e një kandidati shqiptar ka qenë e pashmangshme.

Mirëpo politika ditore megjithatë zgjodhi të harrojë këto fakte dhe të koncentrohet te viti 2004, si mënyrë më e mirë dhe më e lehtë për të mobilizuar elektoratin në vija etnike. Duke imponuar këtë moment si temë kyçe të zgjedhjeve, me ose pa koordinim, partitë në pushtet arritën t’a shfrytëzojnë atë për marketingun e vet politik: njëra për të na bindur se historia shqiptare në Maqedoni fillon në vitin 2001 dhe se punët na shkojnë mirë, ndërsa tjetra të paraqesë rivalin e saj politik si tradhëtare të interesave kombëtare maqedonase.

Gjatë fushatës kjo u reflektua te retorika e ashpërsuar nga të dyja palët, e pikërisht kjo retorikë len një shije të hidhur te qytetarët e thjeshtë. Nga ana shqiptare për shembull fitorja në Kërçovë u përjetua si kulminacion i një procesi të gjatë, por duke harruar se fitorja nuk është qëllim në vetvete. Edhe në Strugë në vitin 2005 për herë të parë patëm kryetar shqiptar, por assesi nuk mund të thuhet se pas kryesimit tetëvjeçar me komunën jeta e qytetarit të rëndomtë shqiptar në Strugë është përmirësuar sadopak. E njëjta vlen edhe për Kërçovën; nuk ka asgjë historike në këtë fitore nëse ajo nuk pasohet me punë konkrete në komunë.

Të pakuptimta janë edhe deklaratat e tipit se tani “Kërçova është shqiptare”, ose se tani “Kërçova frymon shqip”. Çfarë mesazhi iu dërgohet me këto deklarata për shembull shqiptarëve të Shkupit ose Kumanovës, që janë pesëfish më të numërt se ata të Kërçovës? A nuk është edhe Shkupi qytet i shqiptarëve, a nuk frymon vallë edhe ai shqip? Apo pasi shqiptarët janë pakicë në Shkup ata duhet të ndihen ndryshe nga shqiptarët e Pollogut, Kërçovës dhe Strugës?

Në palën maqedonase ndërkaq politika krijoi një eufori parazgjedhore, pas së cilës erdhi antiklimaksi natyral i shkaktuar nga humbja e zgjedhjeve. U krijua një atmosferë se humbja në Kërçovë është tragjedi kombëtare dhe se për këtë e ka fajin opozita që ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2004. Por askush nuk shpjegoi se ku qëndron saktësisht tragjedia. Është tragjedi pse ka fituar një shqiptar? A janë maqedonasit e Kërçovës dhe Strugës aq ksenofobë dhe shovenistë saqë nuk mund t’a gëlltitin faktin që kanë kryetar nga një etni tjetër? Si duhet të ndihen atëherë maqedonasit e Tetovës dhe Gostivarit? Dhe ç‘ishin ato fjalë të kryeministrit, që porosiste njerëzit të shkojnë të jetojnë në vende tjera, sepse Kërçova është maqedonase (në kuptimin etnik, jo shtetëror)? Ç‘janë atëherë Tetova e Gostivari? A janë këto qytete më pak në Maqedoni, vetëm e vetëm pse atje shumicë janë shqiptarët? A pranon kështu kryeministri se ai dhe qeveria e tij i shikon me sy tjetër dhe se kështu do t’a shohë këtu e tutje edhe Kërçovën e Strugën?

Zgjedhjet erdhën e kaluan, politikanët vjelën atë që donin, por për fat të keq mes popullit në Strugë e Kërçovë do të mbetet shija e hidhur e këtyre manovrave politike zgjedhore. Gjatë zgjedhjeve u dërguan porosi se etnikisht ato janë qytete shqiptare, gjegjësisht maqedonase, por në realitet Kërçova nuk mund të jetë më tepër e imja se e Blagoja Despotovskit, as nuk është më tepër e Gruevskit se e Fatmir Deharit. Ditto për Strugën. Në fund të fundit Kërçova është e kërçovarëve dhe Struga e struganëve, pa dallim përkatësisë etnike. Ata do të vazhdojnë të jetojnë aty dhe më tepër se çdokush tjetër do të duhet të jetojnë me pasojat e lojave politike dhe retorikës së rrezikshme nacionaliste.

E sa për “patriotizmin” dhe “principet” e politikanëve që luajtën këtë lojë “patriotike”, vlen të bëhen vetëm dy pyetje të shkurta. Përse VMRO me çdo kusht konteston Strugën ku dallimi është mbi 5.000 vota dhe ku dihet se do të fitojë Zijadin Sela edhe po të votohet njëqind herë, e jo Kërçovën ku dallimi është 2.000 vota? Dhe anasjelltas, pse BDI i servoi VMRO-së 250 vota në Luboten, fshatin ku Tarçullovski vrau civilë shqiptarë? A ka nevojë të përsëritet edhe një herë se ruajtja e koalicionit është mbi të gjitha dhe se retorika zgjedhore ishte vetëm një lojë? Apo do të biem pre e lojës së njëjtë edhe pas katër vitesh, në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button