Berisha: Lehtësi biznesit të vogël

Kryeministri Sali Berisha është takuar paraditen e së hënës me përfaqësues të biznesit të vogël, të cilëve u ka premtuar se do t’u marrë parasysh sugjerimet, si dhe një sërë lehtësish në 4 vitet e ardhshme. 

Gjatë fjalës së tij Berisha ka thënë se, punësimi është dhe mbetet objektivi më madhor dhe qëllimi më final i çdo reforme që ndërmerr qeveria, e cila për rrjedhojë do të favorizojë biznesin. 

“Të favorizojmë sa më shumë biznesin, sepse tek ai bazohet punësimi. Gjatë këtyre viteve ne kemi punësuar nënpunës publikë në infrastrukturë, në ndërtimin e rrugëve, shkollave, mbi 300 ujësjellësash e 410 sisteme kanalizimi, qendrave shëndetësore, spitaleve dhe objekteve të tjera publike”, ka deklaruar Berisha. 

Sipas tij, Shqipëria ia ka dalë që nga kulmi i krizës, deri në vitin që është sot, bizneset të rriten me 30 për qind, me ato të mëdha 2 herë më shumë, si dhe të tërheqë investime të huaja direkte më shumë se kurrë. 

Më tej kryeministri ka premtuar lehtësimin e taksave për biznesin e vogël, si dhe për të rinjtë e punësuar, duke mos anashkaluar akuzat ndaj rivalit të tij politik. 

“Ne, që kur erdhëm në pushtet, ulëm taksat për ju. Ish-kryetari i bashkisë së Tiranës arriti që me politikën e taksave detyroi biznesin e vogël të paguajë 148 mijë lekë. Por këto janë të shkuara, rëndësi ka hartimi i një projekti që biznesit të vogël t’i krijojmë lehtësi maksimale”, ka thënë Berisha. 

“Taksa mbi biznesin e vogël është shumë më e vogël se taksa që hoqëm ne mbi të ardhurat personale. Ne do heqim çdo lloj detyrimi tatimor për çdo të ri të punësuar”, ka shtuar ai. 

Lajme të ngjashme

Back to top button