Panik, politikë, matematikë

Ndonëse është dita e parë pas shpalljes së rezultateve të para të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Maqedoni është herët për të mund të analizohen të gjitha porositë që dalin nga këto zgjedhje. Kjo sidomos pasi këto u bënë në një kontekst me histori të gjatë paraprake, analiza e së cilës do bëhet e plotë vetëm pasi të kemi numrat e sakta të daljes së votuesve shqiptarë. Kjo pasi përkundër krejt zhurmës, në shikim të parë, shihet se shqiptarët, përveç Kërçovës dhe Strugës, prapë, gati kudo, kanë votuar me një përqindje vetëm nën gjysmën e elektoratit të përgjithshëm. 

Kjo sidomos pasi dalja e përgjithshme në votime ishte e madhe. Gjë kjo që bëri dje, e diel, vetëm shumë vonë, partitë të dalin me rezultatet e tyre. Pasi qytetarët me dalje të madhe ia ndalën partive politike, qeshjen edhe qarjen e hershme. Gjithë projeksionet partiake ishin bërë për një dalje me 40%, siç ishte rasti herave tjera dhe vetëm deri vonë mund të shihnin se ku kanë shkuar votat e tepruara nga projeksionet e tyre. Kështu partitë, vetë e panë se kur përzien panik me politikë del një tjetër matematikë. Ashtu kjo vonesa relative e partive ishte fryt i dilemës: si të thuhen fjalë të nxehta me fytyra të zbehta. 

Ndonëse rezultati përfundimtar për disa qytete dhe komuna të mëdha ende nuk dihet para se të kryhet edhe rrethi i dytë, prapë nga çdo aspekt, shihet se këto zgjedhje ishin një fitore e dy partive qeverisëse: DPMNE dhe BDI. Fitoret e para të tyre janë interesante pasi BDI feston fitoren mu ndaj ortakut të vet qeverisës në Kërçovë kurse DPMNE është habitur me fitoren në Ohër. PDSH gdhiu e habitur me fitore në Strugë dhe humbje në Tetovë kurse LSDM pasi po has në vështirësi edhe në Kumanovë do duhej të shkon deri në Shqipëri që të merr një mësim antologjik nga ish-kryeministri Fatos Nano drejtuar publikisht Edi Ramës për atë se si do duhej të ishte kryeopozitari: Kryeministrin e mund duke e fituar, e jo duke e kopjuar!
Ashtu Branko Crvenkovski me koalicionin që bëri me Gruevskin në Kërçovë dhe Strugë dhe tani me humbjen e pësuar totale do mund të kupton se vlera dhe vendi politik që i takon te votuesit maqedonas atij që nuk do din për shtetin juridik kur bëhet fjalë ndaj shqiptarëve është i zënë. Kjo pasi u pa se për opozitën maqedonase ka vetëm një vend politik të zbrazur, e i cili është; opozitë e përnjëmendtë, konzistente, qytetare dhe artikulues politik i integrimeve euro-atlantike.

Njashtu ka mësim për opozitën shqiptare PDSH-në. Rritja e votave të saja por humbja e Tetovës është dëshmi se votuesit shqiptarë në Maqedoni dëshirojnë të kenë si opozitë, një parti mbarëkombëtare, për në tërë Maqedoninë, dhe jo dyqane politike. PDSH ka fituar edhe në saje të asaj se shqiptarët e ndanë me drejtësi votën e tyre, duke dhënë në Strugë atë që BDI ua morri, pa qare, në Kërçovë. Me votim kaq preciz në Strugë votuesit shqiptarë përveç që dëshmuan se çmojnë ofertën cilësore kadrovike ata dëshmuan edhe sensin dhe nivelin e kohezionit që kanë arritur si pjesë e kombit në Maqedoni. Këtë gjë e dëshmojnë edhe numrat ku Zijadin Sela për kryetar të Strugës ka, afër, dy mijë vota më shumë se lista e tij partiake e këshilltarëve.

Nëse ka barsoletë që përmbledh shumë nga porositë që qytetarët e Maqedonisë dërguan me rastin e këtyre zgjedhjeve atëherë sigurisht është ajo me domaten e madhe të Shkupit. Kështu një njeriu të varfër nga këtu i vjen rasti që të udhëton me tren, në një kupe me një turiste. Pas pak kohë atij i duhet të nxjerr ushqimin që kishte marrë me vete. I turpëruar nxjerr nga qesja bukën dhe një spec. Turistja përballë e pyet: çka është kjo dhe ky i përgjigjet se është spec. Ajo ia kthen: “auu, sa i vogël, po aty te ne specat, janë shumë më të mëdha”. Udhëtari vazhdon dhe nxjerr një kastravec kur edhe për të njëjtën gjë nga turistja merr të njëjtën pyetje dhe koment. Se edhe kastravecët aty na qenkan shumë më të mëdha. Në fund udhëtari i gjorë nxjerr për ushqim një domat shkupi, të madh. Kur turistja pyet prapë: çka është kjo? Ky, më nuk duron dhe përgjigjet: manaferrë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button