Ballafaqim: Bejta, Osmani dhe Sadiku për Gostivarin! Cili më i mirë?

Portalb përgatiti një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kandidatët shqiptar të komunës së Gostivarit. Shkurtë dhe thjeshtë, pesë pyetje të njëjta për secilin. Lexuesi le të vlerëson se cili del më i miri. Në këtë mini-intervistë u përgjigjën kandidati i RDK-së Rufi Osmani ,ai i BDI-së Nevzat Bejta dhe ai i PDSH-së, Miat Sadiku.

PORTALB: Pse pikërisht juve t’ju votojë popullata, cila është ajo veti të cilën ju e posedoni që do t’ju bëjë fitimtar? 

Nevzat Bejta: Unë si kandidat për kryetar komune, jam i përgatitur dhe kam përvojë të qeverisjes si në pushte lokal ashtu edhe të pushtetit qendror. 
Çdo herë kam punuar në interes të qytetarëve dhe është puna një veti që çdoherë më ka nxjerrë fitimtar. 

Miat Sadiku: Unë jam qytetar  tipik i këtij qyteti, karakteristikë dhe traditë e të cilit kanë qenë dhe mbeten urtësia, puna dhe bujaria.  Qytetarët e Gostivarit  i provuan në tetë vitet e fundit opsionet e 2005 dhe 2009. Në këto zgjedhje lokale  unë nuk ofroj politikë konfliktualiteti  por një politikë ndryshe, një politikë bashkëpunimi dhe përkushtim në zgjidhjen pragmatike të problemeve pa harxhuar energji në akuza dhe kundërakuza. Jam shumë koshient për kufizimet buxhetore, situatën e përkeqësuar ekonomike dhe sociale të popullatës, ndaj  fokusi im për realizimin e vizionit tim  nuk do të jenë xhepat e qytetarëve por institucionet shtetërore  dhe ato ndërkombëtare.

Rufi Osmani: Rufi Osmani është njeri i dëshmuar me taban kombëtar, i përgatitur profesionalisht dhe i cili në dy mandate si kryetar komune, njërin i ndërprerë me dhunë dhe tjetri i plotë, ka qeverisur me nder, nikoqirllëk dhe transparencë. Edhe në gjysmë-mandatin si deputet,  me dinjitet dhe krenari mbrojta kauzën shqiptare në parlamentin maqedonas në kohët më të vështira. Kur institucionet relevante ndërkombëtare, ditën që të bëjnë dallimin ndërmjet tij dhe qindra apo mijëra menaxherëve të pushtetit lokal dhe bënë një vlerësim objektiv që u shoqërua me çmime dhe mirënjohje prestigjioze, me siguri edhe qytetarët e Gostivarit dinë ta bëjnë këtë dallim dhe sërish Rufi Osmanin do ta nxjerrin fitimtar. 

PORTALB: Çfarë mendoni për oponentin tuaj?

Miat Sadiku: Të dy oponentët e mi, e kanë personalizuar dhe e kanë monopolizuar skajshmërish procesin zgjedhor lokal  në Gostivar, një garë  që në fakt ka më shumë karakter administrativ-teknik e që politikën e ka vetëm në sfond. Për të arrit këtë qëllim, që të dy pa përjashtim, nuk kanë kursyer asnjë mjet të pushteteve që zotërojnë për të ushtruar presion, frikë dhe kërcënime me largime nga puna apo sanksione tjera.
Z. Osmani, në zgjedhjet e fundit lokale 2009 fitoi besimin e qytetarëve me premtimin që do të realizonte projektet prioritare të Gostivarit, por edhe me porosinë e qartë që do të ndërpriste fenomenin  Bejta, sinonimin e   hakmarrjes politike,  nepotizmit dhe  politizimit të arsimit. Për fat të keq edhe gjatë mandatit të kryetarit aktual, këto fenomene kanë vazhduar të jenë  prezente ndërsa dështimi i realizimit të projekteve prioritare, si bie fjala stacionit të filtrimit të ujit dhe deponisë, kamuflohen me arritje  fiskale dhe mirënjohje ndërkombëtare si dhe premtime që po të njejtat prioritete  të premtuara para katër viteve do t’i realizojë në mandatin në vijim.
Z. Bejta, komenti im i vetëm është në fakt habia ime që një njeri me 8 padi penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare merr guximin  të rikandidojë për të njëjtën pozitë. Shtuar kësaj edhe pozicionet e tij politike dhe ministrore që ka ushtruar e që falë  miopisë së tij kanë rezultuar me bllokim të komunës së Gostivarit  dhe si rrjedhojë ndëshkim të qytetarëve prej të cilëve kërkon mandat të ri!

Rufi Osmani: Sa i përket oponentit tim nga radhët e PDSH-së, nuk kam çka të komentoj ngase as unë as qytetarët e Gostivarit nuk ia dimë kapacitetin intelektual dhe menaxherial, por sidoqoftë gabimi i tij është që ka pranuar të kandidojë në emër të një partie e cila në Gostivar në vitin 2009, nuk arriti të tubojë numër katërshifror votash.
Për oponentin tim nga radhët e BDI-së, do ta ripërsëris vlerësimin tim se ai është një zullumqar i cili Gostivarit i shkaktoi dëm prej disa miliona eurosh, për  çka pas vetes ka 8 aktpadi penale të cilat kurdo që të fillojë të funksionojë shteti juridik në Maqedoni, do tw procedohen dhe ai do ta merr dënimin e merituar. E deri atëherë, në zgjedhjet e radhës, do ta ndëshkojë populli me votën e lirë dhe do ta bëjë pjesë të së kaluarës së hidhur të qytetarëve të Gostivarit dhe shqiptarëve më gjerë.

Nevzat Bejta: Kundërkandidati im nga radhët e PDSH-së, për herë të parë del në skenën politike në Maqedoni. Popullata e Gostivarit shumë pak e njeh z. Miat Sadiku. 
Kundërkandidati nga radhët e RDK-së, është i njohur në popullatë, por si një politikan që dinë të bëje eksperimente, përçarje dhe është ofendues si politikan. 

PORTALB: Numëroni projektet konkrete me të cilat do të filloni, të themi 2 vitet e para të “përmirësoni” gjendjen në Gostivar të përcaktuara me afat kohor?
 
Rufi Osmani: Komuna e Gostivarit nga fondet ndërkombëtare dhe buxheti i vet themelor, ka të siguruara rreth 20 milion euro për investime kapitale për 4 vite. Disa nga projektet janë:
Ndërtimi i Urës mbi lumin Vardar që lidh rrugën e Dibrës me lagjen Dutlok;
Riasfaltimi i dy bulevarde të qytetit në tërë gjatësië e tyre;
Rikonstrumi dhe riasfaltimi i shumicës së rrugëve kryesore të qytetit;
Shtrimi me asfalt ose me pllaka bekatoni të shumë rrugëve dhe rrugicave në vendbanimet rurale (posaçërisht të fshatrave më të mëdha);
Rehabilitimi i sistemit për furnizim me ujë të pijshëm dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve në territorin e gjithe komunës;
Ndërtimi i terreneve dhe sallave sportive;
Rregullimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe sipërfaqeve të tjera publike;
Investime në ndriçimin publik në qytet dhe fshatra, si dhe një sërë projektesh tjera;

Nevzat Bejta: Projektet që ne i planifikojmë janë:
Përfundimi i stacionit filtrues për ujin për pije për qytetarët e Gostivarit, që duhet të përfundoje në fund të vitit 2013; 
Përfundimi dhe ndërtimi i sallave sportive bë vendbanimet ku ka nevojë;
Ndërtimi i kanalizimeve dhe ujësjellësve ku ka kërkesa;
Zgjerimi dhe asfaltimi i rrugëve në qetet dhe fshatra; 
Ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve shkollore. Mbështetja e aktiviteteve kulturore dhe sportive;

Miat Sadiku: Filosofia ime e udhëheqjes me komunën  dallon nga konkurrentët sepse ne nuk mund të realizojmë projekte të kushtueshme nëse nuk  u rrekemi seriozisht projekteve të cilat nuk kushtojnë para . Bie fjala, nuk kushton para shndërrimi i komunës në institucion të hapur, apo depolitizimi i arsimit. Projektet konkrete për dy vitet e para janë:
Zgjidhja e problemit me stacionin e filtrimit të ujit të pijshëm;
Zgjidhja e  problemit të deponisë;
Ndërtimi i një pishine (për aftësim të nxënësve me shkathtësinë e notit gjatë orëve të edukatës fizike); Zgjerim dhe modernizim i venparkimeve;
Hartim i planeve urbanistike atje ku ato mungojnë;
Përmirësim i kushteve nëpër shkolla dhe rritje e efikasitetit energjetik në to;
Ristrukturim i ndërmarrjes publike;

PORTALB: Si do të zgjidhni problemin e Stacionit për filtrimin e ujit të pijshëm, nëse ju jepet mandati ?  

Nevzat Bejta: Ky problem veçse ka filluar të merr zgjidhje. Në ndërtimin e sipër është stacioni filtrues në fshatin Vërtok dhe ky problem do të zgjidhet brenda vitit 2013, sepse kam garancë nga ministri i Ekologjisë, z. Abdilaqim Ademi. Përfundimisht qytetarët e Gostivarit në fund të vitit 2013, do të pinë ujë të pastër dhe të filtruar.
 
Miat Sadiku: Ekzistojnë disa opsione për zgjidhjen e këtij problemi jetik. 
Opsioni i parë dhe mbase më i vështiri  është  vetëfinancimi me mjete  buxhetore, por nuk kam të dhëna nëse deri tani është bërë ndonjë kursim buxhetor për këtë projekt, ashtu siç parashihet me zërat buxhetorë.  Varianti i dytë është  financim i këtij projekti me mjete të institucioneve qeveritare, gjë që ka hasur në politizim të kësaj çështje shkaku i proveniencave të ndryshme politike  të kryetarit aktual dhe qeverisë.
Mundësi tjetër  është financim me mjete nga donacione ndërkombëtare, e që për momentin duket si mundësi më reale, të cilën konsiderojmë që falë edhe kontakteve edhe përvojës sime mund ta realizojmë.

Rufi Osmani: Problemi i kamotshëm me Stacionit për filtrimin e ujit, të cilin e filloi qeveria dhe e ndërpreu në fazën fillestare do ta zgjidhim përmes një donacioni nga Agjencia zvicerane SECO, në vlerë prej rreth 2,2 milion euro, ndërsa investimet totale në rehabilitimin e sistemit të furnizimit me ujë, do të arrijë koston deri në 8 milio euro, për çka mjetet tanimë janë të siguruara. 

PORTALB: Si do të zgjidhni problemin me deponinë në Gostivar? 

Rufi Osmani: Problemi i deponisë rajonale Rusino, do të zgjidhet në kuadër të Këshillit të rajonit planor të Pollogut, ku faza e tenderimit ka hy në fazën përfundimtare ndërsa unë i siguroj qytetarët se nuk do të pranohet asnjë zgjidhje e cila shkon në dëm të qytetarëve të komunës së Gostivarit. E vetmja zgjidhje e pranueshme do të ishte rritja e cilësisë së shërbimeve të menaxhimit me mbetjet urban, si dhe shndërrimi i këtij problem ekologjik në benefit ekonomik për qytetarët e komunës së Gostivarit, por edhe të rajonit të Pollogut.

Nevzat Bejta: Tashmë pritet që zgjidhet kompania që do ta merr me koncesion deponinë “Rusino” dhe përfundimisht rajoni i Pollogut do të zgjidh problemin me deponitë e krijuara.   

Miat Sadiku: Ky problem” kancerogjen” ka filluar vërtetë të shtoj numrin e sëmundjeve kancerogjene në Gostivar , ndaj edhe kërkon zgjidhje urgjente. Problemi i deponive, më mirë thënë çështja e deponive paraqet njëkohësisht problem dhe biznes. Ngjashëm si me problemin me ujin e pijshëm,  konsideroj që  institucionet qendrore kanë dështuar  plotësisht në trajtimin e këtij problemi. Zgjidhja të këtij problemi duhet kërkuar në dhënien nën koncesion  si dhe opsioni tjetër është insistim në institucionet qeveritare për të asistuar komunën në tejkalimin e kësaj sfide e cila mundon Gostivarin për shumë kohë.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button