Kërçova, Struga dhe pjesa tjetër e cirkut

Pyetja që më së shpeshti po e dëgjoj këto ditë është situata parazgjedhore në Kërçovë dhe Strugë, dy komunat ku në betejë direkte do të përballen një kandidat shqiptar dhe maqedonas.

Çka mendoj për retorikën që përdoret dhe cila palë do të fitojë? Në rastin e parë do të përgjigjesha se e gjithë kjo është pritur që moti. Në një kolumnë dedikuar Kërçovës, të botuar më 8 shkurt, kam thënë se “nga mundësia që kryetari i ri i komunës të jetë shqiptar, ose të mbetet maqedonas, zgjedhjet padyshim do të marrin ngjyrime etnike dhe nacionaliste.

Në vend të trajtimit të problemeve lokale, kërçovarët me siguri do të stërndëgjojnë fraza për marrje ose ruajtje të Kërçovës” dhe se gara zgjedhore “do të jetë mundësi për liderët e partive që të fluturojnë në “maja të reja” patriotike në universet e tyre paralele”, parashikim që doli i saktë. Sa i përket rezultatit thashë se ky do të varet nga numri i mërgimtarëve që do të vijnë të votojnë. Për të rrumbullakësuar situatën në Kërçovë, them se nuk përjashtohet mundësia që VMRO dhe BDI megjithatë të hyjnë në koalicion post-zgjedhor në këtë komunë, ashtu siç ndodhi në Strugë në vitin 2009.

Sa i përket Strugës, situata atje është krejtësisht e ndryshme, pa marrë parasysh se si paraqitet në publik. Siç tregojnë rezultate e disa palë zgjedhjeve me rradhë, çelësin atje e ka PAE e Fiat Canoskit. Kur PAE ka koalicionuar me partitë maqedonase, ata kanë patur rreth 500 vota më tepër në 2011, ndërsa rreth 1000 vota më pak në garën për kryetar komune në 2009. Kur PAE ka dalur vetë në zgjedhje, siç ishte rasti në betejën për këshill në 2009 ose zgjedhjet parlamentare në 2008, partitë shqiptare kanë patur 3000 e më tepër vota diferencë ndaj atyre maqedonase. Këtë rradhë PAE del në zgjedhje bashkë me BDI-në, prandaj për çdo njohës të rrethanave tanimë është e qartë se ndonjëra nga partitë shqiptare do të fitojë në rrethin e dytë, ndërsa shqiptarët do të kenë shumicë edhe në këshill. Diferenca do të jetë diku mes tre dhe katër mijë vota.

Këto ditë është çuar shumë pluhur edhe për koalicionin e LSDM me VMRO në këto dy komuna. Këtu duhet të thuhet se arsyetimet që jep opozita për këtë koalicion janë tejet absurde, edhe atë për dy shkaqe. Pikë së pari, arsyetimi se koaliconi është hap i detyruar nga koalicionimi i partive shqiptare është gënjeshtër e kulluar, sepse në të vërtetë partitë shqiptare nuk janë në koalicion. Është e vërtetë se PDSH nuk ka kandidat në Kërçovë, por kjo është bërë nga shkaku se PDSH atje si e si nuk merr më tepër se disa qindra vota, e jo nga shkaqe nacionaliste. Madje edhe në Kërçovë partitë shqiptare kanë lista të veçanta për këshill. Në Strugë kanë kandidatë të vetin për kryetar, ndërsa në betejën për këshill ka edhe listë të pavarur shqiptare. Edhe në Manastir, ku shqiptarët janë të paktë në numër, koalicion kanë bërë BDI me RDK, ndërsa PDSH shkon me listë të veten.

Absurditet i ngjashëm është edhe konstatimi se koalicionimi bëhet vetëm e vetëm që një maqedonas të fitojë karriken e kryetarit të komunës. Nëse më me rëndësi keni përkatësinë etnike, principi themelor për fitore është që grupi yt etnik të ketë mbi 50% të votave. Në këtë rast nuk është me rëndësi nëse grupi del me një ose dhjetë kandidat. Njëri prej tyre do të kalojë dhe do të fitojë në rrethin e dytë. Koalicionimi nuk përcakton fituesin; ai vetëm e bart vendimin nga rrethi i dytë në rrethin e parë. Mu për këtë ndoshta do të ishte i pranueshëm koalicionimi i heshtur në rrethin e dytë, ashtu siç bënë të dyja palët në 2009, por assesi koalicionimi në rrethin e parë dhe ikja nga ballafaqimi me rivalin tënd direkt politik. Edhe më dëshpërues është fakti që me absurditete të këtilla merren edhe një numër i madh analistësh, që me kënaqësi konstatojnë se koalicionimi maqedonas paska futur frikën te partitë shqiptare. Kjo s’është aspak e vërtetë ngase të gjitha partitë, edhe shqiptare edhe maqedonase, e dijnë se në Strugë do të fitojë kandidat shqiptar, ndërsa në Kërçovë rezultati do të varet nga mërgimtarët, e jo nga koaliconet e rrethit të parë.

Por nëse këtë e dijnë edhe në LSDM, atëherë shtrohet pyetja pse kjo parti megjithatë vendosi të mbështesë kandidatët e “regjimit” në të dy qytetet? Pse “otpori” vendosi të bashkëpunojë me “Hitlerin”, sipas shembullit të Nevil Çembërlenit, e nuk u përball me të sipas shembullit të Çerçilit, me të cilin jua kënda të krahasohen. Përgjigja përsëri gjendet te numrat. Kërçova përherë ka qenë bastion i VMRO-së, ndërsa në Strugë LSDM humb kur nuk ka koalicion me PAE. Është e qartë se opozita do të kishte rezultat negativ edhe në këto zgjedhje. Me mbështetje të kandidatëve të VMRO, opozita e vuri atë në pozicion të vështirë që në emër të “bashkimit” të pranojë edhe kushtin për lista të përbashkëta këshilltarësh. Me këtë LSDM i shmanget humbjes nga VMRO në këto dy qytete, merr më tepër këshilltarë se sa mund të fitojë realisht, ndërsa saldon negative të votave që do të kishte nga këto dy komuna e heq nga numri i përgjitshëm i votave në luftën për “një votë më tepër”.

Historikisht në emër të “bashkimit” janë bërë padrejtësi të mëdha, zakonisht në kurriz të popullit. Këtë herë më të mashturar dalin qytetarët maqedonas të Kërçovës dhe Strugës. Për dallim nga bashkëqytetarët e tyre shqiptarë, ata këtë rradhë nuk kanë asnjë të drejtë zgjedhjeje, sepse lista e përfaqësuesve të tyre iu është përcaktuar që më parë nga lartë.

“Otporashët” e këtyre dy qyteteve nuk do t’a kenë mundësinë “të dënojnë qeverisjen kriminele të VMRO”, ndërsa “vmrovcit” nuk do t’a kenë rastin “që njëherë e përgjithmonë t’a shpëtojnë Maqedoninë nga greku Branko”. Më tej, qytetarët maqedonas mund edhe të ngelin pa asnjëfarë pushteti në Strugë. Nëse në 2009 VMRO megjithatë ishte pjesë e qeverisjes lokale në koalicion me BDI-në, me koalicionimin e tashëm parazgjedhor partitë shqiptare kanë alibi të shkëlqyeshëm që pas zgjedhjeve të formojnë koalicion mbarëshqiptar në Strugë.
Në një rrafsh më të përgjithshëm, në këto zgjedhje të mashtruar dalin të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Në këto zgjedhje, në ndonjë formë, të gjitha partitë janë në koalicion me njëra tjetrën dikund në shtet. Kjo më lehtë mund të shihet nga qarqet cirkuzante që mund të konstruktohen, si për shembull: PDSH në Kërçovë mbështet kandidatin e BDI, e cila në Tetovë dhe Gostivar llogarit në votat e VMRO, e cila në Strugë dhe Kërçovë është në koalicion me LSDM, e cila në Shkup llogarit te votat e PDSH. Ose qarku tjetër: PAE në Strugë është në koalicion me BDI, e cila në pushtetin qendror është në koalicion me VMRO, e cila në dy qytete është në koalicion me LSDM, e cila në pjesën tjetër të shtetit është në koalicion me PAE.

Edhe përkundër këtyre fakteve, të gjithë politikanët pa fije turpi vazhdojnë të përshkruajnë rivalët e tyre me ngjyra sa më të zeza, edhepse dikund tjetër në shtet janë në koalicion me ta. Çdo njeri racional e ka të qartë se këtu bëhet fjalë për një luftë të egër për pushtet e të gjithëve me të gjithë kundër të gjithëve, për një lojë politike të reduktuar në nivelin e saj më të ulët, më të gërditshëm të lakmisë dhe etjes për pushtet, të thënies së gjithçkaje dhe çdo gjëje që mund të sjellë ndonjë votë më tepër, pa asnjë princip, bindje, ideologji, qoftë ajo edhe nacionaliste. E megjithatë politikanët marrin guximin të na flasin për momente historike, për fundosje të epokave të vjetra dhe lindjes së të rejave, e budallallëqe tjera. Nëse kjo s’është nënçmim dhe ofendim ndaj inteligjencës së qytetarit, atëherë nuk e di çka është.

Në këtë cirkus zgjedhjesh ngushëllim i vetëm mund të jetë fakti që pushteti lokal në sistemin tonë skajshmërisht të centralizuar nuk ka edhe aq rëndësi. Në miting pas mitingu të VMRO dhe BDI dëgjojmë se si ata garantojnë premtimet e kandidatëve të tyre, pasi atyre ju rrin pas pushteti qendror. Opozitarët ndërkaq me këmbëngulësi përsërisin se fitorja në zgjedhje lokale do të thotë edhe zgjedhje parlamentare dhe marrje e pushtetit qendror. Është e qartë se të gjithë i kanë sytë të kthyer kah zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa këto lokalet ju shërbejnë vetëm për të matur forcat dhe si trampolinë drejt pushtetit qendror.

Në ndërkohë neve na ngelet të vazhdojmë të ndjekim këtë cirk, që na përkujton se asnjë parti në Maqedoni nuk është as afër që të hyjë në shekullin e 21-të.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button