“Ekonomia e falsifikuar” në fushatë zgjedhore – biznesi i dehidruar!

Ajo të cilën edhe e paralajmëronin ekspertët, e priste komuniteti i biznesit, ndërsa e prognozuan institucionet financiare ndërkombëtare – ndodhi. Ekonomia e Maqedonisë në vitin 2012 nuk arriti të dalë nga zona negative. Përqindja negative e rritjes ekonomike prej -0,3 përqind i shkriu pritjet dhe paralajmërimet e qeverisë se ekonomia së paku do të stagnojë, pa mos shënuar rënie.

Viti kaloi në shenjë të recesionit, por ajo për të cilën alarmojnë ekspertët është bartja e krizës edhe në vitin 2013. Procesi zgjedhor në mënyrë plotësuese e rënon pozitën ekonomike, konsideron akademik Abdylmenaf Bexheti. Ai për “Portalb”-in thotë se në vend të projekteve reale ekonomike, kuartali i parë i këtij viti kalon në shenjë të politikës ditore.

“Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme, ekonomia është krejtësisht e dehidruar. Veçanërisht tani do të ndikojnë zgjedhjet, gjegjësisht harxhimet gjatë zgjedhjeve. Jemi dëshmitarë se promovohen projekte që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë, por janë për optimizim të politikës ditore”- thotë akademik Bexheti, dhe shton se tani në periudhën parazgjedhore ndodh “falsifikimi i ekonomisë”, ndërsa në mënyrë plotësuese gjendjen e vështirësojnë ndarjet në baza “etnike”, që padyshim do të kenë pasoja.

“Në këtë periudhë na ndodh “falsifikimi i ekonomisë”, proces ky që do të thotë se të gjitha potencialet janë të orientuara për qëllime politike. Nuk jam optimist se gjërat për një kohë të shkurtë do të përmirësohen, përkundrazi konsideroj se ky vit do të jetë edhe më i rëndë. Poashtu, mendoj se do të ketë pasoja politike, e me këtë edhe ekonomike, nga tensionet që ngriten në nivel “etnik”, e që janë pjesë e fushatës zgjedhore. Këto tensione vështirë do të stabilizohen. Janë kontradiktore tezat se partia në pushtet nga blloku maqedonas angazhohet për ekonomi, ndërsa nga ana tjetër bën thirrje për bashkim “etnik” në disa qytete dhe komuna.” – sqaron profesor Bexheti për “Portalb”-in.

Së bashku me numrat se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) vitin e kaluar ka shënuar rënie, si vërtetim se vendi nuk arriti të mbrohet nga kriza evropiane dhe ajo botërore, qeveria e pranoi se përmirësim mund të pritet në gjysmën e dytë të këtij viti. Mu këtë e theksojnë ndërmarrësit, të cilët alarmuan se me fillimin e vitit 2013 nuk u përmirësua gjendja me porositë nga jashtë dhe se nuk u ndërpre trendi i rënies së vazhdueshme të prodhimtarisë industriale edhe në dy muajt e parë të këtij viti.

POLITIKA E “NGULFATI” EKONOMINË

Pa rritje të vazhdueshme të PBB-së prej së paku 6% në nivel vjetor, edhe atë për së paku tre deri në katër vjet – nuk mund të pritet efekt pozitiv për biznesin dhe për standardin e qytetarëve.

Ekonomistët dhe ndërmarrësit kanë qëndrim të njëjtë se, që të sigurohet një përqindje e këtillë e rritjes ekonomike – para së gjithash, patjetër duhet të krijohet një klimë e qëndrueshme e biznesit, shtyllë e të cilës do të jetë stabiliteti politik. Analiza e “Portalb”-it tregon se përqindje të qëndrueshme të rritjes ekonomike në vend janë shënuar me vite të tëra. Përqindja më e lartë e rritjes ekonomike është shënuar në vitin 2007 prej 6,1 përqind, ndërsa në dhjetë vitet e fundit më kritike kanë qenë vitet 2009 dhe 2012.

PBB-ja sipas viteve (sipas metodës së prodhimtarisë)

Viti 2003                +2,8%
Viti 2004                + 4,6%
Viti 2005                + 4,4%
Viti 2006                + 5,0%
Viti 2007                + 6,1%
Viti 2008                + 5,0%
Viti 2009                – 0,9 %
Viti 2010                 +1,8%
Viti 2011                 + 2,8%
Viti 2012                 -0,3%  

Sipas ndërmarrësit dhe analistit Venko Gligorov, rritja ekonomike në vitin 2013 do të varet jo vetëm nga investitorët e huaj, por edhe nga ata të brendshëm, mirëpo, para së gjithash, nga stabiliteti politik që duhet të garantojë edhe stabilitet ekonomik në vend.

“Mendoj se mospasja e konsensusit politik për zhvillimin e ekonomisë është njëra nga pengesat kryesore. Shumë kohë humbet në debate, diskutime dhe konflikte shterpe ndërmjet pushtetit dhe opozitës për çështje jothelbësore. Nëse kësaj i shtohet edhe procesi i vazhdueshëm i harmonizimeve ndëretnike dhe ndërfetare, pa mos u fokusuar gjatë kësaj në krijimin e kushteve më të mira për jetesë dhe biznes për të gjithë qytetarët, kemi një mjedis plotësisht joproduktiv, që realisht nuk mund të arrijë rezultate ekonomike.” – thotë ndërmarrësi Venko Gligorov.

Akademiku Bexheti nuk pret këndellje të shpejtë të ekonomisë në një gjendje kur buxheti mbushet me vështirësi.

“Sipas meje, vështirë se edhe gjatë vitit 2013 do të filllojë cikli i investimeve. Këtë e them me arsyetimin se mbushja e arkës buxhetore bëhet me vështirësi, gjegjësisht se vështirë se do të realizohen të hyrat buxhetore. Nga ana tjetër, tani në periudhën parazgjedhore bëhet harxhimi i parave të popullit për qëllime të politikës ditore. Nuk besoj se këtë vit do të ketë ndonjë ndikim real që do ta çojë ekonominë përpara, vështirë se do të sigurohet stabilizim.”- thotë akademik Bexheti.

Edhe pse për dallim nga numri më i madh i ekonomive evropiane, ekonomia e Maqedonisë shënoi përqindje më të ulëta të rënies së PBB-së, megjithatë mbetet fakti se PBB-ja e Maqedonisë është vetëm 35 përqind e mesatares evropiane, që tregon se qytetarët edhe më tutje kanë standard të ulët jetësor. 

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button