A ka kush ta ndalë dhunën e shfrenuar kundër shqiptarëve në Maqedoni?

Ngërçi parazgjedhor midis dy blloqeve të partive politike maqedonase VMRO-DPMNE-së në pushtet të Nikolla Gruevskit dhe LSDM-së në opozitë të Branko Cërvenkovskit tensionoi edhe njëherë atmosferën në Maqedoni, e cila më vonë, sipas një skenari të menduar mirë, do të bartet në marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase, duke i përkeqësuar ato sa s’bëhet më. Kjo, vetëm sa e konfirmon edhe njëherë ndarjen etnike të vendit. Incidentet nuk kanë të ndalur, njëri pas tjetrit në Maqedoni.

Të parët ishin maqedonasit që rrahën nxënësit shqiptarë dhe ndonjë shqiptar kalimtar rasti, kurse të tjerët ishin pjesëtarët e policisë maqedonase ata që shkaktuan incidente duke shuar dhunshëm një proteste të shqiptarëve përpara ndërtesës së qeverisë në Shkup, ku pati edhe të lënduar dhe një duzinë të rinjsh shqiptarë që u arrestuan nga policia maqedonase. 
Por, ama kjo polici nuk ka ndaluar e as ka arrestuar dhunuesit maqedonas që shkaktuan më shumë incidente në autobusët e transportit publik kundër shqiptarëve. Protestat e shqiptarëve gjithmonë kanë qenë të qeta dhe janë drejtuar kundër dhunës, qoftë të grupeve të dhunshme të organizuara maqedonase, qoftë kundër dhunës së shfrenuar të policisë maqedonase kundër shqiptarëve. Edhe këtë herë janë rrahur kalimtarë të pafajshëm shqiptarë.

Këtu, nuk mungojnë edhe mediumet maqedonase, të cilat veprojnë sipas urdhrave të “pushtetit politik” dhe retorikën parazgjedhore e shndërrojnë në arenë përleshjesh ndëretnike. Jorastësisht, opozita maqedonase arriti edhe njëherë që të luajë me letrën më të rrezikshme të trazimit të nacionalizmit maqedonas duke inskenuar “rrezikshmëri” nga emërimi i një ministri “terrorist”, i cili nuk ka asgjë në duar dhe si me të si pa të, as do t’i humbasë e as do t’i shtohet ndonjë vlerë Maqedonisë. Dhe, për pasojë u rrahën fëmijët shqiptarë, kurse revolta e shqiptarëve u penalizua nga pushteti, i cili duke dashur ta ndalë jehonën e incidenteve maqedonase, filloi të arrestojë shqiptarë dhe hapur të manifestojë dhunë. Me ikjen nga temat shumë të rëndësishme, maqedonasit përfundimisht kanë vendosur ta lënë Maqedoninë të stagnojë dhe përfundimisht t’ia mbyllin rrugën e lëvizjes drejt BE-së dhe NATO-s.

Një kohë të gjatë mosmarrëveshjet etnike dhe tendencat nacionaliste nuk po hiqen e as po huqen nga skena politike në Maqedoni, sidomos kjo ndodh në kohë para zgjedhjeve.
Politikanët as të njërit e as të bllokut tjetër maqedonas nuk iu kanë sjellë ndonjë kënaqësi votuesve, për faktin se sapo kanë marrë drejtimin e pushtetit, kanë anashkaluar problemet që pllakosin vendin. Maqedonasi i kujdesshëm, ai i cili nuk bie pre e manipulimeve, asnjëherë nuk mund të jetë i kënaqur me Cërvenkovskin dhe Gruevskin me një ekonomi të dobët, me mungesë të vendeve të punës, pa reforma të nevojshme në polici, prokurori, gjykata, shëndetësi, arsim …”

Kjo nismë parazgjedhore nuk paralajmëron gjë tjetër veçse një rezultat zgjedhor që do të sjellë jostabilitet për vend dhe një segregacion edhe më të madh ndëretnik.
Edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE do të vazhdojnë të luajnë në kartën nacionaliste në fushatën zgjedhore, duke ikur nga tendenca për të kërkuar një pozicion tjetërfare në shtetin e përbashkët. Mbetet provokim i madh për shqiptarët në këtë drejtim mosnjohja e të drejtave kombëtare të shtetformimit shqiptar në Maqedoni.
Sondazhet për rezultatet paraprake flasin se zgjedhjet për pushtetin lokal pavarësisht nga blloku fitues maqedonas do të konfirmojnë mbetjen etnikisht të ndarë dhe mendimet lidhur me të ardhmen e Maqedonisë nuk janë shumë optimiste.

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë në duart e tyre pushtet. Pushtetin realisht e mbajnë maqedonasit dhe vendi mu për këtë arsye përherë është në një ngërç politik.
Mosbesimi reciprok ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonase është edhe për fajin e vetë elitës maqedonase, e cila i ka kontribuuar deri më tani kësaj të keqeje në Maqedoni, duke ndezur, sa herë që e do nevoja për të ardhur në pushtet, flakën e nacionalizmit maqedonas. Pothuajse, asnjë gjë që do të reflektonte në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike nuk është bërë. Edhe ato pak ligje që ofrojnë progres në marrëdhëniet ndëretnike janë frenuar, pa gjetur zbatim. 
Fundja, rindezja e nacionalizmit maqedonas dhe provokimet në rrugë dhe në institucione kundër shqiptarëve, sikur kanë për qëllim ta rindezin shtetin. Por, tani nëse ndodh edhe njëherë kjo, atëherë nuk do të jetë më në gjendje askush ta shuajë këtë zjarr. Kujdes, pa ra se të jetë bërë bërë vonë për gjithçka…

Lajme të ngjashme

Back to top button