Hitzfeld: Shaqiri, perfekt për Guardiolën

Ish-trajneri legjendar i Bayern Munichut, Ottmar Hitzfeld, tanimë trajner i përfaqësueses zvicerane, ka folur për yllin kosovar, Xherdan Shaqiri. Duke folur për të përditshmen zvicerane, ‘Blick’, Hitzfeld ka shprehur besimin e tij të plotë te Xherdani, duke thënë se paraqitjet e mira që ‘Shaqa’ pati këtë stinor me bavarezët, nuk duhet të shihen si befasi nga askush.

“Jo, nuk jam befasuar fare pasi i njoh shumë mirë aftësitë e Xherdanit. Ai ka një instinkt të klasit të lartë dhe është shumë i qetë kur e ka topin”, u shpreh Hitzfeld. Më tej, ish-trajneri i Bayernit ka theksuar se ajo që e bënë më të fortë Shaqirin, është trimëria dhe qetësia e tij në fushë. “Xherdani nuk është nervoz kur e ka topin. Pa marrë parasysh emrin e skuadrës që ka për kundërshtar, ai nuk ka frikë dhe është shumë i qetë në fushë. Ka një mentalitet që mund të përshtatet kudo. Mund ta krahasojë me Lukas Podolskin, i cili erdhi te Bayern si një supertalent, mirëpo dështoi sepse në çdo rast u bënte me nerva, dhe kjo nuk funksionon te Bayerni”, theksoi Hitzfeld.

64-vjeçari ka këshilluar Xherdanin që gjithmonë të synojë të jetë titullar, duke i bërë konkurrencë yjeve bavarezë si Robben, Ribery, Kroos apo Muller “Gjithmonë duhet të ketë synim për të luajtur. Një lojtar mund të parashikojë, mirëpo jo edhe ta zgjedhë kohën kur do të luajë. Gjithmonë duhet të luftojë për një synim të tillë”, tha ish-trajneri i Dortmundit.

Hitzfeld ka folur edhe për ‘epokën’ e Pep Guardiolas te Bayerni, që do të fillojë në qershor, duke thënë se Xherdani do të përshtatet për mrekulli në skemat e trajnerit spanjoll. “Lojtari që do të përshtatet më së miri në skemat e Guardiolas padyshim që është Shaqiri. Është lojtar i ri, teknikisht shumë i fortë, i shkathët dhe është i përkryer në mbajtjen e topit. Ai përshtatet në mënyrë të përkryer për skemat e Guardiolas, por tani gjithçka do të varet nga trajneri spanjoll”, bëri të ditur Hitzfeld.

Lajme të ngjashme

Back to top button