Rinia shqiptare nën vellon e vdekjes

Nëse dikush do të pyes se kush e mban botën me duart e arta, kush fiton kohën në prizmat modern, do të thoja vetëm rinia e shoqërisë ku jetojmë, sepse kjo moshë ka vullnet, ambicie, rreth të ngushtë dhe kolegjialitet. Jo më kot Migjeni ka thënë “Qeshu rini. Qeshu. Bota është e jotja”. Dhe ne, në bazë të kësaj teoreme pikante dëshmojmë qartë se në rruzullin tokësor duhet të dominon mosha e rinisë në politikë, arsim, ekonomi etj. Jemi koshient të asaj se çka po ndodh në Maqedoni, sa halle e probleme ka ky vend, pa emër, pa gjuhë, pa identitet, pa ligje të mirëfillta, me diskriminim, paragjykime, dhe mijëra stereotipe të tjera të cilat dashtë e pa dashtë njollosin zemrën e shqiptarëve dhe moshën më me vlerë, rininë. Mbushem me stres dhe me ofkëllimë kur vërej shumicën e rinisë nëpër dyert e botës duke u marrë me punë të ndershme dhe të rënda, herë herë edhe viktima të çastit. Edhe pse jetojmë në një vend tjetër, ne vërejmë nga larg atë rini të brishtë, rini të arsimuar nëpër fakultete të ndryshme dhe fundi askund…

Partitë politike shqiptare që funksionojnë në Maqedoni sikur duket kanë harruar se pas tyre kanë një forcë, do ta quaja mbinatyrore dhe të guximshme, e cila kërkon krahë të arrin diku larg, fundja pse jo në politikë. Por unë do të thoja “Drejtohuni rinisë, ata dinë gjithçka”. Nga ajo që vërejmë dhe dëgjojmë, një pjesë shumë e vogël e rinisë janë të përfaqësuara nëpër poste të partivë politike, deputetë, ministra, liderë, drejtorë. Kjo na brengos pa masë, sepse mosha më e pjekur kanë zënë vendet e tyre, vende të “mykura” të thuash që nuk pyesin për rininë se ajo mund t’ia arrin qëllimit për një agjitacion politik të mirëfilltë dhe me vlerë. 
Duhet të besojmë tek fuqia e njerëzimit e jo në moshat e thyera sepse fundja ne tani e kemi radhën të prosperojmë, të dirigjojmë me vendin dhe më gjerë. Nëpër partitë politike shqiptare hyjnë persona të “ndërgjegjshëm” të cilët posa zënë vendin për karrige as që mendojnë ta lëshojnë tjetrit, apo të diskutojnë për rininë e përvuajtur dhe inerte. 

Rinia shqiptare kohëve të fundit ka përjetuar barriera dhe kanë qenë protagonist të viktimave të proceseve antidemokratike, në këtë rast pse jo edhe fëmijët e ish ushtarëve të UÇK. Këta të fundit morën guximin dhe luftuan kundër regjimit sllav me shekuj të tërë dhe askush nuk mendon për gjënë më të shtrenjtë të tyre, fëmijët, rinia e këtij vendi. Askush nuk e vë dorën në zjarr dhe të thotë se rinia është ajo e cila duhet të jetë përfaqësuese e kontributit të jashtëzakonshëm të vendit. 
Më shqetëson fakti se shumica e të rinjve shqiptar vendosën të shkollohen jashtë për të qenë të zotë dhe të aftë për një të ardhme më të mirë personale dhe kolektive dhe mbetën jashtë edhe më tej, në saj të faktit se në Maqedoni nuk ka prosperim të vendit, nuk ka vende pune, as edhe një shpresë për një jetë të mirë dhe mbesin larg familjes dhe gradualisht kjo çon të asimilimin tonë, me vetëdije të plotë nga shteti dhe nga shqiptarët që janë ulur nëpër poste dhe bëjnë kokrrën e qejfit për interesat e tyre vetjake dhe egoiste.

Nga e gjitha kjo zymtësi dhe hipokrizi gjaku të bëhet ujë dhe nuk din ku të qëndrosh , si të jetosh, pse të jetosh, si të vendosësh për një ardhmëri të shëndoshë. Nuk duam shumë nga kjo jetë, por në kohë të fundit shohim vetëm një përfshirje të Djallit në shpirtin e të tjerëve që nuk na lënë së paku të marrim atë që meritojmë, një kulturë identike për barabarësi dhe mos diskriminim të rinisë. Sa për ilustrim rinia shqiptare ishte promotore e kulturës, historisë, traditës dhe virtyteve shqiptare, sepse pa rininë tonë nuk do ishim këtu ku jemi. Ne kemi guxim, integrim, kemi mbretëri të fjalës por si duket asnjë nga këto tipare nuk na i marrin për seriozitet. Në të gjitha partitë relevante vërejmë numër të vogël të rinisë shqiptare dhe kjo më brengos pa masë. Kjo dukuri na çon që rinia të deformohet në rini kafenesh, rini e shfrenuar duke mos pasur asnjë shpresë të tyre, dhe me ndenja indiferentizmi bëhen dembelë të shthurur duke u mësuar në atë se këtu nuk ka punë, në këtë vend nuk ka begati, në Maqedoni puna gjehet me Miq, në partitë politike duhet të kesh armë të fortë politike për të depërtuar etj ….Këto janë një morri fjalësh që nuk kanë fund dhe nuk kanë tezë kuptimplote por zgjidhja e gjithë kësaj është një pikëpyetje e madhe dhe dëshiron një fjali dëftore….

Interesat mediokre dhe mos kujdesi i tyre ,po na shfaqin një rini të pa përgatitur për karrierë në saj të mos interesimit për këtë rini, pra këtu mbizotëron kasapi ndërsa rinia është flijimi i tij, ose thënë thjesht kurbani i vendit, ndërsa partitë kanë formuar një shtyllë të amortizuar dhe nuk po japin lejen të futet edhe rrjeti i rinisë në këtë pushtet, të tregojë se edhe ne jemi pesë e botës, kemi mendje dhe tru të shëndoshë. Kështu arrihet në demokracinë që e presim më shekuj, kështu i thyhet UNI Gruevskit, kështu arrijmë në kompromis me vendin, vetëm kështu zyrtarizojmë unanimisht gjuhën shqipe, kështu rinia arrin, por e gjitha kjo është vetëm supozim dhe asgjë tjetër, një fllad ere që nuk zgjat shumë, venitet menjëherë dhe nuk vjen më, vjen pas disa kohësh kur ne nuk do të jemi kështu si jemi, kohëzgjatja të mbyt dhe rinia gradualisht po shuhet nga depresioni total i vendit. Për fatin tonë të keq, ende nuk kemi shpresa për një dritë në tunel, por ne jemi forca dhe psikoanaliza e gjithë kësaj, është vetëm durim dhe më pas do vjen eklispi për ata, dhe dielli për ne..

Lajme të ngjashme

Back to top button