Letër e hapur për Ramiz Merkon

Jetojmë në një kohë kur injoranca dhe mashtrimi mbisundojnë vyrtytet e çmuara njerëzore. Arsimi është arma më e fortë që u bën ballë sfidave,që forcon idealin, përmirëson imazhin, dhe mbi të gjitha, është shtylla bazë drejt emancipimit dhe krijimit të vlerave meritokratike, prandaj duhet ta ruajmë të margjinalizuar sepse rrezikon të shndërrohet në një kaos si pasojë e politikave të gabuara lokale dhe qeveritare.

Këshilli drejtues i shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor” në Strugë, duke pasur parasysh rregulloren dhe ligjin për shkollat e mesme dhe duke mbrojtur interesat e nxënësve të shkollës sonë, konstatoi se Vasil Maksimoski drejtor i kësaj shkolle, ka shkelur mbi parimet dhe normat juridike, andaj,me shumicë votash, miratoi propozoim-shkarkimin e drejtorit.

Megjithatë, Maksimoski edhe më tej qëndron në postin e drjetorit, pasi kryetari aktual i komunës Ramiz Merko nuk e shkarkoi atë me preteksin se gjoja është kohë zgjedhjesh dhe se shkarkimi i itij, gjoja, do të shkaktonte revoltë te nxënësit maqedonas.

Si kryetar këshilli ju pyes juve z. Merko dhe koordinatorin për shkollat e mesme se ku është përgjegjësia juaj dhe pse nuk funksionojnë institucionet përkatëse që ju drejtoni, pasiqë po ky drejtor për dy vite me radhë punon pa plan financiar të miratuar nga ana e këshillit drejtues të shkollës? Vallë nuk janë të nënçmuar dhe të revoltuar nxënësit dhe prindërit shqiptarë nga veprimi juaj i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm që në këto dy mandate si kryetar komune ju emëruat gjithësej 5 drejtorë maqedonas dhe asnjë shqiptar, duke harruar se mbi 60 % e nxënësve në këtë shkollë janë shqiptarë?!

Ju z. Merko para ambasadorit amerikan z. Riker na premtuat se do të merreni me çështjen e furnizimit me libra të nxënësve shqiptarë, për të cilën ju ngarkon edhe ligji si dhe premtuat se do ta largoni barakën e Boros e cila prish imazhin e shkollës, edhe pse nga gjyqi kishim vendim për largimin e saj, por nga këto premtime nuk realizuat asgjë.

Ne, si institucion përgjegjës, në emër të këshillit drejtues të shkollës së mesme profesionale “Niko Nestor”, zyrtarisht që 4 vite me radhë kemi kërkuar nga ju si pushtet lokal, nga Ministria e Arsimit si dhe Byroja për Zhvillim të arsimit, që nxënësit shqiptarë më 1 shtator të furnizohen me libra.

Me neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë tuaj në vazhdimësi keni diskriminuar nxënësit shqiptarë. Ju nuk e patë të arsyeshme madje të bëni edhe një vizitë të vetme në këtë shkollë (përveç vizitave për kokteje të organizuara në mënyr joinstitucionale).

A ndjeni përgjegjësi z. Merko për dëmin e shkaktuar procesit edukativo arsimor pasiqë për mbi 50 % të lëndëve mësimore nxënësit shqiptarë nuk kanë libra? Fatmirësisht që mësimdhënësit shqiptarë për ta plotësuar mungesën e librave nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre dhe kanë bërë që mësimi të vijojë në kornizat e normales.

z. Merko, edhe pse ju në vazhdimësi keni dëmtuar procesin arsimor në gjuhën shqipe, ngelim me shpresë se ikja juaj do të hapë rrugën drejt një procesi edukatvo-arsimor më cilësor, pasiqë ardhmëria e nxënësve tanë është imperativi kryesor i kohës.

Letër e hapur drejtuar z. Ramiz Merko nga kryetari i këshillit drejtues të SHMK “Niko Nestor” prof. Vezir Pollozhani.

Lajme të ngjashme

Back to top button