Tur-operatorë nga Shqipëria për vizitë në Maqedoni

Disa tur-operatorë nga Shqipëria gjenden për vizitë në Maqedoni. Qëllimi është të njoftohen me ofertat turistike dhe atraksionet të cilat i ofron vendi jonë, me theks të veçantë në turizmin e gjahut, peshkimin sportiv dhe turizmin alpinist.

Agjencia për investime të huaja dhe promovimin e eksportit kumtoi se tur-operatorët nga Shqipëria prej sot deri të premten do të vizitojnë disa lokacione dhe qendra turistike, kryesisht në rajonin e Ohrit (Shën Naumin, Parkun nacional Galiçicë dhe Burimet e Biljanës), në Mavrovë (Parkun nacional, lumin Radika dhe fshatin Jançe) dhe në Shkup (Rezervatin për gjah – Jasen dhe Kanjonin e Matkës).

Ata do të kenë mundësi të takohen dhe të këmbejnë përvoja me kolegët nga Maqedonia, shoqatën e gjahtarëve dhe peshkimit sportiv, si dhe të shijojnë ushqim dhe pije tradicionale.

Vizita e tur-operatorëve nga Shqipëria, është tradicionale dhe ka për qëllim ta rrisë interesin e turistëve për turizmin alpinist, gjahun dhe peshkimin sportiv në Republikën e Maqedonisë si dhe t’i zgjerojë mundësitë për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. Atë e organizon Agjencia për promovimin dhe mbështetjen e turizmit të Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Unionin e tur-operatorëve të Shqipërisë (UTOSH) dhe Asociacioni shqiptar për turizëm (ASHT).  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button