Kujt i duhen votat e te dëshpëruarve?

Këto zgjedhje lokale dallojnë nga të tjerat sepse konteksti i shoqërisë ku jetojmë ka ndryshuar shumë. Në rradhë të parë nuk është e vështirë të konstatohet se Maqedonia nën Gruevskin është njësoj si Hungaria nën regjimin e Orban, dallimi ndoshta qëndron tek detajet por mbi të gjitha në atë se Hungaria është shtet i BE ndërsa Maqedonia është ende shumë larg këtij vizioni. Në rastin e Hungarisë gjërat do ndryshojnë doemos, në rastin e Maqedonisë gjërat nuk ndryshojnë domosdoshmërish! 

Ky realitet të shtyn të mendosh se ndoshta konteksti politik i Ballkanit prodhon liderë të cilët demokracinë e përjetojnë si një regjim të cilin vetë dizajnojnë. Këtë liri vetpërcaktimi liderët e tipit të Gruevskit bëjnë që demokracinë ta shndërrojnë në shoqëri të mbyllur , energjia e së cilës duke mos pasur ku të kanalizohet, e përmbys shoqërinë në problemet e përsëritshme që më parë, konflikte ndëretnike, krizë ekonomike, korrupsion , diskriminim dhe frikë.

Fatkeqësia është se pala shqiptare në pushtet, sado e padëshiruar si partnere nga ana e Gruevskit, po bëhet pjesë shkaktare e këtij shkatërrimi duke qenë pjesëmarrëse në çdo projekt që kjo qeveri e nisi për ta dështuar. Mjafton të përmendi votimin e vazhdueshëm të çdo ligji i cili tregohet të jetë i papërdorshëm për shqiptarët.

Brengosja ime më e madhe është Komuna e Likovës dhe posaçërisht fshati nga ku vij unë , nga Sllupçani. Çdo parti shqiptare është e vetëdijshme për plagët e rënda që i  pësoi ky rajon e ky fshat gjatë konfliktit të 2001-isht. Është pothuajse i pakuptimtë mosangazhimi i BDI-së për të revitalizuar sadopak këtë rajon e posaçërisht këtë fshat, i cili dikur i ngjante vetës për ndryshe. Më besoni që në fshatin tim ende kanë mbetur gjurmët e granateve të 2001-isht që u hodhën në numër të madh mbi popullatën e hutuar dhe të pafajshme. Kjo popullatë ka mbetur ende e hutuar dhe ende e pafajshme sepse ende nuk e ka të qartë se çka ndodhi dhe si u përblua fati i tyre përmes konfliktit. 
Me besoni që shkolla e fshatit është e rrënuar dhe inekzistente , që shërbimi mjekësor është pothuajse i një shekulli dhe epokë të stërkaluar. Punësimi i fshatarëve as nuk është temë e ku më të bëhet realitet ose qëllim politik. Të rinjtë janë shndërruar në njerëz që enden kafeneve e çajtoreve pa pasur as edhe sensin më të vogël për kohën që iu ik para syve, jetojnë ende nga të hollat që kurbetçinjtë na i dërgojnë  prandaj ikin si azilantë lartë e poshtë qosheve të Evropës për t`u trajtuar si persona të padëshiruar dhe prandaj e të dëbohen me refuzimin më të madh. Femra e fshatit dhe tërë Komunës as edhe ‘’a’’ nga angazhimi i saj ne shoqëri nuk e ka përjetuar dhe madje nuk është dhe e edukuar ta projektoje vetën në një rol udhëheqës, së komunikimi ndërkufitar është shndërruar në traumatuk dhe jodobiprurës, se fshati po shndërrohet në një shtëpi masive të pleqve ku vetëm mendojnë në heshtje dhe flasin vetëm kur shajnë …

Ky është fshati im këtyre ditëve e 12 vjet pas konfliktit te 2001-ishit. Kujt ti adresohemi për ndihmë ? Kënd ta adresojmë si fajtorin? Nga kush të kërkojmë përgjegjësinë ? Nga vetja mbi të gjitha për ta pasur më lehtë që ta qortojmë të angazhuarin me politikë, sepse në vete e zgjedhim atë që më vonë të na përbuzë!

Këto dhe shumë pyetjeve të tjera njerëzit e fshatit tim kanë harruar t`jua japin përgjigjet! Heshtja e mundimshme dhe frika nga ballafaqimi me të vërtetën vetëm se vërteton se m`u në fshatin tim lexohet diktatura dhe regjimi populist i kësaj qeverie. Nuk jam unë i pari që kam konstatuar këtë , nuk do jem as edhe i fundit, por jam ndër ata që u mësuam të heshtim dhe te frikësohemi nga një frikë që po institucionalizohet tanimë jo në kohë lufte , por në kohe paqeje .

Zgjedhjet lokale 2013 , fshatin tim e gjejnë të dërmuar, të lodhur, të pashpresë! Kujt i duhen votat e të dëshpëruarve dhe të atyre që nuk janë të aftë më edhe të ëndërrojnë , le të urdhëroje në Sllupçanin 2013, ku ora ka mbetur e shtangur tani e 12 vite te gjata .

Lajme të ngjashme

Back to top button