Ana Kove, fituese në ‘Takimet Poetike të Karadakut 2013’

Mbrëmë pranë pendës së Likovës u zhvillua edicioni i XXI me radhë i manifestimit kulturor – letrar “Takimet Poetike të Karadakut”. 

Juria në përbërje Nazmi Beqiri, Sarë Gjergji dhe Bilall Maliqi, ndër krijimet më të bukura letrare bëri këtë përzgjedhje. Vendi i parë iu ndaj poetes Ana Kove nga Shqipëria për poezinë me titull “Lumturi në hije”, vendi i dytë poetit Ismail Baftjari nga Kosova për poezinë “Mesazh hapërimi”, dhe vendi i tretë u nda mes poetëve Ali Qerimi nga Maqedonia për poezinë “Jam vullkan në pleqëri” dhe Rexhep Abazi nga Medvegja për poezinë “Mos…”. 

Kryetari i klubit, Sevdail Demiri, tha se këto takime janë shenjë njohëse për Karadakun e Kumanovës e Likovës, dhe në këto dy dekada kanë krijuar imazhin dhe identitetin e vetë letrar-kulturor, bashkë me revistën “Doruntina” dhe botimet tjera të anëtarëve të klubit.  
 
Manifestimin e përshëndetën edhe zëvendësministri i Kulturës i Kosovës, poeti Hajdin Abazi (Lum Haxhiu), drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Shefqet Zekolli, etj.

Në këtë aktivitet letrar, morën pjesë afër 40 poetë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia.

Manifestimi tradicional me karakter mbarëkombëtar, organizohet nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë të Kumanovës “Jehona e Karadakut”, që nga 11 marsi i vitit 1992, në kujtim të demonstratave studentore të ‘81-shit në Kosovë.  /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button