Struga përgjegjësi e subjekteve politike shqiptare

Subjektet politike shqiptare në Strugë dhe më gjerë, janë zënë “gafil” nga kjo lëvizje e subjekteve politike maqedonase. Subjektet politike shqiptare,  për asnjë moment nuk mund të kërkojnë diçka nga elektorati i tyre, kur vetë sillen pa përgjegjësinë e duhur politike në situata kaq vendimtare. Ata do  të mbajnë përgjegjësinë politike, nëse nuk arrihen synimet politike dhe jo elektorati. Në këso situate në Strugë mbretëron mendimi, se këto subjekte duhet ta tejkalojnë veten, duke evituar mos durimin dhe inatet me të cilat karakterizohen.

Që kur Struga u kthye në kufijtë e saj natyral, pas ndarjes së fundit territoriale, kur iu bashkëngjiten komunat rurale të krijuara me ndarjen paraprake territoriale, struktura të ndryshme të  maqedonasve jo vetëm në nivelin lokal, por edhe atë qendror, me ngulm kanë ndërmarrë aktivitete për të penguar realizimin në praktik të kësaj ndarjeje. Kjo për faktin se Struga përsëri është Komunë me shumicë shqiptare, ashtu siç ka qenë gjithmonë.

Problematika

Sistemi pluralist demokratik, nuk lë hapësirë për emërime në  drejtimin e komunave ashtu siç kishin bërë maqedonasit me dekada të tërë me Strugën, edhe pse popullsia e saj shumicë ishte shqiptare. Madje, strukturat shtetërore në mënyrën më të pakuptimtë kishin fshehur përbërjen etnike të kësaj komune, duke  “bindur” veten dhe të tjerët, por asnjëherë shqiptarët, se popullata dërmuese e kësaj komune ishte maqedonase.

Kur e vërteta doli në shesh  dhe kur u lakuriqësua mashtrimi, maqedonasit kërkuan rrugë dhe metoda të tjera për të menaxhuar me Strugën, duke realizuar një ndarje të tillë territoriale, e cila  e kthente Strugën përsëri me shumicë maqedonase, nëpërmjet krijimit të komunave me shumicë shqiptare në disa  nga vendbanimet më të mëdha rurale shqiptare të saj. Kjo tendencë, ndërkaq, u pengua me ndarjen e fundit territoriale, e cila u projektua në Marrëveshjen e Ohrit, si kontribut për “veshjen” e shqiptarëve me pushtet, së paku në rrafshin vendor, i cili do të vinte pas një decentralizimi të programuar.

Nga ana tjetër, se qytetarët maqedonas nuk janë pajtuar me faktin që Struga po menaxhohet nga drejtues shqiptarë, është dëshmuar shumë herë këtyre  viteve të fundit. Madje, këtë shqetësim e ka shprehur, më se njëherë, edhe publikisht kryeministri aktual, Nikolla Gruevski, i cili kur ka komentuar konfliktet ndëretnike midis nxënësve shqiptarë dhe maqedonas, ka “argumentuar”, se ato janë rezultat i ndarjes territoriale, e cila e ka kthyer Strugën me shumicë shqiptare.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve vijnë edhe lëvizjet plotësisht legjitime të subjekteve maqedonase, për të aktualizuar edhe njëherë mundësinë e drejtimit të Strugës nga kryetar maqedonas, që kanë kulmuar me kandidimin me një kandidat të përbashkët për kryetar të Komunës së Strugës nga subjektet politike  maqedonase, të cilat ishin të armiqësuara së tepërmi, pas ngjarjeve në kuvend, kur deputetët e opozitës dhe gazetarët u nxorën me dhunë jashtë. Pra, edhe përkundër konfrontimit të skajshëm të subjekteve politike maqedonase, ata tejkaluan këto mosmarrëveshje dhe kandidojnë me listë të përbashkët këshilltarësh dhe me kandidatët të përbashkët për kryetar, gjë që e bën garën “shqiptaro-maqedonase”, për Strugën, më të ashpër se kurrë, kur të kihet parasysh se shqiptarët në këto zgjedhje do të kandidojnë me dy kandidatë për kryetar dhe me disa lista këshilltarësh.

 Përgjegjësia e subjekteve politike shqiptare

Subjektet politike shqiptare në Strugë dhe më gjerë, janë zënë “gafil” nga kjo lëvizje e subjekteve politike maqedonase. Pas këtyre zhvillimeve, opinion publik shqiptar në Strugë dhe më gjerë, duket i shqetësuar, sepse vihet në rrezik drejtimi i Strugës në katër vitet e ardhshme nga shqiptarët. ndërkohë që subjektet politike janë mjaftuar vetëm me disa deklarata të përfaqësuesve të tyre politikë, në të cilat ato thërrasin  qytetarët shqiptarë që të dalin  në mënyrë masovike në zgjedhje. Por, kjo mund të rezultojë e pamjaftueshme për të evituar “rrezikun” që mund të sjellë shpërndarja e votës shqiptare, në rrethanat e reja. Ndaj, dhe  këtu mbizotëron ideja që nuk është e mjaftueshme që vetëm qytetarët të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh, por që subjektet politike shqiptare të ngrihen në nivel të përgjegjësisë politike të mjaftueshme për t’i tejkaluar këto situata.

Subjektet politike shqiptare,  për asnjë moment nuk mund të kërkojnë diçka nga elektorati i tyre, kur vetë sillen pa përgjegjësinë e duhur politike në situata kaq vendimtare. Ata do  të mbajnë përgjegjësinë politike, nëse nuk arrihen synimet politike dhe jo elektorati. Në këso situate në Strugë mbretëron mendimi, se këto subjekte duhet ta tejkalojnë veten, duke evituar mosdurimin dhe inatet me të cilat karakterizohen.

Kjo,më tepër kur ata nuk e kanë problem të negociojnë me partnerët e tyre strategjik dhe jo strategjik jo vetëm për koalicionime, por edhe për çështje tjera dhe nuk denjojnë të ulen me rivalët e  tyre politik nga blloku politik shqiptar.

Lajme të ngjashme

Back to top button