Realitetin e dinë qytetarët

Në dy shkrimet e fundit, ,,Rufi Osmani VS Nevzat Bejta’’ dhe ,,Rufi Osmani, pse duhet votuar,e pse jo’’, dedikuar kandidatëve të mundshëm për kryetar komune në Gostivar, në pjesën e parë të tyre vërejmë një qasje neutrale për të analizuar dy kandidaturat kryesore që pretendojnë për të vazhduar, respektivisht për ta rikthyer mandatin në krye të Komunës së Gostivarit.  Në pjesën tjetër të shkrimit, neutraliteti dhe objektiviteti fillon dhe shndërrohet në romantizëm lirik dhe të ngjason se është shkruar në vitet e socializmit të hershëm, të tipit ,,Samari Magjik’’ ku protagonisti paraqitet si figurë heroike, me tiparet më të larta njerëzore dhe shoqërore dhe që nga paraqitja e tij, rrjedha e ngjarjeve do të kthehet në favor të fitores përfundimtare të luftës nacional-çlirimtare.
I vetmi defekt, ashtu si i romaneve të socializmit-romantik, autori harron elementin kryesor, lexuesin ! Në këtë rast, lexuesi i këtij shkrimi është çdo qytetar i komunës së Gostivarit, nga Strajani deri në Xhenavicë duke përfshirë të gjithë fshatrat dhe qytetin.

Tendenca për të paraqitur një realitet ndryshe nga ai që jetojmë, me fjalë tjera quhet fantazi. 
Duke mos dashur të zgjatemi  më tepër të analizojm stilin e shkrimit social-romantik të autorit do Ju sjellim në vëmendje vetëm disa momente kryesorë të rrugëtimit në krye të komunës nga kryetari aktual, Rufi Osmani dhe ai paraardhës Nevzat Bejta duke pasur në fokus gjithmonë lexuesin, pra qytetarin e Gostivarit.

Me ardhjen në krye të Komunës në mandatin 2005-2009 të Nevzat Bejtës filloi ndryshimi i vërtetë i qytetit dhe vendbanimeve rreth tij. Është fakt i pa-mohueshëm që gjendja në të cilën gjendet qyteti i Gostivarit sot, ndoshta pak më keq për momentin, është meritë e padiskutueshme e Nevzat Bejtës. Akuza kryesore që e ka ndjekur gjatë gjithë kohës ka qenë rrënimi i barakave dhe ndërtimeve pa leje në qytet, por pamja me të cilën sot krenohen qytetarët e Gostivarit për qytetin e tyre është meritë e rrënimit të këtyre ndërtimeve dhe rehabilitimi i atyre lokacioneve duke i shndërruar në hapësira të gjelbërta dhe pushimore për qytetarët e Gostivarit. Reformë jetike për qeverisje lokale  efektive ishte reformimi i administratës së komunës dhe ndërmarrjeve publike.

Janë vetë qytetarët dëshmitarë të shndërrimit të një administrate me tipare komuniste burokratike në një administratë me standarde evropiane në krye të detyrës për t`iu shërbyer qytetarëve me efikasitet dhe efektivitet. Funksionimi i ndërmarrjeve publike merreshin si shembull në nivel regjional për efikasitetin në punë, për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe përballjen me situatat e jashtëzakonshme natyrore, siç ishte pastrimi i rrugëve nga dëbora gjatë sezonit dimëror. Investimet kapitale në ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve dhe objekteve publike gjatë mandatit 2005-2009 në Gostivar u shndërruan në përditshmëri për qytetarët e Gostivarit dhe nuk paraqisnin ndonjë lajm të jashtëzakonshëm si sot.
Miratimi i planit gjeneral dhe më pas detal urbanistik për një periudhë të shkurtër kohore ishte hapi më i rëndësishëm që u ndërmor për legalizimin dhe hapjen e mundësive të reja për ndërtime familjare dhe të biznesit. Përkrahja financiare e evenimenteve kulturore u shndërrua në traditë dhe ishte periudha e ringjalljes së jetës kulturore në qytet. Arsimi në shkollat publike kapte majat në disiplinë, punë dhe rezultate personale dhe kolektive. Duke mos u zgjatur më tepër mund të konkludohet vetëm se, Gostivari 2005-2009 ishte periudha e ndryshimeve, reformave dhe zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor me rezultate konkrete të cilat edhe sot e kësaj dite janë evidente nga do që të sillesh. 

Paralajmërimi se Rufi Osmani do të kthehet në jetën politike duke garuar për kryetar komune në Gostivar u prit plot eufori nga të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.  Euforia lidhej kryesisht me dy elementë të pakontestueshëm, e para, ngjarjet e 1997 në Gostivar dhe e dyta, mungesa e një opozite të mirëfilltë shqiptare në Maqedoni. Rikthimin plot bujë në skenën politike Rufi Osmani e menaxhoi plot mjeshtëri ( i ndikuar edhe nga momentet e politikës globale ku gjithandej paraqiteshin figura të reja politike duke premtuar ndryshim) duke personifikuar veten me ndryshimin. Oferta e tij më shumë ishte romantike se sa reale dhe e përshtatur për implementim praktik.
E gjithë kampanja, ashtu si edhe sot, u fokusua në akuza të rënda dhe ofendime politike për strukturën e atëhershme udhëheqëse dhe në premtime të fuqishme për ndryshimin e funksionimit të jetës politike në Komunë, duke premtuar mbarimin e praktikës të hakmarrjes politike, luftë të fuqishme kundër korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizmit, de politizimin e arsimit dhe reformimin e ndërmarrjeve publike e ndjekur nga investime infrastrukturore dhe politikë të fuqishme për zhvillim ekonomik lokal, duke e vendosur në rolin dytësor përkrahjen nga  qeveria qendrore dhe duke u mbështetur në thithjen e fondeve dhe investitorëve nga bota e jashtme. Por cila është gjendja faktike sot në Gostivar? 

Me marrjen e karriges së kryetarit të Komunës, Rufi Osmani, filloi zbatimin e një politike diametralisht të kundërt nga ajo që kishte premtuar. Në ditët e para filloi me hakmarrjen politike duke larguar nga puna 6 administratorë komunal që ishin pranuar në kohën e paraardhësit të tij dhe zëvendësimin e tyre me militantë të tij. Largoi nga puna mbi 70 arsimtarë dhe profesorë të cilët ishin në prag të fitimit të vendimeve për punë dhe i  zëvendësoi po ashtu me anëtarë të formacionit të tij politik të cilët shpesh edhe nuk ishin adekuat për lëndët të cilët ligjëronin, me raste edhe ende të padiplomuar. Vitin e fundit, kjo hakmarrje përfshiu edhe 20 profesor të tjerë të cilët shumica janë afër pensionit dhe të njëjtët u zëvendësuan me kuadro pa përvojë !

Në dukje të parë lufta kundër korrupsionit,nepotizmit dhe familjarizmit dukej e fituar por në realitet Komuna edhe sot e kësaj dite është e mbushur me raste të familjarizmit në relacione babë-djalë, vëlla-motër, dajë-nip dhe të ndryshme. Për tre vite mandat, akuza kryesore dhe mbulesa për mos kryerjen e investimeve ishte borxhi i trashëguar. Nga ana tjetër mburrja kryesore gjatë vitit të fundit dhe kampanjës për katër vitet e radhës janë 20 milion euro mjete financiare të siguruara nga institucione ndërkombëtare, por a janë të gjithë grande të pakthyeshme ?! Një moment mjaft i rëndësishëm për këtë sferë  na paraqitet edhe tërheqja  e reitingut kreditor nga MOODY`s dhe arsye kryesore qëndron në jo-profesionalizmin nga ana e Komunës së Gostivarit, ndërsa kjo e fundit i mëshonte me të madhe si arritje historike për komunën dhe kryetarin e saj (kërko në www.moodys.com) !  

Ashtu siç është përmendur edhe nga vetë kryetari, ato janë grante (të pakthyeshme) por ka edhe  kredi të destinuara për projekte konkrete me afat të gjatë të shlyerje dhe me normë të volitshme të kamatës të cilat në gjuhën popullore quhen borxh dhe pavarësisht afatit të shlyerjes ato mjete do duhet të paguhen nga qytetarët e Gostivarit në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme. Ajo që ka spikatur më shumë në sytë e qytetarëve janë investimet në sanimin e rrugëve dhe trotuareve me bekatonka, shumë bekatonka.
E vërteta e trishtë për qytetarët është se pas kryerjes së atyre punëve qëndron dhëndri i Kryetarit dhe kjo vë në dyshim të madh betejën e tij me korrupsionin, nepotizmin dhe familjarizmin. Historia e reformimit të ndërmarrjeve publike fillon me tragjik-komedinë ku në krye të NP ,,Komunalec’’ u emëruan në mënyrë absurde 4 drejtorë, për të vazhduar në ditët e sotme si vendi ku takohen aktivistët e RDK-s një herë në muaj për të marrë rrogën mujore prej 6000 den, pa sigurim shëndetësor dhe pensional dhe pa kryer asnjë punë tjetër veç aktivitetit politik në rrjetet sociale duke ofenduar dhe akuzuar konkurrentët politik. Për të qenë edhe më e dhimbshme, detyrat që duhet të kryej kjo ndërmarrje, janë lënë në dorë të Zotit, ku qytetarët e Gostivarit presin për katër vite me radhë, sa herë që bie borë atë ta shkrij dielli sepse nga Kryetari dhe NP ,,Komunalec ‘’ kanë ngritur duart. Sa për investimet infrastrukturore, nuk do zgjatem aspak nga që edhe ato pak rrugë që u shtruan në 5-6 muajt e shkuar për qëllime elektorale nuk arritën ta presin as fillimin e kampanjës zgjedhore.

Sa për zhvillimin ekonomik lokal, jo që nuk u ndihmua në asnjë formë por ai shpesh herë edhe u pengua. Më shumë se 50% e xhirollogarive të bizneseve të vogla dhe të mesme u bllokuan për të bërë pagesën e dhunshme të tatimeve ndaj komunës, të cilat në të shumtën e raste edhe ishin vjetruar dhe shlyer si detyrime duke qenë më të vjetra se 5 vjet.  Asnjë mega investim nga investitorë të jashtëm apo të brendshëm dhe asnjë taksë e reduktuar  për të ndihmuar biznesin. Bashkëpunimi publiko-privat u bë histori në vete duke fituar tenderin e furnizimit me lëndë djegëse për institucionet publike një kompani nga Strumica e Maqedonisë Lindore, politikë të cilën vetë kryetari i Komunës në cilësinë e kreut të partisë së tij me shumë energji e kritikon kundër kandidatin e tij dhe partinë shqiptare në pushtet.  

Dhe në fund për koalicionin e famshëm, TDP-RDK. Nuk ka pasur asnjëherë mungesë të respektit të ndërsjellët mes këtyre dy etniteteve siç mundohen të na paraqesin dhe në asnjë moment në aspekt etnik nuk kritikohet ky bashkëpunim. Kritika qëndron në ,,pazarin’’ e bërë dhe kapacitetin politik të RDK-së ku u dëshmua apetiti i tej skajshëm për pushtet dhe mos korçarja për interesat kombëtare. Nuk ka arsyetim dhe argument që do të qëndronte në krah të Kryetarit aktual se është vepruar drejt duke shitur 20 000 shqiptarët e komunës së Vrapçishtit që përbëjnë 85% të popullsisë në atë komunë si  kompensim për 2000-3000 votat e komunitetit turk që jeton në Gostivar vetëm për të qëndruar në karrigen e kreut të Gostivarit. Kjo nxjerr në pah kapacitetin negociues të tij për çështje madhore që tangojnë shqiptarët dhe vë në pikëpyetje se çka do të kompensonte për të qenë pjesë e pushtetit qendror.   

Ka edhe shumë punë të tjera për të cilat nuk ndjejmë nevojë që ti  potencojm nga që qytetarët e Gostivarit i ndjenë vetë në lëkurë të tyren dhe nuk kanë nevojë për shkrime dhe përalla se si është përditshmëria në qytetin e tyre.  

Realiteti shpesh herë  është i trishtë, por po u munduam ta mbulojmë jo që nuk do jemi në gjendje ta pranojmë asnjëherë dhe do jetojmë në ëndërr, por nuk ka gjasa as ta përmirësojmë. 

Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim

Lajme të ngjashme

Back to top button