Topi: Berisha si Lukashenko dhe Asad

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi një takim me të rinj të Qarkut të Tiranës në kuadër të organizimit paraelektoral. Topi, duke iu referuar ngjarjeve të seancës parlamentare tha se Parlamenti shqiptar është i mbërthyer prej orësh nga politika e vjetër, e cila mban akoma peng Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ndërsa Kryetarja e Kuvendit ka përgjegjësi direkte për institucionin që drejton dhe gjithçka që ndodh atje dhe nuk është thjesht një moderatore që hap mikrofonat kur flasin njerëz të plotfuqishëm dhe i mbyll ato kur flasin të tjerët”, tha Topi.

“Situata politike në vend i ngjan një drame të vërtetë shqiptare, ku partitë të cilat nuk kanë komisionerë dhe më së shumti qytetarët, pyesin se ku do të shkojë vota e tyre. Ky fakt përbën një pasiguri të madhe për të ardhmen e të rinjve dhe se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re që nuk ndërton e zhbën KQZ-në për interesat e dy individëve”, vijoi kreu i FRD-së.

Duke akuzuar Berishën se nuk dëgjon këshillat e ndërkombëtarëve, Topi tha se politika e tij është si ajo e Asadit dhe Llukashenkos. “Diferenca në moshë mes Kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij sa vjen dhe rritet, duke u ardhur radha nipërve të tij. Kjo, për arsye se Berisha në rrugën e tij politike ka eliminuar kundërshtarët politikë dhe ka prishur rregullat e lojës”, tha Topi.

“FRD-ja është një forcë serioze që nuk shitet në ankand politik, por e sheh politikën si një rrugë të realizimit të demokracisë. FRD-ja është një parti që i konsideron institucionet që prodhohen nga Kuvendi jo me projeksion politik, por në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Ndërkaq, deputeti i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, deklaroi se ai do të votojë kundër shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho./Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button