Rama: Manovrat e Saliut s`do mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve

Kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar sot se ajo që ndodhi dje në Parlament është një goditje për opozitën, ligjin, zgjedhjet por edhe për Shqipërinë në sytë e miqve dhe partnerëve ndërkombëtar.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama vlerësoi edhe mesazhet që ka përcjellë në Tiranë përfaqësuesja e lartë e BE-së Chatherine Ashton.

“Dua ti shpreh mirënjohjen përfaqësues së lartë të BE-së dhe për mesazhet e forta që solli në Shqipëri dhe elegancën e admirueshme që i përcolli. Ajo që ndodhi dje në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka goditur Kushtetutën, ligjin, KQZ, zgjedhjet, por vendin në sytë e miqve dhe partnerëve, të cilët e kanë paralajmëruar qoftë përpara e më pas qeverinë për pasojat e atij akti brutal, një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë me pushtetin falë një grushti mercenarësh” tha Rama.

Ai ka shtuar se seanca e djeshme e Kuvendit është një fotokopje e asaj të marsit të 97-ës të zgjedhjes së presidentit.

“Seanca e djeshme nga ana e qeverisë së shumicës përbërë nga deputetë e ndjekin në mënyrë të verbër e nga mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit ishte fotokopje e seancës së zgjedhjes president në mars të 97 për nga hapësira e izoluar qoftë së brendshmi e së jashtmi në të cilën zhvillua. Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa asnjë aleat serioz” tha Rama.

Kreu i PS-së, Edi Rama, duke e cilësuar vendimin e djeshëm në Kuvend shkatërrues për imazhin e vendit në sytë e botës e partnerëve ndërkombëtare ka deklaruar se me gjithë manovrat e kryeministrit nuk ka asnjë shans për ndryshimin e fatit të zgjedhjeve dhe votës plebishitare të 23 qershorit.

“Edhe sikur në shtëpi t’i numërojë votat Berisha, ai do të largohet nga pushteti me votë plebishitare, të cilën nuk e mbyll dot në kuti, bashkë me vendin e të ardhmen e saj. 23 qershori është dita ku Shqipëria do të vendosë dhe asgjë nuk do ta ndal dot në vendimin e vet sovran” tha Rama.

Rama ka deklaruar më tej se për opozitën nuk ka asnjë ngurrim pasi e ka ditur se kë ka përballë.

“Tani e dinë qartë të gjithë ata që e ushqenin ndonjë iluzion se kë ka vendi në qafë, jemi më të fortë si asnjëherë më parë dhe manovrat e Saliut s’kanë shans të ndryshojnë fatin e zgjedhjeve” tha kryesocialisti.

Ai shprehu mirënjohje për SHBA dhe BE për qëndrimin e qartë ndaj marrëzisë së Saliut me KQZ e delegjitimuar mes aktit të njëanshëm që ka hapur gropën ku do të prehet me turp pushteti i tij./Ora News/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button