Votimi në Parlament: PD rimerr shumicën në KQZ me ish-deputetët e PS

Pas 12 orësh debat në Kuvend, maxhoranca liroi nga detyra anëtarin e KQZ-së, Ilirian Muho dhe emëroi Klement Zgurin.

Por, ashtu siç pritej, tre deputetët socialistë, tashmë të pavarur në Kuvend, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, bashkuan votat me qeverinë duke bërë maxhorancën e duhur për miratim.

Edhe deputeti i pavarur Dritan Prifti dha votën e tij pro, siç dhe kishte deklaruar më parë. Sapo kryetarja e Kuvendit hapi votimin dhe kërkoi prezencën e deputetëve në Kuvend, opozita braktisi votimin, duke u pozicionuar para kolegëve të tyre tashmë të pavarur.

Ata u përpoqën që të bllokonin pjesëmarrjen e tyre në votim. Ky ka qenë vendim i Grupit Parlamentar socialist i konfirmuar dhe dje në mëngjes para nisjes së seancës gjatë një mbledhjeje të deputetëve.

Gazmir Bizhga, Sajmir Tahiri, Ilir Bejtja, por dhe Fatmir Toçi, Agim Leka e Taulant Balla u kanë kërkuar me forcë ish-deputetëve të PS që të largoheshin nga salla. Më imunitarë nga ky presion i deputetëve ishin deputeti i Lezhës, Kadeli dhe ai i Kukësit Dogjani, të cilët askush nuk guxoi që t’u afrohej për t’i kërcënuar.

Ndërsa më të papërmbajtur kolegët socialistë ishin me Kastriot Islamin, ndaj të cilit u desh ndërhyrja e Gardës për të shuar konfliktin.

Deputetët socialistë janë larguar në fund nga salla, ndërsa kolegët e tyre vazhduan votimin.

“Kjo është PS e dhunës. Zoti Dogjani, faleminderit që s’pyt fare nga presioni që iu bë dhe këtu tregohen burrat nga ata që janë intrigantë, ashtu siç di me ba vetëm ai, i pabesë, hileqar, kërkon të godasë dhe ikën”, tha pas votimit Topalli.

Por, kryetarja e Kuvendit kërkoi pas seancës mbledhjen e Byrosë Parlamentare dhe marrjen e masave ndaj deputetëve që kërcënuan.

“Në unanimitet, Byroja e Kuvendit, mbështetur në nenin 65, pika 2 të Rregullores vendosi ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancës plenare dhe në komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri 14 ditë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Pas votimit, Kryeministri Berisha vlerësoi votën e tre deputetëve socialistë.

“Unë do t’ju jem mirënjohës këtyre tre burrave, që me shkallën më të lartë vendosën që të rivendosin maxhorancën në këtë vend, sepse maxhoranca nuk ishte. Morën një vendim burrëror dhe të përgjegjshëm. Por, kolegët e tyre i kërcënuan ata në mënyrë të papërgjegjshme.

Unë ju garantoj ju se PD është dhe mbetet për një bashkëpunim afatgjatë me ju”, tha Berisha pas votimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button