Punësimet: Merita partiake, vizë për t’u futur në shërbimin shtetëror?

Institucionet shtetërore përsëri u hapën për punësime të reja. Paralajmërimi i qeverisë se do të punësohen 1.600 të papunësuar, nga komuniteti i biznesit u prit me një dozë të rezervimit ndërsa ekspertët hapin disa dilema. A do të zbatohet kjo “valë” sipas çelësit partiak? Kush do të garantojë për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë gjatë punësimeve? Dhe në fund – prej ku do të sigurohen paratë e reja buxhetore për financimin e nëpunësve të rinj në gjendje kur ekonomia është në krizë dhe të hyrat buxhetore prej ku financohen rrogat – janë më të ulëta se sa ato që janë pritur?

Derisa qeveria dërgoi sinjal të shpresës deri te grupet e lëndueshme të qytetarëve që janë pa punë, sociologët dyshojnë se kjo masë është gjithçka, vetëm jo “sociale”. Kjo masë nuk është diçka që duhet të lavdërohet ose t’i gëzojë më të rinjtë në vend, thotë për “Portalb”-in, profesoresha universitare Tatjana Stojanovksa Ivanova, duke e sqaruar dukurinë e “mbushjes së administratës me çdo çmim”.

“Konsideroj se bëhet fjalë për punësime partiake dhe etnike. Ky koncept në fakt nuk do të thotë dhe nuk do të sjellë as kualitet më të madhe e as shkallë më të lartë të efikasitetit, sepse gjatë këtyre punësimeve nuk kërkohen kandidatët më të mirë dhe më kompetentë, por ato bëhen ekskluzivisht sipas çelësit partiak – ky është prioritet dhe bazë për të siguruar punë shtetërore” – sqaron profesoresha Ivanova.

Qeveria i publikoi këto 1.600 punësime të reja me arsyetimin se në këtë mënyrë do t’u ndihmojë personave nga kategoritë e familjeve të lëndueshme.

“Qëllimi i kësaj mase qeveritare është t’u ndihmohet këtyre njerëzve, t’u mundësohet të dalin nga varfëria dhe të sigurojnë ekzistencë për fëmijët e tyre” – deklaroi ministri për financa Zoran Stavrevski.

Punësimet në administratë janë në kundërshtim me fushatat e qeverisë për stimulim të biznesit privat, potencojnë ekspertët.

“Ajo që duhet bërë, e nuk bëhet është stimulimi i të rinjve për të hapur bizneset e veta. Mu biznesi privat nënkupton që ai që është i aftë ta japë maksimumin nga vetja për të realizuar profit. Paratë buxhetore destinohen gabimisht, dhe me veprimet e këtilla dërgon sinjal se dikujt diçka i jepet në “tepsi”  – vlerëson profesoresha Ivanova.

Sipas të dhënave më të fundit që janë në dispozicion (deri më 31 dhjetor 2012) nga Agjencia për punësim, numri i të papunëve ka qenë 243.403 persona. Prej tyre 165.792 persona janë maqedonas, ndërsa të dytët për nga përqindja e papunësisë janë shqiptarët me 51.413 persona të papunësuar.   

Institucionet shtetërore mbushen – buxheti zbrazet!

Që t’i financojë këto 1.600 punësime, qeverisë do t’i duhet nga rreth 8 milionë euro për çdo vit. Shuma që do të duhet të paguhet do të precizohet në mënyrë plotësuese pasi të përfundohet lista me të punësuarit e rinj, gjegjësisht pasi të dihet se kush, çka dhe në çfarë pozite do të punojë në shërbimin shtetëror.

Me këtë veprim, në mënyrë plotësuese fryhet shuma për rroga të administratës, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë është e financuar nga sektori privat dhe nga qytetarët nëpërmjet tatimeve.

Në nivel vjetor, vetëm për rroga dhe kompensime harxhohen rreth 380 milionë euro. Kjo përqindje është në rritje të vazhdueshme.Vetëm gjatë pesë viteve të fundit shuma për rroga dhe kompensime u rrit për ppthuajse 10 milionë euro.

Rroga dhe kompensime
Viti 2013                           375 584 415 ?uro
Viti 2008                           373 642 276 ?uro 

Por, megjithatë, kjo nuk është shuma përfundimtare për financimin e administratës. Nëpërmjet linjës buxhetore “shërbime plotësuese”, e cila në nivel vjetor arrin edhe deri në 400 milionë euro, financohen marrëveshjet e popullarizuara në vepër. Para dy vitesh, Komisioni Evropian i dërgoi vërejtje serioze qeverisë për këtë model të mbushjes së administratës.

Me një koncept të këtillë, në mesin e vitit 2010, 5.000 të punësuar të përkohshëm u transferuan në punësime të përhershme.

Akuza të ashpra atëherë bëri edhe opozita maqedonase dhe ajo shqiptare. Partitë opozitare shqiptare këto punësime i vlerësuan si anti-shqiptare dhe në kundërshtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase theksonte se bëhet fjalë për një valë të re të partizimit të aparatit shtetëror.

Vitin e kaluar, në periudhën prej mesit të vitit, qeveria hyri në operacion për punësim “të përkohshëm” të 4.000 personave – kryesisht u shpërndanë në ndërmarrjet komunale dhe ato publike. Vlerësimet ishin se këta njerëz buxhetit do t’i kushtojnë 1,5 milionë euro.

Sa dhe si, 1.600 të punësuarit e rinj të administratës do ta përforcojnë kapacitetin e aparatit administrativ – mbetet çështje e hapur për të cilën tani për tani nuk ka mekanizëm nëpërmjet të të cilit mund të bëhet ndonjë vlerësim. Sa të punësuar ka administrata? Kjo pyetje mbetet nën vellon e “fshehtësisë shtetërore”, kështu që në mungesë të të dhënave zyrtare, spekulohet me një numër deri në 140.000 të punësuar.

Aneta Dodevs?a, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button