Anëtari i KQZ, Arvizu: Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, i dëmshëm

“Ky është një apel shumë bazik që kemi bërë. Ndryshimi i rregullave në mes të lojës dhe procesit është saktësisht mënyra e gabuar për të krijuar besimin e njerëzve, jo vetëm tek rezultati i zgjedhjeve, por dhe në mënyrën si po zhvillohet procesi”.

Kështu deklaroi sot ambasadori i SHBA në Shqipëri, Alexandër Arvizu lidhur me interesimin e mediave mbi procesin e zëvëndësimit të anëtarit të LSI në KQZ, pas një kërkese të Partisë Demokratike.

E ndërsa Kuvendi zhvillon në seancë plenare diskutimin për të vazhduar me votimin për zëvëndesimin e anëtarit të LSI në KQZ, Ambasadori Arvizu pas një seminari mbi personat me aftësi të kufizuara komentoi për mediat lidhur me këtë situatë politike.

Ai vuri në dukje rolin e KQZ për organizimin e zgjedhjeve duke bërë thirrje që të respektohet pavarësia e këtij institucioni. “KQZ-ja ka përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, KQZ është formuar dhe riformatuar dhe ligjërisht, është institucioni përgjegjës për zhvillimin zgjedhjeve.

Dhe për këtë arsye është e rëndësishme të respektohet pavarësia e këtij institucioni. KQZ duhet të jetë e lirë nga ndërhyrjet e ndonjë individi apo ndonjë tjetri”.

Sipas Arvizu, lëvizja e LSI krijoi rrethana të ndryshme si dhe ndryshim të kushteve. “Në momentin që LSI u tërhoq nga koalicioni qeverisës dhe u pozicionua me PS, kjo ka krijuar ndryshme rrethanash, rrethana të ndryshme përfshirë dhe 89 KZAZ-të.

Dhe kur flas për kushtet e ndryshuara, për këtë bëhet fjalë. Por pozicioni i SHBA është se KQZ siç është e përbërë aktualisht ka jo vetëm kapacitetin, por dhe përgjegjësinë të trajtojë çëshje që do ngrihen nga administrimi i zgjedhjeve.

Dhe kjo sigurisht përfshin, por nuk kufizohet vetëm me KZAZ-të, me pak fjalë, struktura ekziston që KQZ-të të bëjë punën e saj. Qartazi do ketë nevojë për diskutime dhe ky është thelbi i çdo demokracie funksionale. Kjo në fakt ndodh në çdo demokraci”.

Sipas ambasadorit amerikan të akredituar në vendin tonë, ndërkombëtarët duan nga Shqipëria vetëm një gjë, që institucione, si qeveria apo opozita të krijojnë dhe rrisin besimin e njerëzve tek zgjedhjet e lira e të ndershme.

“Dhe pika e fundit që do doja të thoja është se, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, pika që ne kemi theksuar gjithmonë është një apel ndaj gjithë institucioneve, atyre që janë në qeveri dhe atyre në opozitë. Që të veprojnë në mënyra që të rrisin besimin e njerëzve.

Besim jo vetëm në rezultat, por dhe në mënyrën si do realizohet procesi. Ky është një apel shumë bazik që kemi bërë. Ndryshimi i rregullave në mes të lojës dhe procesit është saktësisht mënyra e gabuar për të krijuar besimin për të cilin po flasim”.

I pyetur “A është e drejtë të thuhet që PD-ja ka kapërcyer vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës, siç sapo e thatë? Dhe ky ndryshim, a do t’i dëmtojë zgjedhjet e ardhshme, si e shikoni këtë zhvillim?, Arvizu u pergjigj, “nuk mendoj që askush do donte ta vendoste Shqipërinë në një kurs përplasjeje me SHBA dhe bashkësinë ndërkombëtare sepse qëllimi dhe objektiva janë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Se gjithçka ka lidhje me procesin dhe jo aq me rezultatin”./BalkanWeb/

Lajme të ngjashme

Back to top button