Pritja e Tarçullovskit tregon se vrasësit e shqiptarëve janë hero për maqedonasit?

Pritja madhështore që ju rezervua të akuzuarit për krime luftë Johan Tarçullovskit, i cili nga gjykata e Hagës u shpall fajtor për vrasjen e civilëve shqiptar në fshatin Luboten gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni është parë me sy kritik veçanërisht nga opinioni shqiptar por jo vetëm.

Shumë analistë por edhe qytetarë të tjerë kanë shprehur qëndrimin negativ ndaj pritjes që qeveria e Maqedonisë i rezervoi një krimineli.

Profesoresha Biljana Vankovska vlerësoi se mënyra e pritjes së Tarçullovskit ishte perverse, pasi bëhet fjalë për një të akuzuar për vrasje i cili del nga burgu, ndërsa i rezervohet një pritje e një heroi.

“Ky veprim i qeverisë është një akt pervers, pasi bëhet fjalë për një të akuzuar për vrasje i cili mbaron burgimin. Maqedonia është shoqëri e ndarë andaj secili qan mbi varrin e tij dhe e madhëron të tijin” vlerëson Vankovska e cila në rrjetet sociale është kritikuar ashpër nga qytetarët maqedonas për qëndrimet e saja për këtë çështje.

Prof.Dr Qashif Bakiu thekson se veprimi i qeverisë së Maqedonisë për pritjen e Tarçullovskit dëshmoi edhe një here tregon konceptin dhe qasjen e kësaj qeverie jo vetëm për rastin e Lubotenit por në përgjithësi për raportin me shqiptarët.

“Pritja protokollare e një njeriu që me vendim të një gjykate ndërkombëtare është shpallur fajtor për krime ndaj qytetarëve civil tregon konceptin dhe qasjen e kësaj qeverie jo vetëm për rastin e Lubotenit por në përgjithësi për raportin me shqiptarët. Nga gjithë kjo pritje madhështore më len të kuptoj se gjithkush kush vret shqiptarë për këtë qeveri është hero dhe për këto vepra duhet të shpërblehet” thotë ai.

Bakiu thotë se shqetësues dhe i pakuptimtë është fakti se partitë shqiptare po heshtin përpara kësaj që po ndodh, ai vlerëson se të paktën nga një reagim duhej të kishte nga partitë e opozitës të cilat duhej të shpërthenin në këtë situatë.

“Më habit fakti i heshtjes nga partia shqiptare e cila doli pikërisht nga pala shqiptare në luftë – UÇK. Më habit qëndrimi i heshtjes edhe pse ky manifestim paguhet edhe nga taksapaguesit shqiptarë. Ndërkaq nuk arrij ta kuptoj as mos reagimin e partive shqiptare në opozitë, të cilat në momentet ekëtilla duhet të jenë eksplozive” përfundon Bakiu prononcimin për Portalb.mk

Qytetarët shqiptarë përmes rrjeteve sociale festën e qeverisë për lirimin e Tarçullovskit e kanë konsideruar si një vrasje të dytë për banorët e Lubotenit në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button