Gjahtar dhe gjah

Keni shijuar ndonjëherë kënaqësinë e të qenit gjahtar, ndjekjen e gjahut këmba-këmbës deri sa përfundimisht ta futni në dorë, ta keni nën këmbë, nën kthetrat tuaja të mëshirshme?

Sigurisht që duhet të keni bërë qoftë edhe një përpjekje të vogël, sepse, fundi i fundit, është profesioni më vjetër i krijesës njerëzore, zeja që i ndihmoi njeriut të mbijetojë në këtë planet të bukur e joshës të mbarsur me mijëra bukuri e me miliona rreziqe.

Gjueti…! Natyrisht, nuk është vetëm zeje e vjetër sa edhe vetë njeriu, por edhe art në vete, mbase arti pararendës drejt zhvillimit të homo estetikusit (krijesës tokësore me shije estetike). E ç’duhej të bënte i gjori njeri, të cilit, fatkeqësisht, i mungonin shpejtësia e leopardit, përmasat e elefantit apo flatrat e shqiponjës, pos që të ngrinte kurthe, të zinte prita, të përgatiste me pasion gracka me çarqe e leqe për të mbajtur gjallë llojin e vet, të thurte projekte të mbështetura gjithmonë mbi një plan të sofistikuar operativ me atë zellin e tij të pashembullt? Metodat dhe stili i përdorur do të vareshin patjetër nga lloji i gjahut.

Qëndrimi dhe kacavjerrja nëpër pemë kërkonte zhdërvjelltësinë e majmunit dhe zakonin e vegjetarianit, e njeriu, si grykës i dëshmuar, ishte e pakuptimtë të duronte pa shijuar qoftë edhe një thelë mishi, sigurisht të papjekur e të pazier në fillim, dhe, të prerë, të vluar, të skuqur e të bluar më vonë. Akrobacia e trurit triumfoi mbi akrobacinë e trupit. Sidoqoftë, u bë i zgjuar nga nevoja fakmani, po pak edhe nga dëshira e sëmurë apo aventurat pa fre.

Gjeti njeriu i arsyeshëm formulën magjike të mbijetesës, njëkohësisht, edhe kënaqësinë e triumfit mbi diçka e dikë, kultivoi me përkushtim shijet estetike e artistike mbi të bukurën, të shëmtuarën, të madhërishmen, komiken e tragjiken. U kompletua ai në fusha të ndryshme vetëm në kurriz të gjahut që me çdo kusht duhej të mposhtte, falë viktimës që nuk kuptonte se kur dhe nga i vinte rreziku. Zoopolitikusi (krijesa politike) u bë homo faber (krijesë që punonte me vetëdije), u bë edhe homo estetikus (krijesë estetike). Gjë e bukur, apo jo…? Në fund, arriti të bëhet edhe homo amorales (imoral) i përkryer, më falni, homo morales doja të thoja …, dhe gjithmonë në kurriz të gjahut.

Nderë e respekt për paraardhësit tanë të lashtë, për ata gjahtarë të zgjuar e të pashoq që, sido që të kenë qenë, prenë e kanë zgjedhur nga ndonjë specie tjetër, kurrsesi nga lloji i vet. Po a u kënaqëm ne të mëvonshmit vetëm me këtë lojë racionale? Natyrisht që jo. E si mund të kënaqeshka oreksi aq i babëzitur i njeriut modern me një gjueti aq të varfër, aq jokonkurrente, të ulët e të shëmtuar. Edhe këtë e zbuluam më në fund.

Gjahu i zgjedhur duhej të ishte një njeri, po, po, njeri: i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm, i parëndësishëm apo i rëndësishëm, mjaftonte të ishte njeri. Konflikt interesash, do të mendoni, apo, zoti na ruajttë, kanibalizëm. Jo, gaboheni, diç tjetër më intriguese, më artistike, më estetike, më poetike ngacmoi imagjinatën tonë: gjahut duhej t’i thyhej zemra, t’i vriteshin ndjenjat, t’i shembeshin ëndrrat, t’i vidheshin e t’i shqelmoheshin idetë që më vonë vetë të plandosej për toke, kurse gjahtari të përjetonte ekstazën kulmore, delirin e papërshkruar, sepse, sidoqoftë, kishte fituar trofeun pa përdorimin e ndonjë metode brutale.Gjithçka brenda normave ligjore e etiko-morale, pa asnjë përgjegjësi.

Hallall i qoftë gjahtarit! Njeri i zoti, i aftë, i kulturuar, i qytetëruar, gjysmëkopil me një fjalë, jepja dorën…! E kush çan kokën për gjahun …?!

Lajme të ngjashme

Back to top button