Me doganim të pavarur, tregti më e shpejtë dhe më e lirë në CEFTA

Zbatimi i konceptit Operator i autorizuar ekonomik (OAE) do të mundësojë kompanive të vendeve anëtare të CEFTA-s të kryejnë doganim të pavarur gjatë eksportit dhe importit, me qëllim që të sigurohet tregti më e shpejtë dhe më e lirë. Duhet të vendosen sisteme kontrolluese që do t’i pengojnë keqpërdorimet eventuale.

Për mundësitë dhe mënyrat e krijimit të programit për OAE CEFTA që do të jetë kompatibile me BE-në, sot në një konferencë në Shkup debatuan komuniteti afarist dhe përfaqësuesit e drejtorive doganore të anëtareve të CEFTA-s (Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Moldavia, Kroacia, Mali i Zi) si dhe përfaqësues nga Austria, Holanda, Britania e Madhe, Gjermania dhe Sekretariati i CEFTA-s.

Në Maqedoni ekziston rregullativë për vendosjen e operatorit të autorizuar ekonomik, por koncepti nuk është zbatuar. Ende po punohet për futjen në përdorim të të ashtuquajturave procedura të thjeshtësuara doganore.

“Në vitin 2012, me procedurat doganore për doganim lokal, me të cilat kompanitë vetë doganohen, ka arritje prej rreth 40 për qind në eksport dhe 25 për qind në import. Duhet të punojmë në rritjen e interesit. Para së gjithash, si drejtori doganore duhet të punojmë në përforcimin e kapaciteteve tona, ta vlerësojmë rrezikun kreditor, procedurat dhe të ndikojmë sa më shumë që operatorët ekonomikë t’i ndjejnë përfitimet nga ky kapacitet”, deklaroi drejtori i Drejtorisë doganore të Maqedonisë, Vanço Kargov.

Koncepti, operatori i autorizuar ekonomik në Bashkimin Evropian tashmë është duke u zbatuar, por jo me intensitet të madh. Më shumë, sipas Kargov zbatohet në shtetet më të zhvilluara dhe atje kompanitë tashmë i ndjejnë përfitimet. Arrihen marrëveshje ndërkombëtare për njohje të ndërsjellë të kontrollit doganor, BE-ja arrin marrëveshje me SHBA-në, SHBA-ja me Japoninë…, që do të thotë se operatorët ekonomikë mes këtyre shteteve kanë një trajnim të njëjtë, vetë kontrolli doganor njihet si në vendin tjetër, dhe kjo ndihmon që të shpejtohet dhe të lirohet importi dhe eksporti, sqaroi Kargov.

Sipas Ymyt Erzeger, përfaqësues i sekretariatit të CEFTA-s, ky koncept është shumë i rëndësishëm sepse me të mund të arrihen qëllimet e vendosura për lehtësimin e tregtisë në rajonin e CEFTA-s dhe rritje e zhvillimit ekonomik.

Drejtoria doganore e Maqedonisë e organizon konferencën si kryesues i Nënkomitetit për doganë dhe prejardhje e CEFTA-s. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button