Pritet që së shpejti të nis fizibiliteti i rrugës Prizren-Tetovë

Komuna e Prizrenit dëshiron që përmes asfaltit të afrohet më shumë me Tetovën. Ndonëse nuk u dhanë shifra të sakta të kostos, sigurimi i mjeteve buxhetore për vitin 2013 tashmë ka filluar nga ana e pushtetit lokal për realizimin e një projekti të tillë. Fillimisht do të bëhet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë me gjatësi 40 kilometra. E më pas pritet përkrahja materiale edhe e Qeverisë së Kosovës, dhe organizmave tjerë ndërkombëtarë pasi kostoja e këtij projekti nuk është e ulët.

Ndër projektet prioritare të Komunës së Prizrenit, për këtë vit, që besohet së është në interes edhe të Kosovës e rajonit, është ai i ndërtimit të rrugës Prizren – Tetovë.

Ideja për ndërtimin e kësaj rruge e cila thuhet se do e ketë një gjatësi prej 40 kilometrave pati ardhur në kohën e fushatës zgjedhore të vitit 2010, ndërsa pas tre vitesh pritet jetësimi i saj.

Komuna e Prizrenit ndërkaq, në seancën e fundit në mënyrë unanime i ka dhënë dritën jeshile këtij projekti dhe pritet që shumë shpejt të nis studimi i fizibilitetit.

Kryesuesi, Nijazi Kryeziu tha për Radio Kosovën se tashmë duhet ndarë mjetet me qëllim që projekti të nis së zbatuari në praktikë dhe të realizohet edhe një premtim i dhënë i Kryetarit të Komunës.

Këshilltari i Kuvendit të Prizrenit nga radhët e LDD-së, Lulzim Kabashi ndonëse e vlerësoi këtë projekt të rëndësishëm, pranoi se kostoja e tij nuk mund të mbulohet nga mjetet e buxhetit komunal dhe kërkoi nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare përkrahje materiale.

Edhe Fatmir Kastrati, nga AAK-ja, mendon se Komunës së Prizrenit i ka munguar një arterie e tillë e cila do ua lehtësonte udhëtimin qytetarëve nga të dyja anët e veçanërisht studentëve.

Kurse Masar Shala nga PDK-ja tha se projekti nuk është i partive politike, po i qytetarëve të Kosovës.

Komuna e Prizrenit pritet ta formojë edhe komisionin përkatës i cili do të merret me studimin e fizibilitetit të ndërtimit të rrugës Prizren- Tetovë./Express

Lajme të ngjashme

Back to top button