Rekuiem mbi krizën politike

Skena politike në Maqedoni po përjeton dridhje dhe çarje të rënda tektonike. Po ndodhin veprime absurde politike, në vend që të kërkohen zgjidhje të mençura për problemet. Nga një rrugëtim gjysmak drejt shtigjeve të Brukselit, ky vend problematik po pllakoset në baltën e vet ballkanike. Nga një gjysmë rruge për në BE, me vetëdije apo pa të, estabilishmenti politik i vendit bën të pamundurën, që të kthehet pas. Një mallkim po e largon vendin nga prosperiteti, demokracia, perspektiva më e ndritur.

Diplomatët e kancelarive në Bruksel janë në shok të vërtetë nga ajo çka po ndodh në këtë vend, aspirant për BE dhe NATO. Ata e kanë mjaft vështirë të gjejnë një zgjidhje diplomatike për shfrenimet politike të liderëve të krekosur. Ndaj nuk habit fakti që euro-diplomatët kanë vërë alarmin për situatën e krijuar, po çirren me zë të fortë, por, megjithatë, zëri i tyre nuk mund të jetë aq i fortë, sa është i thellë gjumi ynë, që të na zgjojnë, përfundimisht, nga kjo kllapi. Në gjithë këtë katrahurë politike, askush, asnjë subjekt politik, asnjë lider politik, asnjë institucion shtetëror, nuk e merr fajin mbi vete, dhe kështu faji, si përherë, mbetet jetim. Për pushtetin, të gjitha të këqijat që kanë katandisur këtë vend, janë në qafë të opozitës, ndërsa opozita, me petkun e salloneve, po anatemon pushtetin.

Në këtë hedhje balte mbi njëri-tjetrin, populli është spektator. Ndaj, derisa do të jetë i tillë, do të ketë leverdi nga pushteti aq sa edhe meriton. Problemet në këtë vend po shtohen dita më ditë, në vend që të flaken në të mirë të të gjithëve. Së këndejmi, nuk do të dëshiroja që një urti diplomatike të shkojë në vesh të pushtetarëve: “Qeveria nuk është faktor i zgjidhjes së problemit, por është vetë problemi”. Për nomenklaturën e këtushme politike pushtetmbajtëse kjo nuk vlen, ajo e ka detektuar fajtorin për të gjitha dështimet që sot i përjeton në mënyrë dramatike ky popull, se s’ka fajtor tjetër pos opozitës. Fajtor i të gjitha fajeve…

Kjo krizë politike që ka mbërthyer vendin, nuk është e djeshme, por është e kamotshme, shumë më e thellë sesa që kujtojmë. Ta lëmë anësh, komunizmin. Që nga pavarësia e vendit në vitin 1991, problemet janë shtuar e nuk janë pakësuar. Ato kulmuan me konfliktin e vitit 2001, kur kriza politike nuk u zgjidh, porse u hodh nga një binar në tjetrin. Vazhdoi amullia politike. Probleme shumë, zgjidhje pak. Ato barteshin nga njëra nomenklaturë politike në tjetrën, varësisht nga disponimi elektoral në votime. Sëmundja, nga e cila vuajmë sot, mjerisht, na kthen me shekuj pas, pikërisht në shoqërinë angleze të shek. 18, që kur kombet e civilizuar i kanë përjetuar këto dhembje. Kjo është fataliste për qytetarët e këtij vendi, është një fashitje e perspektivës evropiane. Vendi tashmë një kohë të gjatë ka përjetime mazohiste të llojit të vet, ka një psiko-dramë politike. Garniturë diplomatësh evropianë vijnë pakëputur në Shkup, që të na ndërgjegjësojnë. Ende jemi larg realitetit. Psikologët do të na kategorizonin në subjekte me devijim mendimi, ku disa sish po vuajnë nga superioriteti i rremë. Po thellojmë provincializmin dhe primitivizmin, njëmendësinë, shpesh edhe jo mendësinë. Thonë, pushteti mbahet me para, frikësim dhe forcë. Kur të treten këto instrumente të ndikimit psiko-fizik, projektet e nënshtrimit të shtresave të ulëta i hedhin prangat. Perspektiva dhe e ardhmja më e mirë është një përcaktim i njeriut, por jo vetëm një parashikim. Pokeri i politikanëve mbërtheu në lojën e vet tërë shoqërinë. Demokracia, e cila në fillimet e saj, në këtë vend, shkaktonte entuziazëm, tashmë është transformuar në një kurth të lirisë. Liria humb me humbjen e demokracisë, kurse demokracia i jep shpirt lirisë. Cilën do që ta humbim, kemi humbur që të dyja. Atëherë, si mund të kemi demokraci pa opozitën që bojkoton zgjedhjet lokale dhe thellon krizën politike në përmasa të pa parashikueshme. Si mund të jetë Brukseli më pak i rëndësishëm se sa vetë “pushtimi” i Tetovës. Si mund të shpjegohet veprimi nga pozitat e leverdisë politike dhe përfitimit nga satanizimi i oponentëve politikë. Ku qëndron fuqia e vërtetë e lakmisë për pushtet.

Ku janë partitë shqiptare në këtë “mishmash” politik. A e luajnë rolin që ua ka besuar populli. Në këtë kontekst, s’duhet harruar edhe faktin se Bashkësia Ndërkombëtare është dëshpëruar tej mase me Maqedoninë. Fatura do t’u adresohet liderëve politikë e pushtetmbajtës, kurse pasojat do t’i bartë mbi kurriz të vet populli, që ende nuk po ndërgjegjësohet për forcën e madhe që ka në ndryshimin e proceseve dhe në arritjen e kthesave pozitive.

Lajme të ngjashme

Back to top button