Vertikti i qytetarit

Jeta Starova Mehmeti

Jeta Starova Mehmeti

Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale si çdo raund zgjedhor propaganda politike mundohet për të identifikuar paraprakisht fituesit dhe humbësit. Paraprakisht, bëhen analiza të sipërfaqshme, të njëanshme, apo dhe tendencioze në funksion të retorikes për të fituar sa më shumë pikë në elektorat. Megjithatë për këtë pjesë le te merren politikologët, apo ata të cilët janë më në brendi të kombinatorikave politike. 

Çështja që dua të trajtoj ka të bëjë me diçka tjetër, por që lidhet ngushtësisht me proceset zgjedhore. E kam fjalën për zgjedhjet e lira e të ndershme në kuptimin që vota duhet të jetë e shejtë e pa manipulueshme dhe elektorati të japë vertiktin e tij sipas bindejeve dhe jo sipas logjikës së forcës dhe presionit, apo sipas metodave manipulative, siç mund të jetë një punësim, një rrugë e shtruar me asfalt, apo pa dashur ta banalizoj një thes miell. 

Nëse do të respektohet vertikti i votuesit, pra i qytetarit , automatikisht nuk do kemi probleme gjatë fushatës zgjedhore dhe aq më pak gjatë ditës së votimeve. Mjafton të respektohet ai vertikti për të parandaluar manipulimet, për të frenuar zënkat deri në gjakosje, për tu prerë udhën incidentëve. Përveç vertiktit të qytetarit ekziston edhe një tjetër metodologji për të parandaluar fenomenet vetë ndëshkuese kryesisht në raport me vëzhguesit ndërkombëtare. 
Subjektet politike që hyjnë në garën zgjedhore kësaj here do të bënin mirë që të kursenin dozat e propagandës, të akuzave dhe të sharjeve dhe t’i jepnin përparësi luftës politike me programe, platforma dhe alternativa. Kjo luftë sheshon shumë punë dhe shërben si rregullator për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore duke i krijuar luksin qytetarit për të vendosur për programin më të mirë. Bile përmes kësaj metodologjie përmisojmë edhe imazhin tonë para ndërkombëtarëve të cilët janë të dëtyruar që të vijnë e të na vezhgojnë për një procedurë elementare demokratike. 

Unë kam patur fatin që të ndjek disa procese zgjedhore si përkthyese dhe të them të drejtën megjithëse është një punë fisnike, mënyra sesi janë zhvilluar proceset zgjedhore gjatë këtyre viteve më ka bërë të ndihem keq. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja ka qenë dhe mbetet sikleti kur ballafaqohesh me ngjarje që politika i nxit me vetëdije, ndërkohë që janë të dëmshme për shëndetin e demokracisë dhe për imazhin tonë para vëzhguesve ndërkombëtarë. Kjo logjikë duhet të marrë fund, në prag të këtyre zgjedhjeve aktorët politike duhet të marrin masa serioze për të kanalizuar energjitë e tyre jo në dëm të qytetarit, jo në dëm të demokracisë, jo në dëm të imazhit, por në funksion të përmbushjes së standarteve demokratike. 

Në rastin konkret me standarte duhet të kuptojme ta lëmë qytetarin të vendosë për fatet e tij, ta lëmë qytetarin ta orientojë votën sipas bindjeve të tij, ta lemë votuesin të votojë për veten e tij dhe jo edhe për mehallën. Nëse nuk respektohet bindja e qytetarit, shkelet demokracia, përdhunimi i demokracisë na njëllos të gjithëve, pra na kthen prapa.
 

VERZIONI DESKTOP