Selmani dhe Ejupi rikthehen në Shkëndijë

Skuadra kuq e zi nga Tetova dal ngadalë si duket po arrin që të konsolidojë radhët e saja, pas turbulencave që ndodhën me largimin e disa nga sponsorët e klubit.

Kryesia e re e skuadrës së pari ka rikthyer Ertan Demirin, ndërsa kanë mbetur në ekip dhe shumë futbollistë tjerë cilësor, e vetëm pak ditë më parë në bankinë kanë zyrtarizuar edhe trajnerin e mirënjohur shqiptar, Nexhat Shabanin. Lajmi i fundit që vjen nga kampi kuq e zi është se ata kanë rikthyer golashënuesin më të mirë të ekipit, shkupjanin Muzafer Ejupi.

Nga skuadra tetovare kanë bërë të ditur se në gjysmë sezonin pranveror Ejupi pritet të jetë shumë më efikas në sulm duke marrë parasysh se ndihmë do të ketë dhe kroatin Lovren Çirijak, i cili në ndeshjet kontrolluese ka shënuar 9 gola nga 7 ndeshje. 

“Muzafer Ejupi dhe Jasir Selmani rikthehen te skuadra jonë dhe në kushte të këtilla mund të llogariten si përforcime të madh. Jemi të gëzuar me faktin se arritëm të kemi në mesin tonë sulmuesin më të spikatur gjatë sezonit të kaluar Ejupin dhe kështu tani  ne jemi të bindur se do të jemi kandidat të denjë për kreun e tabelës dhe për të triumfuar në Kupën e Maqedonisë”

Kujtojmë se Ejupi në gjysmë sezonin vjeshtor ishte golashënuesi më i mirë i tetovarëve, ndërsa pas përfundimit të sezonit, për shkak të probleme në klub, ai pothuajse kishte arritur marrëveshje me ekipin bullgar Eter.

Shkëndija përveç kampionatit, gjasën e saj për dalje të radhës në Evropë do ta kërkojë përmes Kupës së Maqedonisë, në kuadër të së cilës në gjysmëfinale do të përballet me Vardarin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button