Jakup Krasniqi refuzon të jetë në PDK

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, refuzon të jetë pjesë e strukturave udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai e bëri të ditur këtë qëndrim nëpërmjet një deklarate me shkrim, në të cilën thekson se, është zgjedhur pa vullnetin dhe praninë e tij në strukturat drejtuese të kësaj partie.

Partia Demokratike e Kosovës vendosi që zoti Krasniqi, që deri tani ishte sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, të jetë pjesë e strukturave drejtuese, pavarësisht faktit se zoti Krasniqi nuk pranoi të marrë pjesë në Kongresin zgjedhor të Partisë Demokratike, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet brenda saj.

Ai kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, që njëherësh është kryetar i Partisë Demokratike për siç ka thënë ai, shndërrimin në sundimtar të partisë.

Në deklaratën e sotme, zoti Krasniqi thekson mes tjerash se në “Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët dhe për të ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se Partia Demokratike është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit”, thuhet në deklaratën e zotit Krasniqi.

Letra e Krasniqit nuk është komentuar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërsa nga vëzhguesit vlerësohet si përfundim i pjesëmarrjes së tij në këtë parti, ku që nga themelimi ishte njëri nga personalitetet kryesore të saj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button