Dy Stefana për një Nikollë

Dy Stefana për një Nikollë? E pse jo. 
Që barazimi të jetë i plotë: një Nikollë për dy shqiptarë.

Me radhë:

Sot gjithë ditën dr. Spini nuk na la rehat. Gjithçka me celofan. Aq shumë, saqë ngatërruan Amerikë e Evropë. Kështu, ambasadorit Pol Volers i qitën fjalë kurse s’e jep diagnozën e saktë për këtë vend – a ka krizë apo nuk ka. Kjo, fundja, është mendësi e të sëmurit dhe ambasadori amerikan shikohet si me qenë ndonjë doktor mjekësie. Ndërkohë që ai foli si burrat: “Të gjithë subjektët politikë në Maqedoni aktivitetet e tyre duhet t’i jetësojnë duke mbajtur llogari për interesat më të gjera të shtetit.”

Mbi këtë bazë edhe Stefan Fyle nga Brukseli kishte shkruar dy letra: një për kryeministrin Nikolla Gruevski dhe një tjetër për opozitarin (gjoja-opozitarin, sipas Ali Ahmetit) Branko Cërvenkovski. Se çka u ka shkruar, unë s’arrita ta marr vesh, por diçka kuptova nga përgjigjja-rrufe që kishte dhënë kryeministri. Aty ku sot gjithë ditën kishte punuar dr. Spini, vetëm për ta ngatërruar punën se a është tema për “krizën” VMRO-LSDM, apo për diçka tjetër. Babaçko, shumë e madhe. Diçka për të cilën, ja, qe disa ditë po shkruajmë.

Gjithçka del në mejdan po të analizohet letra që ka shkuar nga Shkupi në Bruksel, ashtu siç e dha shtypi qeveritar (MIA). Për ta zbërthyer “gjuhën diplomatike” do të kishte qenë mirë këtu të ishte Teuta Arifi, qoftë edhe si krijuese, si poete apo si profesore e letërsisë shqipe, për shkak se ka shumë figuracion, shumë metafora jo vetëm diplomatike, mirëpo ajo ka shkuar në Tetovë që të bëhet gati për zgjedhjet lokale, të cilat nuk dihet a do të mbahen a jo, si do të mbahen etj. Zëvendësuesi i saj, Fatmir Besimi, ende nuk e ka përditësuar “programin”, kështu që edhe po ta pyetnim, do të na jepte një miks ekonomik, ushtarak e ndonjë tjetër merak (fjala vjen, një Sllupçan të dytë, por tani me Talat Xhaferrin në rolin kryesor). 

Nejse, në letrën e vet N. G. shumë pak e përmend “24 dhjetorin” e B. C.-së. Ai thotë: “ne e mbajmë fjalën”, “ne i qëndrojmë parimit të bërë publik”, “nga ana jonë është bërë maksimumi për kapërcimin e situatës”, “transparencën tonë”…Transparencën? Gjithë ky milet sot gjithë ditën vrau mendjen se këto letra a kanë të bëjnë me opozitën maqedonase, apo në pyetje është çështja e emrit dhe obligimet që ka marrë Shkupi për të kapur “fazën e hershme” të Bashkimit Evropian. Qorr të jesh, dërdimen të jesh, do ta kuptosh: kryeministri ynë i dashur i thotë “çys-çys” Evropës; ‘unë emrin s’e ndërroj, në 360 shkallë do të rrotulloj e kush është ndër sofër, le të mjaullojë’. Punë macesh, më. 

Rrofshin e qofshin subjektet tona politike.

Mos të lashtë Zoti po to.

Lajme të ngjashme

Back to top button