‘Shëtitjet’ ndërpartiake pazarllëqe ekonomike

Kalimet nga njëra parti në tjetrën e personaliteteve politike apo grupeve politike kryesisht në Maqedoni tashmë janë transformuar në një fenomen të zakonshëm për opinion publik. Megjithatë sipas analistëve Ismail Sinani dhe Xhelal Neziri, këto lëvizje politike siç i quajnë ata, nuk kanë të bëjnë me ndonjë reformë brenda partisë por janë thjeshtë pazarllëqe ekonomike dhe propaganda parazgjedhore të padobishme.

Analisti Ismail Sinani vlerëson se këto veprime dëshmojnë realitetin e hidhur dhe perceptimin e gabuar të shqiptarëve ndaj demokracisë.

“Për fat të keq të gjitha këto zhvillime e qartësojnë edhe më shumë pasqyrën politike ndër shqiptarët e Maqedonisë. Kjo tregon se shqiptarët, ende janë shumë të vobektë në perceptimet e tyre politike kundrejt demokracisë që ka filluar të instalohet si sistem vlerash që nga revolucioni francez. Shikuar nga ky këndvështrim, me keqardhje më duhet të konstatoj se ndonjëherë krijohet përshtypja se vonesa jonë në përqafimin e vlerave demokratike mund të arrijë deri në 200 vjet”, u shpreh Sinani për Portalb.mk

Kalimet nga njëra parti në tjetrën e grupeve apo individëve, Sinani i konsideron si transfere dhe thekson se qëllimi i tyre është thjeshtë ekonomik dhe aspak kombëtar dhe idealist.

 “Nisur nga kjo, transferet politike mes partive politike shqiptare, janë dëshmi e qartë se ku gjendemi ne sot dhe sa është e vërtetë kjo që u tha pak më parë. Ndërkohë në rastin konkret, lëvizjet politike, bëhen nga grupe të interesit dhe si të tilla, ndoshta më mirë do të kishte qenë t’i cilësonim si ‘lëvizje ekonomike’. Në këtë frymë, është mirë që qytetarët ta kenë parasysh se me përjashtime minimale, ideali nuk zë fare vend në këtë pazarllëk ekonomik”, përfundoi analisti Ismail Sinani prononcimin e tij për portalb.mk

Xhelal Neziri kalimet e individëve nga njëra parti në tjetrën i shikon sit ë zakonshme para fushatave parazgjedhore duke vlerësuar se këto kalime nuk kanë ndonjë qëllim reformues por thjeshtë bëhet fjalë për propaganda politike.

“Kalimet nga një parti në tjetrën apo prurjet e reja nëpër parti janë ne suaza të ekipimit parazgjedhor me qëllim të arritjes së rezultateve të dëshiruara zgjedhore. Këto kalime kanë ndodhur në ;çdo cikël zgjedhor, kryesisht te partitë shqiptare, kurse tani një pjesë e strukturës së LSDM-së kalon në parti të vogla për shkak të vendimit të kësaj partie për t’i bojkotuar zgjedhjet. Çdo parti politike në Maqedoni i hap dyert për kuadro të rinj vetëm para zgjedhjeve, që lë të nënkuptohet se bëhet fjalë vetëm për një fushatë parazgjedhore e jo për një politikë të vërtetë reformuese brenda partiake”, thekson analisti Xhelal Neziri .

Kujtojmë se para dy ditësh Portalb njoftoi për kalimin e Valon Belës (ish nënkryetar i PDSH-së) në BDI dhe Fatmir Etemit nga DR poashtu në BDI. Ndërsa gjithashtu mund të citojmë edhe disa nga këto kalime brenda partive që kanë bërë bujë në opinionin publik shqiptar ku mund të theksojmë atë të Abdylajdi Vejselit nga PPD-ja në PDSH, deputetëve të atëhershëm Sulejman Rushiti, Flora Kadriu nga PDSH-ja në DR, Hisni Shaqirit, Daut Rexhepit dhe disa të tjerëve. /Portalb  

Lajme të ngjashme

Back to top button