Berisha nuk dëshironte rrëzimin e Enver Hoxhës

Kryesia e PD-së në 18 shkurt 1991, ndërsa vijonte greva e urisë së studentëve të Universitetit të Tiranës për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, ishte kundër, ndërsa kreu i sapozgjedhur i PD-së, kërkonte referendum për emrin e ish-diktatorit.  Shkrimi shoqërohet edhe me faksimilet e dokumentit të mbledhjes se 18 shkurtit 1991 dhe procesverbali origjinal për grevën e urisë 18 shkurt 1991.

Sipas procesverbaleve origjinale të mbledhjeve të kryesisë së PD-së me 14, 16, 18, 19 dhe 21 shkurt 1991 rezulton se, shumica absolute e kryesisë së PD-së, përfshirë drejtuesit kryesorë të saj, ishin kundër grevës së urisë së studentëve dhe kërkonin mbylljen e saj, rikthimin e studentëve në auditorë.

Kjo është dëshmia e Afrim Krasniqit, ish-student pjesëmarrës në themelimin e PD-së në 12 dhjetor 1990 dhe në grevën e urisë 18-20 shkurt 1991. Sipas dokumenteve që dalin në dritë për herë të parë pas 22 viteve, gjatë mbledhjeve të drejtuesve të PD-së në shkurt 1991, fjalitë më të përdorura në kryesi ishin: “Studentët na kanë dalë jashtë kontrollit, nuk pyesin për ne, studentët ia arritën qëllimit sepse sensibilizuan opinionin, ndaj duhet të tërhiqen, të pranojnë zhvillimin e një referendumi për emrin ose ndarjen e universitetit në katër pjesë dhe kështu ti japin fund grevës.”

Madje pati hyrje në grevë me kërkesën e mbylljes së saj të disa figurave politike të ardhur nga diaspora apo organizata të tjera brenda vendit, të cilat vinin me lejen e krerëve të PD-së dhe PPSH-së dhe me mesazhin e tyre.

Në fletën e procesverbalit që Shqiptarja.com sjell ekskluzivisht janë diskutimet e disa prej drejtuesve të PD-së, gjatë mbledhjes së komisionit drejtues, në 18 shkurt 1991. “Të ndahet universiteti”  thotë njëri prej anëtarëve. “Jam për ndarjen ndërhyn”- tjetri. Ndërsa kreu i sapozgjedhur i PD-së, Sali Berisha thotë -Të marrim rezultatet e Pleniumit, jam për referendumin.  Kush ishte arsyeja që çoi në organizimin e grevës së urisë së studentëve

Në dhjetor u krijua PD-ja dhe pluralizmi, por në muajin janar 1991 pati tri zhvillime negative: me 12 janar nisën antimitingjet në Tepelenë dhe Tropojë kundër PD-së dhe me parulla pro diktatorit Hoxha; në javën e dytë Ramiz Alia nxori dekretin për mbrojtjen me ligj të figurës dhe emrit të diktatorit, dhe po ato ditë Partia Demokratike, në marrëveshje me Alinë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve pranoi kushtin për ndërprerjen e grevave deri pas fushatës elektorale. Vendimi për ndërprerjen e grevave ishte goditje indirekte ndaj studentëve dhe minatorëve, dy kategori të shprehura hapur kundër regjimit dhe që vazhdimisht promovonin kërkesa politike. E tillë ishte edhe kërkesa e studentëve për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Nuk kishte kuptim që të kishim pluralizëm politik dhe të shkonim në zgjedhje me Hoxhën në diplomë dhe universitet. Ndaj studentët inicuan protestat e para në fillim të muajit shkurt dhe ngjarjet morën rrjedhë të pakthyeshme në javën e dytë të muajit. Kur protestat arritën pikën kulmore dhe regjimi nuk tregoi tërheqje atëherë mbeti akti ekstrem, hyrja në grevën e urisë. Kjo ndodhi me 18 shkurt dhe pas 72 orësh u arrit objektivi i grevës, shtatorja e Hoxhës ra dhe emri i tij iu hoq Universitetit të Tiranës. Kjo fitore ishte e dyfishtë: sepse greva studentore ia arriti qëllimit dhe sepse ajo nxori në pah lojën e fshehtë të regjimit për një sistem demokratik të kontrolluar dhe të dirigjuar nga lart./ Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button