Dy zyrtarë në pranga, akuzohen për shpërdorim detyre

Dy zyrtarë vendorë të qarkut të Gjirokastër janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia e këtij qarku informon se në kuadër të operacionit të koduar “Asistenca”, është arrestuar Shefi i Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë, Elidon Beqiri dhe Shefi i Zyrës së Punës në Përmet, Erald Ristani. Ata akuzohen se prej 5 vitesh në bashkëpunim dhe me disa persona të tjerë kanë  përfituar asistencë sociale në mënyrë të paligjshme shuma, e të cilës arrin mbi 2 milionë lekë të reja.

 Në gjendje të lirë ndiqet specialistja e zyrës së Përkrahjes Sociale të Bashkisë Këlcyrë, Floresha Shahu, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si dhe 5 shtetas të tjerë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme  asistencë sociale për 5 vjet rresht nga fondet e shtetit  që i akordoheshin Bashkisë Këlcyrë për të papunët.

 Policia vijon hetimet pasi ka edhe një numër të konsiderueshëm shtetasish të tjerë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë sociale nga fondet që i akordoheshin Bashkisë Këlcyrë. Operacioni u zhvillua nga Sektori Kundër Krimit Finaciar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër./Albtime

Lajme të ngjashme

Back to top button