Tetovës i duhet punëtor!

Nuk dua të merrem me asnjë kandidat në veçanti por do të shkruaj për profilin e kryetarit ideal që duhet të qeveris Tetovën për katër vitet e ardhshme. Gjithashtu nuk më intereson e kaluara e tyre profesionale, e as doktoraturat e atyre. Është e thjeshtë, unë mendoj se qytetit i duhet një kryetar punëtor i cili do të ishte lëvizës i proceseve që do të ndryshonin mënyrën e funksionimit. Asnjëherë nuk është vonë për të bërë mirë. Kryetari i ardhshëm, kush të jetë, duhet të ketë të injektuar vullnetin dhe dëshirën për të bërë mirë.
Populli që voton, janë njerëz të mire! Ato xhindosen kur nuk e respekton besimin e dhënë, ato nxehen kur ia vedh të drejtën e votës, kur nuk ka ujë në mëngjes për të pastruar trupin, kur nuk ka vend për të parkuar veturën, kur nuk ka vend ku të dalë përveç se në kafene, kur nuk kanë vend për të vrapuar dhe për të ecur lirshëm me biçikleta dhe më tragjikja ku nuk ka leximore biblioteka publike dhe nuk ka teatër. E gjithë kjo spjegon mos punën e të gjithë kryetarëve që kanë qenë në krye të udhëheqjes së Komunës së Tetovës.

Unë jam votues në Tetovë dhe para se të dal të votoj, e kam detyrë si student të shpreh mendimin. Me shprehjen e secilit, respektohet demokracia dhe përmisohet gjendja. Nuk pres që ndonjë kandidat të lexojë këtë shkrim, thjeshtë ato do të jenë super të zënë me aktivitete për të bindur votues nëpër qytet! Kafe më kafe, në çajtore por edhe nëpër mbledhje të rëndsishme. Me stilin gueril, i adaptuar alla shiptarçe do të synohet vota e secilit, shpi më shpi, derë më derë, familje më familje. Beteja është e ashpër. Bile në terren do të përdoret edhe fraza, pika pika mbushet pusi apo edhe vota vota bëhet kryetari. 

Tetovës i duhet një kryetar komune i cili do të ecë në këmbë për të shkuar në punë për dy arsye, të solidarizohet me popullatën që nuk kanë mundësi për të shkuar në punë me vetura me xhama të zinj dhe e dyta, të shohë se çka nuk funksionon në qytet, përkthyer në terma të menaxhimit të komunës, sa gropa duhet të mbushen rrugës. Për këtë duhet të mos shikohet bagazhi filozofik, sa i suksesshëm ka qenë kandidati në shkollim por duhet të merret parasysh se sa është i gatshëm të punojë për qytetin. Një shembull i mirë për kryetarin e ardhshëm le të jetë pastrimi i xhamave të bibliotekës së qytetit prej grafiteve dhe afisheve, e në atë moment do të ndjehet si më i pasuri dhe më i fuqishmi i qytetit. Ashtu u ndjeva unë në atë moment!

Të nderuar kandidatë, mos na shitni mend me poezi dhe fjalime të shkruara nga specialistët e marrëdhënieve me publikun, por ju them se puna më e mirë për ju do të ishte të inspiroheni nga bashkëbisedimi me qytetarët. Ato e dijnë ku qëndron problemi dhe shumë shpejt mund të ndikoni për ta rregulluar atë, edhe pa mos qenë i zgjedhur si kryetar. Sekreti qëndron te vullneti juaj, jo te fjalori juaj. Nuk ka fuqi më të madhe bindëse se puna e kryer ! 

Tetova është pikënisja e edukimit të shoqërisë, por për fat të keq Tetovës i mungojnë gjëra elementare për të jetuar siç janë uji, ndriçimi rrugor, parqe, rrugë të gjëra dhe parkingje. Paradoksi qëndron te pika ime më e dobët, biblioteka që ngjan në gjithçka por jo si bibliotekë. Mund të ngjajë në një magazinë por jo si bibliotekë. E di se për këto probleme do të ketë arsyetime të tipit, nuk kemi ingerenca ne, ka pushteti qendror apo edhe nuk kemi buxhet se kemi pengesa nga Ministria e Financave apo Ministria e Pushtetit Lokal. Thënë shkurt, Tetovës nuk i duhet politikan, i duhet punëtor dhe këmbëngulës për të punuar. 
Ende nuk ka filluar fushata por kanë filluar të qarkullojnë aktivistët e përbetuar të partive politike për të na bindur që të votojmë kandidatin e tyre. Do të ofrojnë hamburgerë, mbushje telefoni, para por edhe punësime. Duhet të kemi parasysh se punësimi është bingo dhe mund ta fitosh nëse i ke të fotografuara votat, pasi duhet të jesh besnik dhe i besueshëm ndaj partisë! Shumë zhurmë për 20 ditë, ndërsa qytetari ndjehet i nevojshëm pasi do ta thirrin në telefon disa here. Ky është paradoksi i shoqërisë dhe partive politike, e nënvlerësojnë qytetarin dhe kërkojnë vota të nënvlerësuara. 

Për fund, Ju që e keni aq me zort të fitoni, jepni zort më shumë. Ia vlen të jesh udhëheqës i Tetovës. Vetëm të kesh kujdes që të udhëheqësh mirë pasi komuna duhet të jetë si shtëpia juaj, duhet të jetë rezultati menaxhimit tuaj, pasqyra juaj për katër vite. Nëse nuk iu intereson votuesi dhe mendoni se do të dilni pas katër viteve pa mos punuar asgjë, atëherë mendoni se ka Një lart dhe Atij do ti japim llogari për gjithçka. Vota është besim, respektoje! 

Lajme të ngjashme

Back to top button