Zgjedhje pa opozitë

Kriza politike që kaploi Maqedoninë nga 24 Dhjetori, më në fund morri zgjidhjen e aktit të parë të saj të shtunën në mesnatë. Siç pritej, pushteti nuk lëshoi pe nga qëndrimet për shkuarje në zgjedhje me ose pa opozitën, ndërsa në të njëjtën kohë morrëm përgjigje edhe për dilemën tjetër, më të paqartë, gjegjësisht nëse në to do të merr pjesë opozita maqedonase. Edhepse ajo kishte argumente të fuqishme për të dalë në zgjedhje dhe nëpërmjet tyre të tregojë fuqinë e saj, ajo megjithatë vendosi t’i qëndrojë besnike qëndrimit fillestar për bojkot të përgjithshëm, nëse paralelisht nuk caktohet edhe datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pa marrë parasysh nëse është korrekt ose jo, ky vendim, me gjithë pasojat që bart me vete, është e drejtë legjitime e çdo partie dhe plotësisht nën kompetencat e saj. Prandaj analistëve ju mbetet vetëm të supozojnë se si mund të duken zgjedhjet lokale pa opozitë dhe reperkusionet që mund të sjellë bojkoti për të ardhmen e shtetit.

Në periudhën e kaluar dhe atë që vjen, në esencë bëhet një betejë mes pushtetit dhe opozitës për të treguar nëse situata në shtet është normale ose jo. Me shkuarjen në zgjedhje pa opozitë, refuzimin për të bërë çfarëdo kompromisi dhe insistimin për të krijuar opozitë virtuale për një përdorim, pushteti don të tregojë se gjithçka në shtet funksionon normalisht dhe se problemi qëndron te një parti e vetme, apo më saktësisht te një person i vetëm. Diametralisht në kundërshtim me të është akti i bojkotit të zgjedhjeve, që sipas vetë LSDM-së ka për qëllim të deligjitimojë këtë “normalitet” dhe të vetëdijësojë popullin dhe faktorin ndërkombëtar se në Maqedoni ka krizë që godit vetë themelet e demokracisë në vend. Në këtë drejtim, për shkak të karakterit multietnik të vendit dhe faktit se partitë shqiptare megjithatë do të marrin pjesë në zgjedhje, situata do të duket normale në disa pjesë të vendit, e në disa jo.

Në komunat e Maqedonisë Lindore, ku nuk ka popullatë shqiptare, është e qartë se kryetarët e ardhshëm të komunave do të jenë të gjithë nga rradhët e VMRO-DPMNE-së. Me përjashtim të ndonjë kandidati të pavarur, apo ndonjërës nga partitë margjinale, këshillat e komunave gjithashtu do të jenë të përbërë ekskluzivisht nga anëtarë të VMRO-së. Në këto vende partia do të dominojë totalisht me institucionet e të gjitha llojeve dhe niveleve. Me ose pa qëllim, me ose pa dashje, totalitarizmi për të cilin akuzohet VMRO-ja do të bëhet “profeci që plotësohet vetvetiu”. Pa hyrë në dilemën nëse shkaktar i kësaj është bojkoti i opozitës apo mënyra e sundimit të VMRO-së, qeverisja totalitare në Maqedoninë Lindore, me gjithë pasojat që mund të ketë në të ardhmen, do të bëhet fakt i pamohueshëm i përditshmërisë.

Një situatë tjetër pritet të mbizotërojë në vendet etnikisht të përziera, siç janë qyteti i Shkupit, Manastiri, Ohri, Kumanova etj., ku shqiptarët janë në numër të vogël për të fituar pozitën e kryetarit të komunës, por të mjaftueshëm për të fituar disa vende këshilltarësh. Numri i këshilltarëve shqiptarë, ashtu si numri i këshilltarëve të VMRO-së, padyshim do të rritet. Legalisht do të mund të flitet për zgjedhje normale dhe organe normale që do të dalin nga to, por mungesa e opozitës maqedonase do t’a bëjë të qartë se bëhet fjalë për pasqyrë të rrejshme. Partitë shqiptare me siguri do të lavdërohen se kanë arritur numër historikisht më të madh këshilltarësh, por kjo është pasqyrë që s’ka të bëjë fare me realitetin dhe që nuk ka asnjë domethënie për të ardhmen.

Kategori e tretë janë komunat si Struga dhe Kërçova, ku balanci demografik do të imponojë betejë për kryetar komune mes VMRO-së nga njëra anë dhe partive shqiptare nga tjetra (BDI në Kërçovë, BDI ose PDSH në Strugë). Bojkoti i LSDM-së në këto komuna u jep hapësirë për komoditet partive shqiptare, por megjithatë kurgjë nuk është e sigurtë paraprakisht. Për më tepër, zgjedhjet në këto komuna kanë potencial për t’u hapur sfida të reja partnerëve të koalicionit. Retorika nacionaliste që pritet të mbizotërojë atje, mund të ketë reperkusione për të ardhmen e koalicionit, natyrisht nëse rezultati nuk është dakorduar që më parë. Në këto rrethana, bojkoti i opozitës në këto komuna do të tërheqë më pak vëmendje se dilema nëse kryetarët e ardhshëm të komunave do të jenë shqiptarë ose maqedonas, gjë që duket normale sipas definicionit tonë ballkanik të “normalitetit”.

Më normale dhe njëkohësisht më interesante do të jenë zgjedhjet në Maqedoninë Perëndimore, në komunat me shumicë shqiptare. Atmosfera zgjedhore, kalkulimet, dalja, rezultatet dhe përbërja e këshillave këtu do të jenë më afër kornizave normale dhe në këtë drejtim bojkoti i opozitës do të kalojë më i pavërejtur. Megjithatë, bojkoti është më se i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar, për rezultatet e zgjedhjeve, edhe atë për dy shkaqe.

Së pari, me bojkotin e opozitës, VMRO-së nuk i duhet më ndihma e BDI-së për fitore në rrethin e dytë në qytetin e Shkupit, Kumanovë, Butel, Gazi Babë, Veles, Ohër, Manastir etj. Në këto vende fitorja e VMRO-së është e garantuar, e kjo i jep asaj liri për të luajtur si të dojë në komunat tjera. Aq më tepër, nevoja për ndihmë është asimetrike, sepse BDI thjeshtë nuk mund të fitojë në vende si Tetova e Gostivari pa ndihmën e VMRO-së. Nëse vlojnë gjakrat në Kërçovë e Strugë, VMRO lehtë mund të qëndrojë anash, ose madje të ndihmojë opozitën shqiptare. Së pari, me një hap të tillë VMRO mund t’i hakmirret BDI-së për Strugën, Kërçovën dhe koalicionin me PEI-n, me të cilin i mirret komuna e Mavrovë-Rostushës. E dyta dhe më e rëndësishmja, VMRO me këtë e dobëson edhe më tej BDI-në, krijon njëfarë baraspeshe te blloku shqiptar, e me këtë mund të manipulojë edhe më lehtë me BDI-në në nivel qendror.

Observimi i dytë ka të bëjë me faktin që as te blloku shqiptar ende nuk është thënë fjala e fundit rreth bojkotit. Nëse gjatë fushatës zgjedhore, apo në vetë ditën e zgjedhjeve, PDSH ose RDK vërejnë se ka parregullsi ose thjeshtë se nuk mund të arrijnë rezultat të volitshëm, ato mund të tërhiqen nga zgjedhjet edhe pa mbaruar. Një gjest i tillë te partitë shqiptare nuk është pa presedan; për shkak të parregullsive të mëdha, PPD në vitin 2000 dhe PDSH në vitin 2005 u tërhoqën nga gara në vetë ditën e zgjedhjeve. Këtë herë partitë opozitare shqiptare mund t’a bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë edhe më të lehtë. Me bojkotin e opozitës maqedonase ky gjest bëhet më i kapshëm dhe i pranueshëm, ndërsa kriza politike merr dimensione edhe më të mëdha.

Me bojkotin e zgjedhjeve opozita i lëshon shumë komuna dhe shumë pushtet VMRO-së, e për këtë ndoshta do të ketë reperkusione për vetë partinë. Por tanimë është e qartë se bojkoti i saj e zhvesh shtetin nga çfarëdo iluzioni për normalitet. Një konstatim ndryshe gjithsesi është tejet jologjik dhe tentim për t’i hedhur pluhur syve publikut. Nëse vërtetë ky ka qenë edhe qëllimi i bojkotit, atëherë mund të thuhet se qëllimi është arritur dhe opozita mund të ngelet e kënaqur nga akti i parë i krizës. Koha do të jetë treguesi më i mirë i rrjedhës së akteve tjera, që me siguri do të pasojnë.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button