Florie Peçi: Nuk e dua fëmijën

“Unë nuk e dua atë… Ai është i keq… Shpeshherë më shkelmon…” Janë këto copëza të shkëputura nga biseda që gazetarja e emisionit “Urbanika” në televizionin A1 REPORT! ka mundur të marrë nga Florie Peçi, studenten e mbijetuar nga aksidenti tragjik i Himarës më 21 majin e vitit të kaluar. Studentja nga Librazhdi është 5 muajshe shtatzënë dhe familjarët e saj hedhin akuza se Floria është abuzuar seksualisht gjatë periudhës së rehabilitimit në klinikën e Vjenës, pasi shkoi për kurim në gjendje kome, pas aksidentit.

Shtatzënia e Florie Peçi është trajtuar sot në emisionin “Urbanika”, ku gazetarja Pranvera Bozhiqi ka mundur të bëjë një bisedë gati 3 orëshe me të në dhomën numër 3 të maternitetit “Mbretëresha Geraldine” në Tiranë. Pavarësisht se gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar, goditja e marrë nga aksidenti ka lënë pasoja në shëndetin e saj mendor, pasi shpeshherë Floria humb kujtesën dhe momentet e vetme të rrëfimit të saj janë kur ajo kujton diçka. Në bisedën me gazetaren, studentja e mbijetuar nga aksidenti i Himarës përmend emrin Uesli. Bëhet fjalë për nipin e saj, djalin e vëllait, të cilin Floria e do shumë. “Uesli do ta rrahë”. Kështu shprehet studentja për “mbrojtësin e saj të vogël” i cili sipas saj do ta shpëtojë nga e keqja që ajo mban në bark, siç e mendon ajo.

Floria vazhdimisht shprehet se fëmija që ajo mbart në trupin e saj është i keq, ndërsa kërkon me ngulm që nipi i saj të vijë ta vizitojë në maternitet. Për Florien shtatzënia e saj ka ndodhur përmes një gjilpëre. Ndërkohë, kur Florie Peçi është kthyer në atdhe, më 11 tetor pas kurimit në Austri, në aeroport aty ku e priste i vëllai, i ka folur këtij të fundit në formën e halucinacioneve për çështje morali dhe për një fëmijë. Nga ana tjetër, versione të ndryshme për këtë histori vijnë nga familja e Flories dhe shoqja e saj, e cila gjithashtu mori kurim në Austri, por jo në të njëjtin spital, Eriselda Gubere.

Sipas motrës së Flories, e cila tregon se i ka ndenjur gjithmonë pranë, shtatzënia e studentes nuk mund të ketë ndodhur në familjen kosovare, atje ku Floria ndenji për disa kohë, gjatë rehabilimit. Ajo rrëfen se ndonjëherë e ka lënë vetëm sepse stafi i klinikës i thoshte që s’kishte nevojë pasi kujdeseshin vetë infermierët. Ndërsa Eriselda përjashton mundësinë e shtatzënisë në spital me arsyetimin se stafi ishte i specializuar dhe ajo vetë shprehet e kënaqur dhe se nuk ka pasur asnjë problem gjatë kohës që u kurua. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me “çështjen Florie”, ku pritet të merret dëshmia e 10 personave , mes tyre edhe e vëllait të Florie Peçit, i cili ishte personi që bëri kallëzim penal në Prokurori se e motra ishte përdhunuar gjatë kohës së rehabilitimit në Vjenë.

Lajme të ngjashme

Back to top button