Besimi i dëshiroi Xhaferit që ta veshë ARM-në me uniformë dhe çizme të reja

Detyrën time do ta kryejë me përgjegjësinë më të madhe dhe jam i bindur se do të kontribuoj për ndërtimin e armatës konform standardeve të NATO-s, të përgatitur që të përballet me sfidat e kohës moderne, theksoi Talat Xhaferi, gjatë pranim-dorëzimit të funksionit ministër i mbrojtjes nga ana e ministrit të deritanishëm Fatmir Besimi.

Duke potencuar se për të paraqet nder të madh dhe kënaqësi të udhëheqë me Minsitrinë e Mbrojtjes deri në rrumbullaksimin e suksesshëm të reformave dhe modernizimin e ARM-së, Xhaferi potencoi se para se gjithash do të kontribuojë që ARM-ja në çdo dimension të vetin ta reflektojë realitetin e shtetit tonë.

“Të jetë simbol i bashkëjetesës ndëretnike, tolerancës, respektit të dallimeve, si dhe i pajtimit në mes të grupeve etnike”, tha ministri i ri Talat Xhaferi.

Në pranim-dorëzimin e funksionit, ministri i deritanishëm i mbrojtjes, Besimi nënvizoi se gjatë këtij një viti e gjysmë janë vendosur tre qëllime, edhe atë që Republika e Maqedonisë të jetë e njohur për kontributin e vet në paqen globale dhe implementimin e standardeve të NATO-s, në kontinuitet të punohet në përforcimin e besimit ndëretnik dhe ndërfetar dhe në ndërtimin e ARM-së si institucion për respekt të ndërsjellë, ku edhe dallimet janë avantazh unik, si dhe për krijimin e armatës profesionale moderne dhe të lartë, për përmirësimin e standardit të pjesëtarëve të ARM-së si dhe në afrimin e ARM-së deri te qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Përkujtoi se ka realizuar një numër të madh të promovimeve të projekteve rajonale, konceptin “mbrojtje e mençur”, e poashtu tha se me sukses misionet paqesore ndërkombëtare, ku Republika e Maqedonisë vazhdimisht merr mirënjohje të mëdha në nivel botëror. Foli edhe për Strategjinë për diplomaci mbrojtëse, shënimin e “20 vjet ARM”, publikimin e Librit të bardhë të mbrojtjes…

Sipas tij, në këtë periudhë, me vendosjen e formacioneve të reja u hap mundësia për përmirësimin e dukshëm të përfaqësimit të drejtë edhe për avancimin e karrierës në pjesën më të madhe të ARM-së, duke e kapërcyer gjendjen, sepse një pjesë e pjesëtarëve të ARM-së më shumë se një dekadë nuk kanë mund të marrin rritje të gradës.

“ARM-ja në këto dhjetë vjet, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e rregulluara sipas parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, arriti ta përmirësojë përfaqësimin e drejtë prej 5 përqindëve në 27 për qind të komuniteteve joshumicë në Maqedoni. Në të ardhmen kjo përqindje konform regjistrimit duhet të arrijë 36 për qind, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të vazhdohet me përmirësimin e përfaqësimit të strukturave udhëheqëse në Armatë. Në buxhetin e vitit 2013 janë parashikuar 200 punësime të reja të ushtarëve profesionistë”, deklaroi Besimi.

Në kuadër të progresit të standareve të ushtarëve, Besimi duke pranuar se nuk arritën që ta mbajnë premtimin që pjesëtarët e ARM-së ta veshin uniformën e re deri më 18 gusht të vitit të kaluar, trashëgimtarit të tij Xhaferi i dëshiroi që ta përfundojë këtë projekt dhe gjithë Armata “të vishet në uniformën e re dhe në çizmet e reja”.

“Mbetet angazhimi dhe detyra jonë e fuqishme që të ecim drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm në NATO, e poashtu mbetet edhe sfida që të realizohet Plani afatgjatë për zhvillim të mbrojtjes, ndërsa në këtë kontekst edhe modernizimi i ARM-së. Këto janë vite të rënda ekonomike, të cilët kanë ndikuar direkt në buxhetin e mbrojtjes”, tha mes të tjerash Besimi, fuqimisht i bindur se Republika e Maqedonisë do të arrijë sukses në integrimet euroatlantike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button