Maqedoni, 1 milion përdorues të Facebook-ut!!

Të dhënat më të fundit të Facebook-ut flasin se gjysmën e popullatës së Maqedonisë mund ta gjesh në këtë rrjet social. Përkatësisht, nga shifrat që mori PortAlb, deri më tani vendi ynë ka 1.001.980, një milion e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë përdorues të Facebook-ut. Ndërkaq, sipas statistikave të fundit, Maqedonia numëron rreth dy milionë banorë.


 A është ky rrjet social pasqyrim real i jetëve tona?

Fotografi nga shëtitja e fundit, check-ine se ku po darkohet madje dhe çfarë ka në meny, ‘statuse’ dashurie, filozofike, kritika politike, muzikë, dërdëllisje.. të gjitha këto janë të ekspozuara në çdo çast nga miqtë tanë të Facebook-ut.  Është ky një promovim i vetes si dëshirojmë të dukemi, a jemi shndërruar në vegël të teknologjisë?

Sociologët thonë se edhe pse fillimisht lidhen me miqtë, shumica e përdoruesve mund të kenë çështje me identitetin, sidomos të rinjtë, dhe tentojnë në çdo mënyrë të duken sa më “cool” dhe të popullarizuar. Deri diku përmes këtij rrjeti kultura e globalizmit dhe ajo amerikane depërton në shoqërinë tonë. 

Sipas pedagogut të shkencave sociale Zydih Dervishi, Facebook nxit veti mashtruese dhe të humb shumë kohë.
 
“Njerëzit në disa raste paraqiten ndryshe. Duke përfituar nga fakti që nuk kanë përballë personin të cilit i drejtohen përdoruesit e këtij sajti shpesh lëshojnë disa “deklarata” që mund të tingëllojë keq në sytë e mijëra njerëzve që i lexojnë. Mashtrimi mund të shkaktojë zhgënjim, veçanërisht tek të rinjtë të cilët i përjetojnë më shumë ndjenjë situatat e tilla stresuese” shpjegon për Portalb pedagogu duke theksuar se ka raste ku performancë më të dobëta në shkollë apo punë kanë ata persona që përdorin më shumë Facebook-un.

Studentja Blerina Iljazi thotë se kalon disa orë në këtë rrjet social dhe shpjegon se arsyet janë thjeshtë për zbavitje.

“Hap Facebook-un vazhdimisht për të shikuar fotografitë e miqve të mi, për të postuar ndonjë informacion të ri si dhe për të plasuar fotografitë më të fundit që kam realizuar” thotë Iljazi për Portalb.

Psikologu Musa Musai e quan si promovim të vetes fenomenin e postimit të informatave, sidomos nga të rinjtë.

“Këto postime sigurisht kanë elementin narcizoid. Mendoj se plasimi i fotografive me tendencë që të ndërtojnë jetën e tyre në sytë e të tjerëve, kjo pra nuk është aspak etike” thekson Musai.
Ai dhe Dervishi rekomandojnë largimin nga kjo ‘mani’, duke theksuar se mjafton që të jemi realistë dhe të jetojmë realitetin, e jo një realitet të ndërtuar në rrjetet sociale. /PortAlb 

Lajme të ngjashme

Back to top button