Kreditë: Gjithnjë e më vështirë deri te paratë!

Bankat janë përplot me para të lira – por sa ato përfundojnë për kreditimin e qytetarëve dhe të kompanive? Pasi për vitin e kaluar, përqindja e matur e rritjes kreditore ishte vetëm 5,4%, një gjë është e qartë – kriza nga sektori real kaloi edhe në sektorin bankar. Politika e miratimit restriktiv të kredive nga viti 2012 do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2013 –që do të thotë se qytetarët dhe sektori privat nuk duhet të presin kushte më të lehta për të ardhur deri te kreditë. 

“Rritja e kredive të përgjithshme për vitin 2013 është projektuar në 7,5%, ndërsa në fund të vitit 2014 pritet që rritja kreditore të jetë më e lartë dhe të arrijë në 8,1%. Rreziqet për projektimin për rritjen kreditore edhe më tutje janë në rënie. Pritjet e punëtorëve bankarë për keqësimin e gjendjes në sektorin real do të shkaktonte zvogëlim të ofertës kreditore nga bankat” – shkruan në raportin më të ri të Bankës Popullore. 

Kriza e merr tatimin e saj edhe në sektorin bankar. Jo vetëm që nuk mund të pritet lehtësim i kushteve për marrje të kredive, por analiza tregon se kamatat e kredive po zvogëlohen shumë ngadalë. Më të shtrenjta mbeten borxhet me kartelat kreditore dhe minuset e saldove aktuale.

Deri në fund të dhjetorit, kamata mesatare për kartelat kreditore ka qenë 11%, ndërsa te minuset e llogarive rrjedhëse llogaritet kamatë mesatare prej 10,2%.

Kamata e kartelave kreditore 11,0% 
Kamata për saldo në minus 10,2% 

Një trend të ngadalshëm të lirimit ka te kreditë më atraktive “konsumatore” për amvisëritë, për të cilat qytetarët paguajnë kamatë mesatare prej 8,3%. 

Kredi për amvisëritë 8,3% 
Kamata për kreditë e reja 7,3% 
Kamata për kreditë ekzistuese 7,9% 

Para do kohësh, njeriu i parë i shoqatës bankare, Gjorgji Jançevski, sqaroi se një pjesë e bankave tashmë i kanë zvogëluar kamatat për kursimet, që është parakusht edhe për zvogëlimin e kamatave të kredive. Megjithatë, sipas tij, nuk mund të pritet ndonjë lirim më i madh.

“Kamatat e kredive varen nga çmimi i burimeve dhe nga politika monetare. Në kushte të politikës së relaksuar monetare që filloi nga mesi i vitit 2011, dhe që vazhdoi edhe në vitin 2012, erdhi deri te zvogëlimi i shpejtë i kamatave të kredive, ndërsa te depozitet kjo përshtatje e çmimeve shkon shumë më ngadalë. Në kushtet e tilla, zvogëlohen të ardhurat prej të cilave bankat mund të ndajnë rezerva për mbulimin e tronditjeve potenciale nga rreziqet e kredive të cilat i sjell kriza ekonomike” – sqaroi Jançevski.

Një pjesë e grupacioneve më të mëdha bankare në vend, janë duke publikuar zvogëlim të përqindjeve të kamatave për kreditë, të cilat janë në diapazonin prej 0,15% deri në 1%.

Kush, sa dhe kujt i ka borxh?  

Deri në fund të dhjetorit, qytetarët, firmat, ndërmarrjet publike dhe komunat, bankave u kanë borxh 3,5 miliardë euro. Prej tyre, 1,4 milardë janë borxhe të qytetarëve. 

Ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave 3,5 miliardë euro
Kredi për amvisëri                             1,4 miliardë euro 
Kredi për sektorin privat 2,1 miliardë euro

Por, në fund të vitit 2012 është regjistruar trend i zvogëlimit të kredive për popullatën dhe shkrirje të kredive më atraktive, atyre afatshkurta në denarë. Mu këto, sipas bankierëve janë simptomet që tregojnë për atë se kriza dhe frika nga pamundësia që në kohë të paguhen këstet – janë akoma të pranishme.

“Portalbi” analizon se sa dhe për çfarë qëllimi janë futur në borxh qytetarët. Në vendin e parë janë kreditë konsumatore

Kreditë konsumatore 540 milionë euro
Kreditë për banesa 322 milionë euro 
Kartela kreditore 198 milionë euro 
Kredi për vetura  31 milionë euro 

Edhe sektori privat vazhdoi me marrjen e huave te bankat, por me pjesëmarrje më të madhe të kredive për riprogramimin e borxheve. Sipas bankierëve të cilët i konsultoi “Portalb”-i, në vitin që kaloi më së shumti kredi kanë marrë kompanitë nga industria farmaceutike, industria për përpunimin e metaleve dhe industria ushqimore.  

Edhe pse me një tempo shumë të ngadalshme, futja në borxhe për shkak të kredive është në rritje – rreziqet nga servisimi i vonuar i detyrimeve ndaj bankave janë në rritje poashtu. Edhe Banka Popullore edhe bankat afariste kanë frikë nga rritja e saldos së kredive “jofunksionale”. Sipas matjeve të fundit, niveli i plasmaneve të rrezikshme tejkaloi 11 përqindëshin. Në përpjekje për t’i amortizuar këto pasoja, bankierët padyshim do të vazhdojnë me qasje selektive dhe restriktive në dhënien e kredive.

Për më shumë para dhe qasje më të lehtë deri te ato, qytetarët dhe firmat mund të shpresojnë pas një viti, periudhë kjo kur analistët parashohin rritje më të madhe edhe të kursimit edhe të kreditimit. 

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button