Kompanitë e huaja të interesuara për investime vijnë në Maqedoni

Përfaqësues të disa kompanive ndërkombëtare, brenda dy deri në tre javët e ardhshme do ta vizitojnë Maqedoninë, për të zhvilluar biseda më konkrete, para se të sjellin vendim përfundimtar për investim.

“Deri në mes të marsit presim takime më konkrete me kompanitë të cilat janë para marrjes së vendimit për të investuar në Maqedoni. Bëhet fjalë për kompani nga industria automobilistike, elektronika, industria e këpucëve nga Amerika, Evropa Perëndimore, Turqia, dhe Japonia”, deklaroi për MIA-n drejtori i Drejtorisë për zonat zhvillimore të industrisë dhe teknologjisë, Viktor Mizo.

Ekipi qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri dhe ministër i financave, Zoran Stavreski javën e kaluar i prezantoi mundësitë për investime para sektorit të biznesit në Ukrainë, e cila këtë vit është destinacioni i parë ku qeveria bën prezantim ekonomik.

Drejtori Mizo, i cili ishte pjesë e delegacionit, theksoi se mundësitë janë prezantuar para 200 kompanive, ndërsa interes më konkret kanë shprehur kompanitë nga fusha e turizmit, eksploatimit të lëndëve të para minerale, ndërtimtaria, prodhimi i makinave, si dhe eksporti i prodhimeve bujqësore.

Në pjesën e turizmit, krahas ndërtimit të hoteleve, është theksuar edhe organizimi i grupeve nga Ukraina në Maqedoni, ku tashmë një grup është duke punuar, ndërsa pritet të aktivizohet edhe masa më e re për subvencione, me çka Maqedonia do të bëhet destinacion më konkurrues për operatorët e atjeshëm.

Krahas Kievit, delegacioni qeveritar e vizitoi edhe Dnjepropetrovskin dhe Donjeckin, të cilat janë rajone me zhvillim më të madh industrial në Ukrainë.

Në mesin e destinacioneve të paralajmëruara ku qeveria do t’i prezantojë mundësitë për investime në Maqedoni, është edhe Amerika Jugore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button