Ajo!

Përemri vetor “ajo”, ka kaluar tanimë në një formë etiketim  kur i’u referohemi femrave, në të shumtën e rasteve me konatacion negativ. Kur flitet për femra ,sidomos kur tregohet ndonjë rast ku ajo shënjestrohet si fajtore, i drejtohen me “ajo”. E bëjnë këtë për të tingëlluar më bindshëm apo më pak qëllim keq kundrejt përmendjes së emrit, ose thjesht si një frazë që do ndjell kuriozitet, akoma nuk e kam kuptuar. Por kur dikush ta përshkruan dikënd me “ajo”, mba veshët mirë ose mbylli ato, ngaqë ke për të dëgjuar histori të gjatë.

Çdo herë që ndodh ndonjë situatë e caktuar (kuptohet negative) është “ajo” që e inicon, është “ajo” që e ka provokuar, nuk kanë rëndësi pasojat “ajo” e ka filluar dhe nuk ka diskutim. Ndodhi një artije në karierë “ajo” e ka aritur në mënyrë të çuditshme, anipse ajo ditën ka mbaruar orar pune, është kthyer në shtëpi dhe më pastaj ka bërë “profesionin e dytë” që i thotë nëna ime, atë të amvises, ka gatuar, pastruar, ka prit mysafir,etj etj. Dhe pasi të kenë ikur ato, ka hekurosur, është përgatitur për nesër  dhe ka vazhduar të punoj që nesër kur të zgjohet pas 5 orë gjum, sërish të jetë e përgatitur për atë që të gjithë e quajnë karierë.

Po u ndanë dy të dashur, si do që të kenë shkuar punët mes tyre “ajo” është fajtore. Është “ajo” që duhet të jetë aty kur të gjithë kanë nevojë dhe “ajo” të lejë takim paraprak nëse i duhet asaj diçka.
Këto referime të llojit “ajo” nuk janë të sotshme, por e çuditshmja është se tash kur tentojmë të tregojmë se kemi ndryshuar, këtë “ajo” sa më shumë shtypim dhe tentojmë ta lëmë në brendësi ajo aq më shumë bën çmos e del sheshit. “Punë femre më, punë dreqi” e kam ndëgjuar shpesh të thuhet. Kjo “ajo” ka lindur shumë kohë më parë, atë e mbjellën edhe vet “ajo”.

Ajo në rolin e nënës, ajo në rolin e motrës, ajo në rolin e kushërirave, ajo në rolin e të dashurës, bashkshortes për të përfunduar në atë të një nëne të re. Thuan se gati të gjithë vajzat përfundojnë sikur nënat e tyre. Mendoj se kësaj gjëje jo gjithnjë duhet ndenjur prapa në të gjitha pikat, sepse ashtu sillemi në bosht të njejtë por pa lëvizje konstruktive.

Këto lëvizjet rreth të njëjti bosht por që nuk sjell konstruktivitet mund t’i vërejmë në skaje nga më të rëndomtat. Këtyre ditëve derisa udhëtoja për në punë më rastis të takoj dy fëmijë, djalë e vajzë së bashku me nënën dhe teton e tyre. Vajza kishte një pamje sa femërore aq edhe mashkullore në sytë e saj. Edhe pse e vogël vetëm diku katër vjeçe, tek ajo shihje flokë shumë të zeza, ashu si dhe vetulla e sy, një vajzë temepramente. Ndërsa i vëllai ishtë një bjond maksimumi i moshës 6 vjeç, me do sy të vegjël, që të jep përshtypjen e pafajësisë maksimale. Djali ishte ai që dinte të ngacmoj, gjatë gjithë kohës e besdiste me lëvizje dhe komente irituese të motrën,  ngaqë kjo nuk po reagonte kundrejt provokimeve edhe e shtyu që ajo të bëj të paktën një aksion.

Ajo asaj shtyerje i’u përgjigj me tërheqje, ngaqë atij nuk i shkoi qëllimi në fund, zëshëm e shprehu pakënaqësinë. Nëna dhe tetoja që nuk ishin në rrjedha të ngjarjes reaguan menjëherë në drejtim të vajzës “pse moj ti po e ngacmon”. Edhe përkundër reagimit të vajzës sërish në atë moment ajo ishte fajtore. Djali vazhdoi të ngacmohej dhe filloi ta teproj edhe me komente dhe shtyerje saqë vajza ia ktheu sulmin fizik në të njejtën formë, dhe në atë moment u dëgjuan të qarat e djalit se qenka lënduar shumë. Qortimi i radhës sërish asaj i’u drejtua, sërish “ajo” ishte fajtore. Kur “ajo” mori qortimin edhe të qarat e djalit mbaruan. Ai vazhdoi lojën e tij, por për ta bërë atë i duhej bashkpunimi i së motrës , i kërkoi disa herë që të luajnë por ajo refuzoi ,meqë kishte ende inatin e mëparshëm. Kur pa se nuk shkon djali i drejtohet së ëmës të luajnë bashkë dhe ajo me automatizëm bëhet bashkëlojëtare. Siç duket loja me të ëmën nuk i pëlqeu djalit dhe i drejtohet sërish të motrës dhe ajo kësaj here pranoi, ngaqë vetëm një minutë më parë pa shembullin e së ëmës. Pra se si duhet të sillesh me një mashkull, qoftë ai edhe vetëm një fëmijë.

“Ajo” etiketohet që fëmijë si “ajo” që provokon, si ajo që nxit, si ajo që “fsheh” dhe ajo që tash bën këto “faje” të vogla nesër do të jetë përgjegjëse e “fajeve” të mëdhaja. Edhe pse ato fajet ajo nuk i kryen kurrë vet më vete.

“Ajo” ashtu mësohet e trajnohet, të jetë “ajo” që si motra e vogël duhet të bindet apo si më e madhja që duhet të jap shembull të mirë, për të kaluar në të dashur që duhet të bind të dashurin se ajo është vajzë ndryshe nga ata të tipit “ajo”, kjo si “provë” për t’u bërë një bashkshorte pa epitetin “ajo” dhe për të përfunduar në një nënë që  do ta mësoj vajzën e saj të nesërmen të mos jetë “ajo”. Unë hallin e kam me këta të fundit ,si dhe me ne si pretendente për tu bërë.

Mosni aman mos i mësojmë djemt tanë se ka vetëm “ajo”,  në këtë jetë ka edhe “ai” , që rallë herë dëgjohet.  Mendojeni vetëm një herë ,se  nëse ti mendon ndryshe nga ajo që rrjedh përreth teje është se ti ke pasur një nënë të fortë,  se ti je e fortë, ti ke fuqi madhështore , intelegjenca yte nuk ka fije dallimi nga ajo e “atij” . Jemi të brishta por brishtësia nuk do të thotë inferioritet. Nëse jeni duke ritur vajza që dëshironi t’i bëni të pavaruar , të lira , zonja të vetes, që marin vedime për vete qoftë edhe nëse flasim për pavarësi ekonomike atëherë mësoni se jo çdo herë “ajo” është gjë e keqe. Nësë të gjithë të quajnë “ajo” fillo ta kërkosh fuqinë tënde brenda teje dhe jo fajin tënd në mes të tjerëve.  Nëse je e zgjuar dhe mund të arish shumë në jetë nuk do duhej patjetër “të përziesh” diçka prapa shpine , nëse je e bukur nuk dmth se ke gjithçka për “shitje” , nëse je komunikative dhe me mirësjellje nuk është se çdo kush ka qasje, ndërsa qëndrimet tua nuk përfaqësojnë  vrazhdësinë, agresivitetin dhe probleme personaliteti.

Edhe si thuan ra Eva ( Hava)  e na zbriti nga parajsa. Po kush u shtyu t’i shkoni prapa! /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button