Erdha, nga qyteti në fshat…

Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar politikisht, në tërësi, për gjithë Maqedoninë. Ky konstatim mund të argumentohet me shumë numra dhe fjalë nga më të ndryshmet por do mundohem të përqendrohem vetëm nga faktet prej ndodhive të fundit rreth krizës politike në vend. Fakti i parë do bëhet i ditur me rastin e shpalljes zyrtare të kandidaturave për kryekomunarë dhe lista të këshilltarëve për komuna. Atëherë do mund saktë të dihet numri i shqiptarëve që nuk kanë mundësi të votojnë për kandidat shqiptar; mbeten komuna dhe qytete të tëra ku shqiptarët nuk kanë mundësi as formale të votojnë për ndonjë kandidat shqiptar. 

E dyta është se me kandidaturat e dorëzuara, të gjithë subjektet politike shqiptare dëshmuan se nuk kanë llogaritur në mundësinë se opozita maqedonase në krye me Branko Crvenkovskin, me të vërtetë, do ti bojkotojë zgjedhjet lokale. Gjë që me përfundimin e afatit për dorëzim të listave edhe ndodhi në të vërtetë. 

Si e tretë mund të numërohet edhe fakti se ditën e parafundit të afatit, dy partitë maqedonase, nga tre herë, tërë ditën, jepnin propozime dhe oferta njëra tjetrës për mundësinë e shpalljes, prolongimit apo ngjitjes së zgjedhjeve lokale me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Subjektet shqiptare as që u prononcuan me fjalë ose koment për një gjë që është në parim prej çështjeve më të rëndësishme në një shtet. 

E katërta është se të njëjtat parti dhe struktura politike shqiptare nuk patën koment as për deklaratat vulosëse nga shumë ndërkombëtarë, për bllokimin e procesit euro-atlantik të vendit. Një proces ky, që bën pjesë në llafet më të mëdha që ato i  shqiptojnë para elektoratit, sa herë që u duhet një shpjegim i madh, për atë se ku ata e shohin Maqedoninë në të ardhmen. 
Kurse për shenjat politike rajonale si takimi i djeshëm, të shtunën, mes dy kryeministrave Gruevski dhe Borisov ose i vizitës së shefit të diplomacisë serbe në Shkup, menjëherë, ditën e hënë, as që mund të bëhet fjalë. Edhe këto vizita dhe takime, si shumë të tjera, më shumë i ndjekin dhe i dinë vet qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, se sa këto pretenduesit për përfaqësimin e tyre politik. 

Nga krejt këto që u thanë më sipër, lirisht mund të përfundohet se xhevapi politik i këtushëm shqiptar që këtyre ditëve u dha për Maqedoninë ishte si teksti i këngës: Erdha, nga qyteti në fshat, të jetoj vëllezër, me ju, motra, të punoj…
Ashtu politika shqiptare për të satën herë me radhë e la sheshin kryesor politik. Lanë, që tjetër kush të vendosë për ligjet, kufijtë dhe paret kurse këto u vërsulën komunave, të cilat, gjithsesi se varen nga të njëjtat këto: ligje, kufij dhe pare.

Por, shqiptarë në Maqedoni nuk dihet saktë sa ka, pasi ende nuk u mbajt censusi i popullatës, por sigurisht shumë më shumë se, ato që do mund të kthehen në vota efektive nëpër komunat. Ashtu që, në pyetjen se ku janë shqiptarët e tjerë, ata që garantojnë evropianizimin e vërtetë të këtij vendi, ende i quajtur Maqedoni. Ata shqiptarë, për të cilët vlerësohet se janë bashkësia më e vetëdijshme në këtë shtet multietnik dhe të njëjtit që jetojnë, paguajnë dhe mbajnë këtë shtet. 
Shumica e tyre, në këtë rast të gjithë ata që do refuzojnë të votojnë për kësi oferta politike “ikje nga qendra”, do mund të quhen nga pakica politike si “brankovistë”, pasi kështu do jenë në të njëjtën vijë politike me liderin e opozitës maqedonase që duket se po flijon shumë për një shtet juridik, në të ardhmen. 

Më pas, dita-ditës, do kemi shtim të numrit të “buçkovistëve” shqiptarë, sipas ish-kryeministrit nga radhët e partisë opozitare, Vllado Buçkovski, i cili u dëbua nga partia e tij amë për shkak të sjelljes së tij si “gruevistët” shqiptarë nga radhët e partive shqiptare, pozitë dhe opozitë. Ditëve dhe javëve në vijim do kemi intensifikim të analizave dhe mendimeve “buçkoviste” nga këto shqiptarë me qasje të madhe në mediume por që janë vetëm pjesë e mozaikut të një dëshmimi se: ja, jeta vazhdon dhe ja edhe shqiptarë ka që e dëshmojnë këtë?!

Dhe kategoria më e freskët janë këshilltarët shqiptarë për komunën Karposh të Shkupit, në listën e ish-kandidatit të LSDM-së, Stevçe Jakimovski, tani i shpallur si renegat nga partia e tij për shkak të mosrespektimit të vendimit opozitar për bojkot. Freskia në këtë listë është se ata shqiptarë janë nën emblemën e një partie serbe, pasi ky kandidat, në moment të fundit vendosi të huazon vulën e kësaj partie serbe. Partia serbe do ketë këshilltarë shqiptarë në listën e saj?! Solucionet në demokraci nuk kanë të sosur dhe kjo ndoshta mund edhe të vlerësohet si një gjetje legjitime e disa shqiptarëve, për t’ia bë çarenë politike vetes, kur kështu lihen dhe braktisen, me këtë shkallë mospërfaqësimi, nga ana e pretendentëve për politikë ndër shqiptarë.

E keqja, në këto emërtime dhe kategorizime të shqiptarëve të Maqedonisë, në “brankovistë”, “gruevistë”, “buçkovistë” dhe “serbë të avancuar politik” është se përjetuam që ne shqiptarët të marrim emra nga dhe sipas atyre që kanë problem me emrin e vet! Gjithë ajo sakrificë dhe flijim i shqiptarëve, prej vërshimit të votuesve nga e gjithë bota në vitin 1991 e deri në konfliktin e 2001, ende, pas dy dekada, nuk arriti të ofrojë një përgjigje dhe vision të plotë politik shqiptar për Maqedoninë por ja, këndon, vetëm: Erdha, nga qyteti në fshat… 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button