Urime Pavarësia Kosovë!

Hamami i Daut Pashës. 14 shkurt 2013. Ambasada e Republikës së Kosovës organizon kremtimin e Pesë vjetorit të Pavarësisë. Një ambient i mrekullueshëm për evenimente të këtilla. Një performancë e qëlluar e muzikës serioze, ekzekutuar nga ca artistë të rinj shqiptarë të cilët bëhen pjesë përbërëse e këtij kremtimi. Ambasadori Ylber Hysa, ashtu siç i takon nikoqirit të këtij evenimenti në nivel të detyrës, me plotë besim dhe kompetencë (falë përvojës së gjatë politike dhe intelektuale) i pret të ftuarit. Stafi i tij me do diplomatë të rinj të pashëm e plotë energji, bëjnë çmos që të nderojnë çdo mysafir. Çdo gjë funksionon perfekt.  

Ambienti përplot me njerëz me disponim kremtiv, është ajo që i bie në sy një njeriut të zakonshëm. Ajo që i bie në sy një njeriu me sens kritik (vite me radhë jam marrë me çështje të protokollit) është përbërja e tyre. Nuk kish asnjë përfaqësues të palës maqedonase. As të pozitës, e as të opozitës. Nuk kish bile edhe as për ilaç, do të thoshte populli ynë. A u befasova? Jo dhe aq shumë. Qëndrimi i këtillë injorant nga ana e palës maqedonase është déjà vu.
Ajo  që më shkoi në mend gjatë konstatimit të abstenimit të maqedonasve në këtë kremtim dhe që më irritoi, ishte dita e pranimit të ambasadorit të porsaemëruar atëherë (24 maj 2012) nga ana e sekretarit shtetëror të Ministrisë për Punë të Jashtme të Maqedonisë. Një veprim i këtillë atëherë dhe tani tregon thjeshtë qëndrimin e palës maqedonase ndaj Kosovës në veçanti, si dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Ata nuk na duan dhe na nënçmojnë. Vetëm atëherë kur janë të detyruar nga ana e faktorit ndërkombëtar i bëjnë ca lëshime ndaj shqiptarëve.
T’i kthehemi Republikës së Kosovës. Ç‘të keqe u ka bërë maqedonasve ky shtet?! Këmbimi tregtar ndërmjet të këtyre dy shteteve është me suficit në favor të Maqedonisë në raport me  Kosovën. Shtetet zakonisht ndërmjet veti grinden për këtë çështje. Vitin e kaluar ky suficit ka qenë gati gjysmë miliardë dollarë. Raport të këtillë Maqedonia nuk ka me asnjë shtet tjetër. Produktet e ndryshme duke filluar nga ato bujqësore dhe deri te ato ushqimore.
 
Nëse raporti i këmbimit tregtar është i këtillë, pra në favor të Maqedonisë, atëherë ku qëndron problem i aversionit? Politika aktuale maqedonase lirisht mund të konstatohet se është më pro serbe decenieve të fundit. Që ky konstatim mos të jetë kuturu mund të vërehet në ofertën e programeve televizive në Maqedoni. Mjafton ta lëshosh një program të Maqedonisë dhe fitohet përshtypja se të njëjtit janë programe serbe. Nëse VMRO paraprakisht kishte elemente të simpatisë ndaj Republikës së Bullgarisë kjo është vetëm një e kaluar dhe e harruar. Realiteti i sotëm është diç krejtësisht tjetër. Politika aktuale maqedonase nuk dallon në qëndrime aspak nga ajo serbe (me do modifikime të vogla). Ky është arsyetimi i vetëm pse nuk ishte i pranishëm asnjë maqedonas në kremtimin e Pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Atë që e thash më lartë ishin konstatime. Sa për të mos ngelur në nivelin e konstatimit ajo që do të ishte si propozim në lidhje me atë që u tha më lartë është se definitivisht është koha e fundit për  rishqyrtim të raportit tonë ndëretnik në këtë shtet si dhe interesat nacionale. Nëse jemi pjesë përbërëse e këtij shteti (përfshirë participimin në Qeveri) duhet ta rishqyrtojmë bottomline-n dhe të faktorizohemi. Janë çështjet për të cilat shqiptarët duhet të ulen dhe ta marrin një qëndrim pavarësisht kapriceve partiake. Me këtë do të tregonim seriozitet dhe do ta faktorizonim veten tonë. Përndryshe do të jemi gjithmonë bishti i dikujt tjetër.

Sa për fund.  Në këtë kremtim ishin të pranishëm ata që duhet të jenë, Engjëjt tanë mbrojtës – përfaqësuesit e Uncle Sam-it (Daja Sem do të thoshte populli). Përfaqësimi ishte i denjë me stafin elitar të Ambasadës së tyre, përfshirë njeriun e parë dhe të dytë. Ata janë të mjaftueshëm që ky eveniment t’i përmbushë kriteret. Nëse ke mundësi ta zgjedhësh dajën, atëherë zgjidhe më të fuqishmin. Kjo mendoj se është zgjidhja më e qëlluar. 
Urime Pavarësia Kosovë martire! Le të na rojë përjetë edhe daja ynë! 

Lajme të ngjashme

Back to top button