Pazarllëku i zgjedhjeve lokale në Maqedoni

Pazarllëku i zgjedhjeve lokale në Maqedoni, mbrëmë në mesnatë u mbyll. U shitën produktet e caktuara, ndërsa disa ‘pazarxhi’ nuk morën pjesë në këto llogari.

Maqedonia si duket po kalon në një fazë të çuditshme të ekzistencës së saj. Edhe pse shumë është përfolur termi diktaturë, Maqedonia, po i jep shtysë të njëjtës.

Para më pak kohësh parlamenti i Maqedonisë me në krye VMRO-DPMNE-në nuk e pranoi kërkesën e ‘ Aman ‘ për kthimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike. Si duket ky hap është dukshëm në dëm të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Ky aktivitet politik i VMRO-së në dëm të qytetarëve të saj, mund t`i kthehet si bumerang të njëjtës në zgjedhjet lokale.

Po befasia e këtyre zgjedhjeve lokale është mospjesëmarrja e opozitës maqedonase në to. Është ditur edhe paraprakisht se marrëveshjen e opozitës do ta prish kryetari i komunës së Karposhit, Stevce Jakimovski.

Ndërsa, Kumanova ka terrenin e saj të lirë të lëvrimit të zgjedhjeve lokale. Në këto zgjedhje u paraqitën gjashtë kandidat, prej tyre tre maqedonas dhe tre shqiptarë. Mendoj se kjo matematikë është e dëmshme për shqiptarët e Komunës së Kumanovës.

Edhe pse jam deklaruar se në këto zgjedhje lokale do ta mbështes Zenun Ismailin si bartës të listës për këshilltarë komunal prapë se prapë nuk kam mendim pozitiv për periudhën në fjalë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale pa opozitën.

Paramendoni të mbahen zgjedhje lokale pa prezencën e opozitës. As me ligje të brendshme të Republikës së Maqedonisë, po as me ligjet ndërkombëtare nuk do të ishin valide. Nëse qëllimi dhe filozofia e pjesëmarrjes në zgjedhje lokale është vetëm fitorja dhe arritja deri tek kulaçi politik, e aspak respektimi i ligjeve dhe rendit kushtetues juridik, atëherë njerëzit do të bënin çmos për të arritur ato qëllime.

Pasojat e kësaj rruge do t`i vuanin qytetarët e thjeshtë, e në mesin e tyre kërbaçin do ta hanin qytetarët shqiptarë. Jeta politike në vend vazhdon edhe pa opozitën maqedonase. Në fund të fundit, ne jemi mësuar edhe pa opozitë. Jugosllavia nuk është një shtet shumë i largët nga kujtesa jonë. Dikush mund të marr model suksesin e Kinës për të arsyetuar sistemin një partiak.

Po mirë, si do të peshohej vlera e garuesit në këto zgjedhje lokale në mungesë të opozitës?

Nëse në Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Strugë, partitë politike shqiptare bëjnë llogaritë e tyre për zgjedhjet lokale, çfarë llogarish do të bënin partitë politike shqiptare në Kumanovë? A thua është hap i mençur dalja në këto zgjedhje lokale secili në veti pa bërë një koalicion të përbashkët?

Pse partitë politike shqiptarë arritën që të bien në ujdi për Kërçovën e nuk arritën që të merren vesh për Kumanovën?

Në një shkrim tjetër pata thënë se Kumanova pa prezencën e LSDM-së në zgjedhjet lokale dhe me një front të përbashkët të partive politike shqiptare do të rikthehej në duart e shqiptarëve. Dyshimet që pata shpreh në atë reflektim dolën të vërteta dhe në këto zgjedhje lokale partitë politike shqiptare dolën veçmas me kandidat të tyre secila në këto zgjedhje. Veprimi është i njëjtë si në kohën kur merrte pjesë në zgjedhje LSDM-ja, e kur gjasat për kandidatët shqiptarë ishin zero si tani kur gjasat për kandidatin shqiptarë nuk janë zero.

Renditja në krah të BDI, e partisë së Fiat Canovski edhe të DR, është një veprim i logjikshëm për t`i ruajtur dy komunat kyçe në Maqedoni: Haracinën dhe Strugën.

PDSH tërë kapacitetin e saj politik e ka të koncentruar në ruajtjen e Tetovës, ndërsa është e bashkuar nën hije me BDI-në në luftën kundër Rufi Osmanit në Gostivar.

Politika në Maqedoni vetëm se po ndërlikohet për çdo ditë e më shumë. Ka ardhur një kohë e marrjes së dhenve dhe daljes në mal, për t`u ruajtur nga grabitqarët politikë. Po edhe në situata të këtilla, ekzistojnë personalitete shqiptare të respektueshme tek të gjitha partitë politike shqiptare. Në mesin e tyre është edhe i riu Zenun Ismaili i cili merr pjesë në këto zgjedhje lokale si bartës i listës së partisë së tij. Për shkak të kapaciteteve të tij intelektuale, njerëzore, morale, kombëtare e fetare, ky personalitet do ta ketë mbështetjen time të fuqishme në këto zgjedhje.

Personalitete të këtilla mund të gjenden nëpër të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, po fatkeqësisht disa janë nën hije,e disa të tjerëve nuk u jepet hapësirë sa duhet për të treguar aftësitë e profesionalizmin e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button