10 milionë euro nga BE-ja për bizneset e vogla

Bashkimi Evropian vazhdon që t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të Maqedonisë. 2,2 milionë euro të projektuara dhe të shpenzuara përmes projekteve në dy vitet e fundit, siç u vlerësua në konferencën e sotme përfundimtare, u kanë ndihmuar firmave që ta rrisin prodhimtarinë dhe eksportin, si dhe konkurrencën në tregun vendor dhe atë rajonal.

Duke theksuar se qëllimi është nxitja e rritjes ekonomike dhe kalimi drejt ekonomisë së tregut, euroambasadori Avio Orav, paralajmëroi edhe 10 milionë euro të reja për bizneset e vogla.

“Shumica e firmave me mbështetje të ekspertëve evropianë me sukses i kanë realizuar qëllimet e parashtruara, shtimin e numrit të vendeve të punës dhe konkurrencën më të madhe”, tha Orav në fjalimin e tij.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Valon Saraqini, projektet për shërbime afariste-këshillëdhënëse dhe për rritje të ndërmarrjeve u kanë siguruar asistencë të drejtpërdrejtë firmave për përmirësimin e performancave të tyre të biznesit, por edhe zhvillimin e aftësive të reja afariste në nivel menaxherial që është shumë me rëndësi për të qenë konkurrent në kushte të ekonomisë së tregut.

“Hulumtimi i tregut, zhvillimi i strategjisë së tregut, brendimi, kërkesa e partnerëve strategjikë, hulumtimi i mundësive eksportuese dhe tërheqja e investitorëve ishin vetëm një pjesë e instruksioneve që i kanë përvetësuar firmat vendore në kuadër të projekteve të BE-së”, tha Saraqini. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button