Saraj: Dika-anëtarët e PDSH-së kërcënojnë ata të RDK-së

Anëtarë të RDK të vendbanimeve Kondovë dhe Svillare e poshtme, të Komunës së Sarajit, janë kërcënuar nga simpatizantë të PDSH-së, dhe nga ta është kërkuar të mbështesin kandidatin e partisë së Menduh Thaçit për këtë Komunë.

Këtë e ka thënë kryetari i shtabit zgjedhor të  RDK-së, Artan Dika.

‘RDK shpreh shqetësimin për raportimet e aktivistëve të saj nga komuna e Sarajit se të afërm të kandidatit të PDSH-së për Kryetar Komune kanë shkuar të paftuar në shtëpitë e aktivistëve të RDK-së në fshatin Kondovë duke u kërkuar atyre llogari se pse nuk e mbështesin kandidatin e PDSH-së dhe duke ju premtuar para në këmbim të votës për këtë kandidat. Gjithashtu, aktivistë të RDK-së nga fshati Svillare e poshtme, në Komunën e Sarajit, kanë raportuar presione përmes thirrjeve telefonike që të mbështesin kandidatin e PDSH-së në këtë komunë. Për të gjitha këto RDK ka njoftuar edhe Zyrën e BE-së në Shkup, në një takim të zhvilluar sot’ tha Dika.

Ndryshe Rilindja Demokratike Kombëtare në zgjedhjet lokale 2013-02-28 do të garojë në 14 komuna me kandidat për kryetare dhe në 11 komuna tjera me lista këshilltarësh.

Motoja e RDK-së në këto zgjedhje do të jetë ‘Vazhdojmë me ndryshime’ ndërsa siç njoftoi Dika, RDK-ja Konventën promovuese do ta mbajë ditën e shtunë, me 2 mars, në orën 17, në Sallën universale në Shkup./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button