Zgjedhjet, KQZ: Kemi gjobitur 139 njësi vendore, do vijojmë me masat

KQZ bëri të ditur sot se do të vazhdojë marrjen e masave administrative kundrejt drejtuesve të njësive vendore, të cilët nuk kanë plotësuar ende detyrimin ligjor për publikimin e listave zgjedhore dhe caktimin e qendrave të votimit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. 

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për shtyp, tha se në zbatim të kodit zgjedhor për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin, KQZ, në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar njësive të qeverisjes vendore dhe zyrave të gjendjeve civile pranë tyre, informacion, si autoritet përgjegjës për publikimin e ekstratit të përbërësve zgjedhore si dhe caktimin e qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. 

KQZ konstaton se pas gjobitjes së 139 njësive vendore, ka pasur përmirësim të dukshëm të situatës dhe deri më sot ky detyrim është plotësuar edhe nga 73 njësi vendore. Afati ligjor i përcaktuar në kodin zgjedhor për dorëzimin e këtij informacioni nga kryetarët vendorë ka përfunduar. /Ballkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button