DI(C)K, i ashtuquajturi KSHZ

Siç dihet, dilemat dhe debatet për kapacitetin e vendit për të organizuar zgjedhje fer dhe demokratike filluan muaj më parë, e në njëfarë mënyre çështjet e njëjta zvarriten qysh prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011. Atëherë, sikurse tash, shtrohej pyetja nëse si fer dhe demokratike mund të llogariten zgjedhje që mbahen në atmosferë të kontrollit total të mediumeve nga ana e qeverisë, angazhimit të resurseve shtetërore për qëllime partiake, harxhimi i parave për subvenciom, gjegjësisht blerje votash të shtresave të varfëra të shoqërisë në vigjilje të zgjedhjeve etj. Dyshimi vihej mbi qeverinë, ministritë e financave, punëve të brendshme, punë dhe politikë sociale, televizionin shtetëror dhe një varg institucionesh tjera.

Por për habi, çdokush harroi institucionin më përgjegjës, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Me përjashtim të ditëve të fundit, KSHZ u la anash, e megjithatë në fund doli se mu ky institucion kyç ishte më i papërgatituri, më i papërgjegjshëm dhe më joadekuat për detyrën që ka.
Të fillojmë nga elementarja – lista zgjedhore. Disa muaj para zgjedhjeve, KSHZ së bashku me disa institucione tjera relevante na bindte se lista tanimë është pastruar. Me kushtin për pajisje me dokumente biometrike, na thonin se është zgjidhur problemi i votuesve fantazmë. Mirëpo “pastrimi” i këtillë hapi një dilemë tjetër që KSHZ as që u mundua t’a adresonte: mos vallë “pastrimi” është shndëruar  në “eliminim”? Mundësia që lista të kontrollohet në uebsajtin e KSHZ nuk jepte ngushëllim: pesë tentimet e mia, në pesë ditë të ndryshme, nga pesë kompjuter të ndryshëm mbaruan me rezultatin e njëjtë: sajti për momentin nuk funksionon. Me këtë nuk dua të them se sajti nuk ka funksionuar asnjëherë, por me siguri problemin e njëjtë e kanë patur mijëra qytetarë tjerë.

Ditën e zgjedhjeve kuptova se megjithatë gjendem në listën zgjedhore, por kjo nuk mund të thuhet për mijëra persona tjerë. Disa miq që posedojnë dokumente valide biometrike megjithatë ishin fshirë nga lista dhe besoj se raste të këtilla ka parë çdokush në shtet. Fenomeni si duket kishte përfshirë edhe persona të njohur publik, kryetarë partish, deputetë, funksionerë publik etj. Paralelisht me këtë fshirje masive, në listën zgjedhore u futën disa mijëra qytetarë të Pustecit, që kanë nënshtetësi maqedonase por nuk janë banorë të përhershëm të këtij shteti. Me këtë problemi i votuesve fantazmë u zëvendësua me një problem të ri: votuesit mobilë “pustecianë”. Këtë fakt pushteti më as nuk mundohet t’a fshehë; nëse dikush ka ende dyshime, mjafton të dëgjojë deklaratën e portparollit të BDI-së ose të lexojë intervistën e Edmond Temelkos dhënë gazetës Utrinski. KSHZ megjithatë nuk e gjeti të udhës të përgjigjet as për këto raste të fshirjes së disave dhe regjistrimit të tjerëve. Ai më në fund adresoi dje problemin, kur dha urdhër që mos të lejohet votimi i personave që nuk kanë adresë valide në Maqedoni. Shumë pak dhe shumë vonë! Rrethi i parë i zgjedhjeve tanimë ka përfunduar; pasi rregulli nuk vlente në rrethin e parë, sa janë legjitime rezultatet e atij rrethi?

Cikli i ardhshëm i dështimeve ka të bëjë me shpalljen dhe paraqitjen e rezultateve. Sado që të duket bashkëkohor, funksional dhe efikas, ueb-sajti i KSHZ për shpallje të rezultateve është i mbushur me mospërputhje që mund t’i konstatojë çdokush që thellohet pak më tepër në të. Gabimi i parë sigurisht ishte mospërfshirja e votave të pavlefshme në cenzusin prej 50%, që krijoi huti për atë se kush ka fituar në rrethin e parë, e kush jo. Ndërsa për ata që duan t’i analizojnë rezultatet më në detaje, sajti është makth i vërtetë. Baza e rezultateve nuk jepet në formë të përshtatshme për analizë, prandaj analisti është i detyruar t’a krijojë atë vetë nga fillimi, me shkruarje ose kopjim të rezultateve për çdo vendvotim një nga një, ose me krijim të softueri të posaçëm për lexim të tyre. Por as varianti i dytë nuk e lehtëson shumë punën; KSHZ ndërron mënyrën e paraqitjes së rezultateve në çdo cikël zgjedhor, që do të thotë se softueri i vjetër më nuk vlen dhe duhet të shkruhet një i ri. Sa për ilustrim, komisioni zgjedhor në Shqipëri, përveç paraqitjes grafike i jep rezultatet edhe në një fajll të vetëm në Excel, që përmban të gjitha rezultatet e gjithë vendvotimeve. Një gjë që lehtë mund t’a bëjë edhe KSHZ-ja jonë, por që për shkaqe misterioze dhe të paqarta refuzon t’a bëjë.

Më tej, ka raste kur shuma e rezultateve nga të gjitha vendvotimet e një komune nuk përputhet me rezultatin e publikuar total të asaj komune. Në disa vende rezultatet ende mungojnë. Deri në momentin e shkrimit të kolumnës e tillë është situata me rezultatet për këshillin e komunës në Gostivar, ndërsa për shembull ende është bosh rezultati për këshill nga vendvotimi 2951 i komunës Butel. Lëshime dhe gabime të vogla, që nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar, por që megjithatë fusin dyshime për punën dhe transparencën e këtij institucioni.

Rrëfim në vete gjithsesi janë ngjarjet në komunën Qendër. Për rezultatet nga kjo komunë duhej të pritej tre ditë, pasi KSHZ assesi nuk shpallte rezultatet e gjashtë vendvotimeve të kësaj komune. Është thjeshtë e pabesueshme se si mund për shembull të jenë të azhuruara në kohë rezultatet e njëfarë komune Çeshinovo-Obleshevo, e jo të komunës ku fundja KSHZ gjendet edhe fizikisht. Opinioni më i gjerë as sot nuk e ka kuptuar se ç‘po ndodhte plot tre ditë me këto vendvotime. Gjithçka mund të ketë qenë e rregullt, por duke marrë parasysh lojat rreth shpalljes së rezultateve askujt nuk mund t’i zihet për të madhe nëse dyshon në lojëra të pista.

Kulminacion i çmendurisë gjithsesi ishte mënyra e diskutimit dhe vendimeve rreth ankesave të parashtruara në KSHZ, që ra në nivelin e rrugaçërisë. Në vend se të funksionojë si institucion që ndjek mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ishim dëshmitarë se puna e KSHZ ishte vetëm një vazhdim i lojave të pista politiko-partiake para dhe pas zgjedhore, i luftës së secilit me secilin kundër secilit varësisht nga interesat e ngushta momentale partiake. Kështu pamë se si VMRO u shoqërua me PDSH-në për Strumicën dhe Çairin, BDI me PDSH kundër VMRO-së për Kërçovën, VMRO me BDI kundër PDSH-së për Likovën, të gjithë kundër LSDM-së dhe RDK-së në vendet tjera, e kështu me rradhë.

Procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar plotësisht dhe është pothuajse e sigurtë se nga KSHZ do të shohim edhe probleme të tjera të këtyre llojeve, e ndoshta KSHZ do t’a tejkalojë edhe vetveten dhe do të hapë kategori të reja problemesh që sot as mund t’i përfytyrojmë. Për çdo rast është koha e fundit që të rishikohet dhe revidohet roli i ardhshëm i këtij “KSHZ-DI(C)K institucioni” në procesin zgjedhor. Kështu më nuk shkon.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button