Mourinho largohet nga Real Madrid në qershor

Jose Mourinho do të largohet nga Real Madrid në muajin qershor. Sipas gazetës madrilene “AS”, trajneri portugez dhe presidenti Florentino Perez kanë arritur këtë marrëveshje që në muajin janar, pavarësisht rezultateve që mund të arrihen në këtë pjesë të mbetur të sezonit.

Në kampionat Reali ka edhe 11 ndeshje për të luajtur teksa është në finalen e kupës së mbretit ku do të ketë përballë Atletikon e Madridit. Gjithashtu edhe në Champions league los blankos kanë kaluar në çerekfinale duke eliminuar një rival direkt si Manchester United.

Duket që presioni i madh ndaj Mourinhos nga shtypi por edhe nga marrëdhëniet jo të mira në dhomat e zhveshjes, kanë sjellë në këtë vendimmarrje. Në muajt e parë të vitit të ri u përfol për një takim të senatorëve si Casillas, Ramos dhe Alonso me presidentin Perez, ku i kërkuan këtij të fundit largimin e trajnerit. Dhe mesa duket dëshira e tyre është plotësuar edhe pse Perez nuk e ka bërë të menjëhershëm largimin e trajnerit portugez.

Në këtë vendim ka ndikuar edhe fakti që Mourinho në dy sezonet e fundit nuk ka pasur me vete të gjithë grupin, sidomos sa herë që Reali përballej me Barcelonën. Futbollistët e skuadrës kombëtare spanjolle nuk e kanë pëlqyer sjelljen e trajnerit të tyre aq sa jo pak herë i kanë dalë kundër. Për momentin Mourinho duket i qetë dhe i fokusuar në një mbyllje sa më dinjitoze të aventurës së tij në Madrid, teksa Chelsea qëndron gati për të rikthyer në “Stamford Bridge” portugezin.

Lajme të ngjashme

Back to top button